Mbyllet numërimi në 5 njësi, sot nis numërimi për njësinë 6 dhe 7

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të nisë sot në mbledhjen e orës 10.00 hapjen e kutive dhe numërimin e votave të hedhura gabim si dhe kqyrjen e fletëve të pavlefshme për njësitë bashkiake 6 dhe 7 në Tiranë, që përkojnë respektivisht me KZAZ-të 50 dhe 51 në kryeqytet.

Mbrëmë KQZ përfundoi numërimin e 220 kutive të njësisë bashkiake nr. 5, që përkon me KZAZ-në 49, nga ku rezultuan 8 vota për kandidatin demokrat Lulzim Basha dhe 3 vota për kandidatin e majtë Edi Rama.

Pas përmbylljes së numërimit të votave të hedhura gabim në njësinë 5 kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin” Lulzim Basha udhëheq garën për bashkinë e Tiranës me 83 vota.

Po dje KQZ numëroi edhe votat e hedhura gabim në njësinë 4 në Tiranë, që përkon me KZAZ-në nr. 48, nga ku votat e hedhura gabim rezultuan të njëjta për të dy kandidatët, dhe ku respektivisht u gjetën 53 vota për secilin.

Të gjitha votat e vlefshme për kryetar bashkie janë tabuluar tashmë nga KQZ në tabelat e çdo qendre votimi.


Anëtarët e KQZ pas hapjes së kutive

Hetimi administrativ i KQZ-së që nisi pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor ngërthen hapjen dhe numërimin e votave të hedhura në kutitë e gabuara, por edhe kqyrjen e zarfeve me fletë të pavlefshme apo edhe të atyre të hedhura jashtë zarfeve në plot 1793 kuti që i përkasin 368 qendrave të votimit të bashkisë Tiranë, nga 485 që ka gjithsej kryeqyteti.

Hapja e kutive dhe numërimi i votave kryhet në tetë grupet e numërimit të ngritura pranë KQZ-së.

Pas përfundimit të numërimit të votave për pesë njësi, gara e shifrave mes kandidatëve për bashkinë e Tiranës do të vijojë sot me numërimin e votave të hedhura gabim në kutitë e njësisë 6 dhe 7.
(noa.al)

No comments:

Post a Comment