MAPL prezantoi raportin e punës 100 ditore

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Sllobodan Petroviq, ka prezantuar rezultatet dhe bashkëpunimin e komunave, por jo edhe me ato të veriut të banuara me shumicë serbe, ku sipas tij është një grup njerëzish që pengojnë monitorimin dhe implementimin e projekteve të ndryshme atje.
Ai këto komente i bëri të mërkurën me rastin e prezantimit të punës njëqind ditore të kësaj ministrie, me ç’rast ka vlerësuar lart bashkëpunimin e MAPL-së me komunat e reja të formuara me shumicë serbe.
Duke folur rreth formimit të komunës së re në Mitrovicën e Veriut, ministri Petroviq ka thënë se gjërat janë më të ngadalshme dhe po zhvillohen në përputhje me mjedisin politik.
Në këtë drejtim ai ka përmendur ekzistimin e “një grupi të vogël njerëzish” nga komuniteti serb, të cilët po pengojnë realizimin e projekteve në veri, e që sipas tij kanë për qëllim dëmtimin e interesave të qytetarëve në atë pjesë.
“E dini që në veri të Kosovës është situata e tillë që nuk ka sistem adekuat, ku kemi situatë ku ka shumë bartës të pushtetit, me çka rëndohet situata dhe shtohet konfuziteti i qytetarëve, dhe njerëz të caktuar të cilët në këtë apo mënyrën tjetër kanë ndikim te qytetarët e veriut, bllokojnë disa procese, përkatësisht projektet që kanë të bëjnë me infrastrukturën dhe avancimin e jetës së njerëzve. Jam i sigurt se këta njerëz nuk mendojnë për të mirën e bashkëqytetarëve të tyre”, ka thënë Petroviq.
Sekretari i përgjithshëm i MAPL-së, Besnik Osmai ka vlerësuar lart progresin e arritur në zhvillimin e dokumenteve dhe politikave strategjike, legjislacionit, bashkëpunimin rajonal dhe me komunat, por gjithashtu edhe mbikëqyrjen e ligjshmërisë dhe performancën e komunave.
Ndryshe, sipas ministrit Petroviq gjatë periudhës 100 ditore ministrisë ai drejton ka nënshkruar 45 memorandume mirëkuptimi për financimin e projekteve për komuna gjatë këtij viti, në vlerë rreth 5 milionë euro. 

(Kosovapress.com)

No comments:

Post a Comment