Kujt i lipset "fitorja e Pirros " ne Tirane

Nuk ka dyshim se procesi “hiq e mos këput” që po kolokrepset në Tiranë për Bashkinë e madhe, ka bllokuar rrugët, jo vetëm të biçikletave, njerëzve e makinave, po edhe të komunikimit. I vetmi hall i qytetarëve në emisionin e mëngjesit të Bashkim Hoxhës në ‘News24’ janë zgjedhjet dhe vetëm zgjedhjet. Një palë kacafyten për Berishën, tjetra për Ramën! Nuk janë çmimet, nuk është bllokimi i lejeve të ndërtimit, as turpi i Brukselit, as rritja e tensioneve, as pastrimi i qytetit nga plehrat e pluhuri, as mungesat e ujit të pijshëm, as vrasjet te pragu i shtëpisë e vetëvarjet në haur të bagëtive, as trefishimi i të çmendurve në spitalin psikiatrik, as vazhdimi i projekteve madhore, si unaza e madhe dhe e vogël, apo sheshi “Skënderbej”, as stabiliteti i zhvillimit të ekonomisë etj, etj, të cilat, për faj të konfliktualitetit politik kanë mbetur në ajër, pezull, si rrallëherë…
Prej kolapsit zgjedhor, prej kutive që njëherë nuk hapen dhe radhës tjetër hapen, rruga e vështirë e integrimit të Shqipërisë ka hyrë e ka mbetur në ngërç, bashkë me imazhin e vendit, po as kjo ububu nuk na mbresëlen! Në Parlamentin e Evropës, para ca ditësh nuk iu nxi faqja përfaqësisë sonë të deputetëve, as qeverisë, as kryeministrit, as kryetarit të opozitës, as ne si qytetarë, madje as Grizeldës së Kavajës me shtatzëninë e saj të rremë që u përfol me aq thagmë, jo vetëm nga mediat e këtushme, por deri në Bruksel, paçka se kësisoj u përvodh e ardhmja jonë evropiane, si asnjë popull tjetër i Ballkanit Perëndimor…Por edhe kjo duket e parëndësishme para dilemës: kujt do t’ia japë KQZ-ja (shumëkush nënkupton treshen e diplomatëve, jo Ristanin, as Tomën!) Bashkinë e Tiranës? Pra, jo kush do të zgjidhet, por kush do të emërohet kryetar i Bashkisë së kryeqytetit?
***
Ndërkohë, qeveria e Berishës po rrit jo vetëm borxhin e jashtëm, por edhe të brendshëm. Me një fjalë qeveria ka në arkën e shtetit shumë pak para për të paguar investimet publike, të porositura e të nisura, si dhe administratën. Po sikur të bllokohen, - qoftëlarg! - për disa muaj pensionet dhe rrogat? Me sa duket qeveria, përveç plasjes së cipës, po i futet borxheve si një kumarxhiu që detyrohet të shesë me ngut edhe shtëpinë, në rastin konkret jo vetëm hidrocentralet, po edhe truallin e fabrikave e të kombinateve të lëna për këtë qëllim në mëshirë të fatit… Shembulli i Greqisë që po falimenton si shtet për të njëjtat shkaqe dhe arsye, - ngaqë qeveritë e atyshme funksionuan si piramidë financiare sepse borxhin e djeshëm e blinin me borxhe të reja, - nuk na tremb. Sepse ne, si deklaron përditë kryeministri me gojën e vet, jemi më të lumturit meqë kemi rritjen ekonomike më të lartë në Evropë, meqë Shqipëria është e bukura e dheut, meqë sivjet do të kemi dyndje të paparë turistësh, meqë bëmë zgjedhjet më të mira, meqë do të na rriten pagat e pensionet në një kohë kur bota mbarë ka rënë në krizë dhe… me qenë se…se…se etj, etj.
E megjithatë kryeqytetin, ku jeton gati një e treta e popullsisë e kemi pa qeveri, pa qeverisje, pa Këshill bashkiak, pa kryetar, pa buxhet, pa zgjidhje, pa zgjedhje, pa kokë… Edhe pse bëmë “zgjedhjet më të mira të historisë sonë”, Tirana dita ditës po i ngjan Rozafës, - ç’ngrihet ditën, shembet natën, por me një ndryshim të vogël: askush nuk pranon të bëhet kurban për hir të paqes, të demokracisë, të ardhmërisë dhe të mirës së shoqërisë! Tanimë askush nuk e di kur dhe si do të çrozafizohet një ditë kryeqyteti, e bashkë me të edhe Shqipëria e ngujuar në këtë mosmarrëveshje të re e të vjetër zgjedhore, ku askush nuk del as fitues dhe as i humbur! Sipas traditës, tek ne mund të bëhet kryeqyteti kurban, mund të sakrifikohet e nesërmja e Shqipërisë, por jo ata që duan ta pushtojnë, d.m.th. ta privatizojnë! Kjo quhet politikë e burrnishme! Këtë nuk e kishte kuptuar Kadareja kur i dërgoi letër të hapur Bashës, që ky të tërhiqej, për të mos përfunduar situata deri në këtë lloj neo-Rozafe! E pra, le të digjet Tirana, le të djerrëzohet Shqipëria, rëndësi ka kush do të fitojë postin e hedhur në treg!
***
Por Basha nuk ia vuri veshin Kadaresë dhe nuk u tërhoq. Ndoshta ngaqë kishte frikë mos e pësonte si vëllau i vogël i Legjendës, i cili respektoi kodin e ‘Besës’ dhe nuk i tregoi nuses së vet, e cila për këtë ndershmëri kanunore, u muros e gjallë. Basha nuk u tërhoq në kohën e duhur se përndryshe do të murosej vetë, përfundimisht, në muret e politikës e ndoshta edhe të Drejtësisë… Edhe pse letra nuk i ishte drejtuar Ramës, kujtova se atë mundësi do ta shfrytëzonte Rama, por edhe ky nuk e bëri tërheqjen me dinjitet për arsyet e mësipërme. Naivisht besova që Rama do të tregohej më politikan e më largpamës se Basha, apo edhe se Berisha, për t’ua lënë “kopilin” në derë, për të thënë: ju doni të merrmi fitoren me hile, në tryezë, me manipulim, me Ristan e me Tom, me konflikte e sherre, merreni, pijini lëngun, unë nuk pranoj të bëhem pjesë e kësaj loje të ndyrë që po vë në rrezik stabilitetin e vendit, etj, etj…!
Kjo politikëbërje do të ishte e dobishme jo vetëm për vendin, por edhe për atë vetë, pasi do të kishte dalë nga beteja më shumë se një fitimtar “me dhjetë vota” më shumë… Ndonëse letra-sfidë e Kadaresë nuk i drejtohej direkt Ramës, ky, duke qenë njëkohësisht edhe kryetar i partisë që kishte fituar zgjedhjet në nivel kombëtar, edhe pse kishte pas qenë tri herë kryetar i Bashkisë, ai nuk do të pranonte një fitore si e Pirros në Tiranë! Aq më tepër që me një Këshill në minorancë ai nuk do mund të miratonte dot as buxhetin dhe as projektet e mëdha, gjë që do ta bënte të vështirë fushatën e pritshme të 2013-ës! Kësisoj edhe në parti do të thoshte: unë nuk humba, por vura në peshore interesin kombëtar. Një kryetar i tillë opozite do të provonte se ishte një “burrë shteti” që shikon më larg se interesi vetjak, apo edhe i partisë, se ai përnjëmend preokupohej më shumë për interesat madhore të Shqipërisë… Kësisoj do të fitonte pikë ku e ku më tepër jo vetëm te faktori i brendshëm, por edhe ai ndërkombëtar, gjë që do t’i hapte rrugën e kryeministrit në vitin 2013, edhe para se të bëheshin zgjedhjet!
Por as ai, as Basha me sa duket nuk ishin “të lirë” të bënin të tilla veprime kurajoze e të mençura, të cilat do ta kishin zgjidhur pa shumë mundim e kosto këtë situatë sa të shëmtuar, aq edhe të pazgjidhshme! Natyrisht ky kolaps nuk buroi vetëm për shkak të kompleksit të Rozafës, sipas së cilës shumëkush gjykon: a ia vlen të muroset “nusja ime” për hir të ndërtimit të kështjellës? Shumë analistë hedhin dyshime mbi këtë trashëgimi kur thonë se liderët tanë, kryetarët e partive nuk varen vetëm nga interesat vetjake e të partiake, por më së shumti nga ato të grupeve të interesit, për të mos thënë të monopoleve, të oligarkisë mafioze, të financuesve nën dorë apo pas perdes së pushtetit…

***
Edhe nëse kjo tërheqje litari, që po bën klasa politike me nervat e qytetarëve ka për të sosur një ditë dhe Ristani i KQZ-së, pas Kolegjit Zgjedhor, pas maratonës së gjyqeve e pas këmbënguljes së ndërkombëtarëve do të dalë, më në fund, me një vendim përfundimtar(“të formës së prerë!”), pra me një kryetar Bashkie të shpallur “me ligj” si fitues i kryeqytetit, pas kaq e aq ditësh e muajsh hallakatjesh, sherresh, dyshimesh, hapje e mos-hapje kutish, numërim e rinumërim të fletëve të votimit, këmbim akuzash sa në Tiranë, aq edhe në Bruksel, d.m.th. pas kësaj zvjerdhjeje morale e mosbesimi që pësoi vota, qytetari, diplomatët ndërkombëtarë, pse jo edhe militantët partiakë, fitorja e njërit prej të dy kandidatëve, cilido qoftë emri i tij, pa pikë dyshimi ka për të qenë si “fitorja e Pirros”…
Një fitore e Pirros për Tiranën do ta ketë faturën e humbjeve të pallogaritshme, më të madhe se gëzimi i fitores së një partie apo të një kryetari partie! Më të madhe edhe se borxhet që po merr qeveria, si jashtë dhe brenda! Sepse dëmi në këtë rast do të jetë sa ekonomik, moral, pse jo edhe historik. Një fitore si e Pirros së Epirit në Tiranë jo vetëm që do të shtyjë integrimin, po do të paraqesë çështjen shqiptare si një çështje të ca njerëzve të pakuptueshëm e tribalë, të pakulturuar e të pandreqshëm që nuk duan të sillen si njerëz normalë…Dhe që nuk munden të evropianizohen, edhe po të duan të sillen dhe të jetojnë si të tillë!
Me një opinion publik të traumatizuar, të mashtruar, të gënjyer, mosbesues, ne ende nuk kemi mekanizma dhe analistë që mund të na thonë sa është dëmi i shkaktuar jo vetëm nga fushata e shtrenjtë e luksoze e 8 Majit, po edhe nga dëmi i pallogaritshëm i kësaj pasfushate që na ka lënë për një kohë kaq të gjatë pa zgjidhje, pa rrugëdalje, pa fytyrë, pa alternativë, pa fitues, pa humbës…Dëmi i shkaktuar nga ky “proces” i përçudnuar, i tejzgjatur dhe i paskrupullt ka për të qenë si një djegie e shkallës së fundit, aq sa nesër askurrkujt nuk do t’i vlejë kjo lëkurë e shkrumbuar e një fitoreje të dyshimtë, me kaq shumë kosto e humbje shansesh. Sa vlen një fitore e lindur nga marifetet, nga manipulimi dhe hiletë e ndërsjella, d.m.th. nga djegia përfundimtare e zgjedhjeve të lira e të ndershme në këtë vend?!...Nuk mund të përfytyrohet dot se si do të drejtojë nesër kryeqytetin e një mijë e një halleve një kryetar Bashkie i ulur në karrigen e pushtetit pas kaq shumë grindjesh e sherresh mes partive dhe “institucioneve të pavarura”, pas kaq dyshimesh për vjedhje e për manipulime nëpërmjet KQZ-së dhe Gjykatave, qoftë edhe pas një barazimi votash pa shumë nder e dinjitet, apo pas një turpërimi kombëtar para faktorit ndërkombëtar, pas një konflikti të zgjidhur (nëse do të zgjidhet!) me një çelës kopil të ndërkombëtarëve, duke përsosur “tavolinat” e ca nëpunësve lepepeqër, të paguar që të jenë dhe të sillen pa integritet e pa turp…
Kujt para, kujt i duhet një fitore e tillë e Pirros, përveç se atyre që nuk kanë ç’humbasin, por që mund të fitojnë gjithçka pavarësisht nga humbjet e pashlyeshme të Shqipërisë? Ndoshta e vetmja rrugëdalje nga ky qorrsokak është që diplomatët ndërkombëtarë të detyrojnë të dy rivalët të dorëhiqen në të njëjtën kohë, pra jo vetëm njëri, që në Tiranë të bëhen zgjedhjet nga e para për kryetarin e Bashkisë…Një përsëritje e kufizuar e zgjedhjeve, madje edhe pa fushatë, nuk do të ketë kosto të lartë ekonomike më shumë se atë që pëson në një ditë të vetme ekonomia shqiptare nga ky bllokim…Por edhe manipulimi ka për të qenë minimal për shkak të thjeshtësisë së procesit të votimit…E pra, një kryetar i tillë i lipset Tiranës, vetëm kjo zgjidhje-zgjedhje përfundimtare, e ndershme dhe e garantuar do të mund të qetësonte shoqërinë shqiptare.
(24-ore.com)

No comments:

Post a Comment