Kosovrasti: PS s’ka të drejtë të kërkojë rivotim

Përfaqësuesi ligjor i PD-së në KQZ, Njazi Kosovrasti, e cilëson si të pavend dhe jashtë afatit ligjor kërkesën e Partisë Socialiste për pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Tiranë.Në një intervistë për gazetën “Panorama”, ai jep argumentet përse KQZ-ja dhe Kolegji Zgjedhor nuk mund të vendosin ribërjen e zgjedhjeve në kryeqytet në këtë fazë të procesit. Sipas avokatit të Partisë Demokratike, PS-ja mund ta bënte këtë kërkesë në momentin e parë, kur Rama ishte 10 vota para Bashës. “Problemi i rakordimit të numrave nuk u pa sot, ai u pa menjëherë sapo mbaroi faza e parë e procesit, pa filluar operacioni i 117 kutive dhe ai u urdhërimit të Kolegjit. Pa filluar këto dy operacione ka një mosrakordim mes numrit të votuesve sipas shënimeve në lista dhe numrit të fletëve të votimit të gjetura në kuti”.
Zoti Kosovrasti, PS-ja ka depozituar dje në KQZ një kërkesë ankimore për shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve në Tiranë. Cili është qëndrimi juaj për këtë hap të ri të socialistëve?
PS-ja, në asnjë moment të të gjithë procesit nuk ka paraqitur një kërkesë për pavlefshmëri. Problemi i rakordimit të numrave nuk u pa sot, ai u pa menjëherë sapo mbaroi faza e parë e procesit, pa filluar operacioni i 117 kutive dhe ai i urdhërimit të Kolegjit. Pa filluar këto dy operacione ka një mosrakordim mes numrit të votuesve sipas shënimeve në lista dhe numrit të fletëve të votimit të gjetura në kuti. 367 vota më shumë nuk u zbuluan sot. Kjo shifër, që ata e paraqesin me zhurmë të madhe, nuk është evidentuar në asnjë rast për të kërkuar pavlefshmëri të zgjedhjeve për hir të këtij fakti. Nëse do të bazoheshin në këtë fakt, në të gjitha etapat kur kanë bërë ankimimin kanë pasur të drejtën ligjore të ankoheshin për pavlefshmëri të zgjedhjeve, gjë që nuk e kanë bërë.
Sipas jush, kjo diskordancë e numrave ishte edhe në momentin kur u numërua edhe kutia e fundit e kryetarit të Bashkisë së Tiranës?
Në momentin kur Rama ishte 10 vota para, kjo diskordancë e numrave ishte ekzistente. A folën socialistët në këtë moment për pavlefshmëri të zgjedhjeve? Jo. Këtë shqetësim ne e kemi pasur në të gjitha zgjedhjet. Kjo diskordancë është një e vërtetë e padiskutueshme. Por ajo nuk është rezultat i dy ndërhyrjeve të KQZ-së, por një shifër që nuk rakordon që në fillim. Për hir të kësaj mosrakordance nuk ka pasur në asnjë rast një kërkesë për pavlefshmëri. Kjo kërkesë është e pavend dhe jashtë të gjitha afateve ligjore.
Ju thoni që PS-ja duhet ta kishte bërë kërkesën për pavlefshmëri që në fazën e parë të procesit, por në kërkesën e tyre pretendohet se nga zbatimi i urdhrit të Kolegjit u vërejtën këto parregullsi që ndikojnë në rezultatin e Tiranës…
Sipas rezultatit të fazës së parë, me të këqijat dhe të mirat e tij, nuk pati asnjë kërkesë për pavlefshmëri në Tiranë. Nisën dy procese: ai i KQZ-së në 117 qendra dhe procesi i dytë, ndërhyrja në 368 qendra, sipas Gjykatës. Në këto raste nuk flitet për pavlefshmëri të zgjedhjeve, por të procesit. Kur u ankuan për Vendimin 709 nuk kërkuan pavlefshmëri të zgjedhjeve, por të procesit që nisi KQZ-ja. Kolegji tha që procesi është i ligjshëm dhe nisi një proces i dytë. A është i vlefshëm ky proces, apo jo? Kjo është pjesa që ka mbetur. Nëse do të shkojnë në gjykatë, do të shkojnë për të parë që atë që urdhëroi Gjykata, është një punë e vlefshme, e kryer mirë, siç e ka kërkuar Gjykata, apo jo. Të kërkojnë pavlefshmëri të zgjedhjeve se panë disa gjëra në momentin e tretë, kjo nuk mund të bëhet. Në këto kushte ku jemi nuk mund të shpallen zgjedhjet të pavlefshme.
Në kërkesën e PS-së janë të renditura edhe disa parregullsi të tjera, që nga mungesa e kodit të pestë deri te thyerja e kutive. Këto mund të çojnë në pavlefshmëri?
Partia Socialiste përmend shumë elemente. Këto janë argumente që duhet t’u shërbejnë, për mendimin e tyre, të shpallin jo të paligjshme zgjedhjet, por procesin e dytë. Këtë mund të kërkojë PS-ja, por s’mund ta kërkojnë në KQZ. Nuk është në kompetencë të KQZ të shqyrtojë vendimet që ka marrë vetë. ps duhet të ankohet në kolegj.

Vendimi i Kolegjit

Partia Socialiste ankimoi në Kolegjin Zgjedhor vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për numërimin e votave të hedhura në kutinë e gabuar në 117 qendra votimi. Në këtë kërkesë, sipas demokratëve, në asnjë moment nuk u ngrit pretendimi për mosrakordimin e numrave, mes zgjedhësve që kishin marrë pjesë në votimet e tetë majit dhe votave të gjetura në kutitë e votimit.

PD: Qytetarët votuan më shumë Bashën

Partia Demokratike reagoi dje ndaj deklaratave të Partisë Socialiste, që akuzonin maxhorancën për zgjedhje të manipuluara. Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Albana Mustafaraj, nga selia blu deklaroi se zgjedhjet ishin transparente dhe këtë fakt e tregon transmetimi i tyre në media, ndërkohë theksoi se qytetarët votuan më shumë për kandidatin e maxhorancës. “Në këto zgjedhje në rang vendi morën pjesë rreth 1 milionë e 600 mijë qytetarë, duke bërë që zëri i tyre të dëgjohej, një pjesëmarrje rekord kjo përsa u përket zgjedhjeve lokale, por edhe të përgjithshme. Më shumë qytetarë votuan për kandidatin e Aleancës për Qytetarin në Tiranë, por më e rëndësishme se kjo është fakti se u dëgjua zëri i çdo qytetari”, u shpreh Mustafaraj.

No comments:

Post a Comment