Historia shokuese, Policia: Griselda jo shtatzënë, mashtroi

"Griselda Roshi,bashkëshortja e kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi nuk ka qenë asnjëherë shtatzënë"- kjo është deklarata e Zëdhënëses së policisë së drejtorisë së Tiranës Alma Katragjini. Sipas policisë rezultojnë të gjitha provat se 28 vjecarja nuk ka qenë shtatzënë ashtu siç pretendonte, ndërkohë që ajo është marrë në pyetje për gati 1 orë nga prokurorët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Sipas policisë, kishte qenë kunati i saj, Sajmir Roshi, 36 vjec, i vëllai i kryebashkiakut të Kavajës i cili kishte bërë Kallzimin penal dje në prokurori.
Sipas dëshmisë së tij Griselda shtatzënë në muajin e 9-të ishte rrëmbyer, keqtrajtuar dhe i ishte nënshtruar lindjes së detyruar nga persona të panjohur. Por sot paradite rrjedha e ngjarjes mori drejtim tjetër dhe dyshohet se Griselda mund të ketë inskenuar vetë ngjarjen. Fillimisht pista e rrëmbimit u hodh poshtë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda më pas erdhi dhe reagimi i Policisë i cili konfirmoi mashtrimin duke shtuar se gjëndja shëndetësore e vajzës ishte verifikuar dhe nga mjeket gjinekolog te maternitetit "Mbretëresha Geraldinë". Griselda iu nënshtrua dhe ekspertizës mjeko ligjore.
POLICIA: GRISELDA NUK ISHTE SHTATZENE
28 vjecarja ka mashtruar familjarët dhe se nuk ka qenë shtatzënë. E reja para se ti nënshtrohej ekzaminimit mjekoligjor, i është nënshtruar një ekzanimimi nga mjekët gjinekologë të maternitetit në Tiranë dhe këta kanë konstatuar se ajo nuk ka qenë asnjëherë shtatzënë.

Në deklaratën e policisë thuhet se "Janë identifikuar dhe pyetur personat që janë takuar me shtetasen Griselda Zajmi, ku nga deklarimi i shoqes së saj, me iniciale J.T, tregon se - ka pirë kafe me Griseldën tek ambjenet e lokalit të Qëndrës Kristal (në pronësi të bashkëjetuesit të saj), ku kanë qëndruar deri rreth orës 19.00’. Më pas këto shtetase kanë dalë nga kjo qëndër dhe përpara saj, Griselda ka hipur në një taksi duke i thënë shoqes që do të shkonte në shtëpi. Shtetasja J.T deklaron se – Griselda dukej shtatëzanë pranë muajit të lindjes".

Një tjetër dëshmi është ajo e taksistit që e ka shoqëruar për në hotel. "Është identifikuar dhe marrë në pyetje shoferi i taksisë me iniciale A.C, nga ku ka rezultuar se, ka marrë shtetasen Griselda Zajmi, që në dukje ishte shtatëzanë, pranë Qëndrës Kristal dhe nga aty ka ndaluar tek një farmaci në rrugën “Gjik Kuqali”, ku Griselda ka blerë dicka dhe më pas sipas kërkesës së Griseldës e ka dërguar këtë të fundit, tek Hotel Broadway, që ndodhet pranë stadiumit “Selman Stërmasi” në Tiranë. Griselda ka bërë pagesën e taksisë dhe më pas shoferi është larguar".

Policia më pas ka marrë në pyetje edhe punonjësit e hotelit "Janë identifikuar dhe marrë në pyetje punonjësit e Hotelit Broadway, që kanë kontaktuar me shtetasen Griselda Zajmi, nga ku rezulton se deklarimi i shtetases me iniciale G.H, e cila citon se : Griselda është paraqitur në hotel e vetme, rreth orës 19.30’, ka prenotuar një dhome duke bërë pagesën dhe më pas ka hyrë në dhomë. Kjo shtetase deklaron se shtetasja Griselda Zajmi në dukje ishte shtatëzanë. Deklarim i shtetasit me iniciale A.M, që punon në këtë hotel, rezulton se Griselda ka qëndruar e vetme në dhomë, gjatë kësaj periudhe nuk ka hyrë asnjë person në hotel apo dhomën e saj. Në orën 01.50’ shtetasja Griselda Zajmi, ka dalë nga dhoma dhe i ka kërkuar këtij punonjësi të marrë një taksi, pasi nuk ndihej mirë fizikisht, ai shton se – kjo shtetase nuk dukej shtatëzanë"

Në pyetje janë marrë edhe mjekët. "Janë identifikar dhe pyetur mjeku dhe punonjësi i klinikës Ikeda dhe konkretisht shtetasi me iniciale L.G (mjek), i cili ka cituar se – Griselda është paraqitur në këtë klinikë rreth orës 02.10’ dhe ankohej për të vjedha dhe diare. Është bërë menjëherë terapia e kësaj shtetase nga ana e stafit mjekësor duke e trajtuar me serum. Nga ku ky i fundit deklaron se kjo shtetase në dukje nuk ishte shtatëzanë dhe nuk patur ankesa në lidhje me shtatëzaninë. Kjo shtetase, ka qëndruar në këtë klinikë deri rreth orës 03.20 dhe më pas është larguar me taksi".

Policia sqaron më tej se "Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale të gjitha pamjet filmike të rregjistruara tek qëndra Kristal si dhe i cdo ambjenti tjetër biznesi i pajisur me kamera përgjatë rrugës “Komunna e Parisit”. Përsa më sipër është bërë ekzaminimi mjeko ligjor ne Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe ekzaminim Gjinekologjik në Matertenitetin “Mbrëtëresha Geraldinë”, nga ku rezulton se shtetasja Griselda Zajmi nuk ka qënë asnjëherë shtatëzanë".

Në sajë të veprimeve hetimore të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, bien poshtë pretendimet e shtetases Griselda Zajmi mbi rrëmbimin e saj dhe lindjen e detyrueshme e më pas marrjes peng të fëmijës së sapolindur. Ndërkohë mësohet se, shtetasja Griselda Zaimi ndodhet në ambjentet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe po merret në pyetje. Në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, po punohet më tej, për të sqaruar motivet dhe arsyen e krijimit të kësaj situate dhe alibie.

FAMILJARET TE HABITUR ME PROKURONINE; GRISELDA NE POLICI
Ora 11:40 Bashkëshortja e kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi është shoqëruar në polici për të zbardhur të vërtetën e ngjarjes që shokoi mbarë opinionin shqiptar. Pas Institutit te Mjekësisë Ligjore, gruaja 28 vjecare ndodhet në ambientet e policisë për të sqaruar në detaje gjithë këtë histori.
Nëse është e vërtetë ajo që thotë prokuroria se nuk kemi të bëjmë me rrëmbim, mund të flitet për një inskemin të gjithë historisë nga vetë gruaja e cila për pak ditë do të lindte fëmijën e saj. Atëherë Griselda Roshi do të akuzohet për padi të rreme. Ndërkohë që mister vazhdon të mbetet fëmija. Nuk dihet ende nëse saktësisht gruaja ka bërë një abort, duke i shkaktuar vdekjen fëmijës së saj, apo ka bërë një lindje të detyruar. Nëse është kjo pista e dytë, dhe fëmija është gjallë atëherë grupi hetimor do të punojë për të gjetur se ku ndodhet foshnja dhe personat që kanë bashkëpunuar më të renë.

Familjarët shprehen të habitur nga deklarata e Prokurorisë se nuk ka elemente të rrëmbimit. Ata i kanë thënë gazetarit të NEWS24 se qëndrimi i prokurorisë mund të jetë për fshehur ngjarjen e vërtetë.

PROKURORIA: RREZON PISTEN E PENGMARRJES SE GRISELDES
Ora 10. 30 Prokuroria e Krimeve të Rënda hedh poshtë pistën e rrëmbimit të Griselda Roshit, bashkëshortes së kryebashkiakut të Kavajës. Gruaja 28 vjecare shtatzënë në muajin e 9-të denoncoi dje në polici se ishte rrëmbyer, keqtrajtuar dhe i ishte nënshtruar lindjes së detyruar.
“Prokuroria për Krime të Rënda në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, pas regjistrimit të denoncimit më datën 01.06.2011 për rrëmbinin e shtetases Griselda Roshi, realizuan një sërë veprimesh hetimore për verifikimin e rrethanave të ngjarjes duke vlerësuar dhe vetë sensibilitetin që paraqet ky rast.”- saktëson prokuroria e Krimeve të Rënda nëpërmjet një njoftimi për shtyp të dërguar në redaksitë e mediave rreth orës 10:30.
“Në bazë të analizës të veprimeve hetimore të deritanishme, u arrit në konkluzionin se nuk ka elementë që të vërtetojnë rrethanat e pengmarrjes së shtetases Griselda Roshi, çfarë hedh poshtë pistën e variantit të rrëmbimit dhe marrjes peng të fëmijës së sapolindur.”- vazhdon deklarata e prokurorisë. Ndërkohë, nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, po punohet për të sqaruar më tej arsyet dhe motivimin e denoncimit.

NIS EKSPERTIZA, FLET SHOQJA E SAJ: GRISELDA MEZI E PRISTE FEMIJEN
Ora 09: 40 E shoqëruar nga forca të shumta të policisë e gruaja e kryebashkiakut të Kavajës ka hyrë në ambientet e Institutit të Mjekësisë Ligjore rreth orës 09: 30 minuta. Ajo do i nënshtrohet ekspertizës mjekoligjore. Ndërkohë që Ilda një shoqe e Griseldës në një prononcim për NEWS24 deklaroi se 28 vjecarja ishte një vajzë shumë e mirë dhe mezi priste të lindte fëmijën e saj. “Dje ishim në Kavajë ti qëndronim pranë Griseldës. Ajo ishte e shokuar dhe nuk fliste asgjë për ngjarjen. Griselda është një vajzë shumë e mirë dhe mezi priste të lindte fëmijën e saj ”.
(balkanweb.com)

No comments:

Post a Comment