Himarë, "26 shekuj histori e trashëgimi”

Komiteti himariot dhe bashkia e Himarës, organizuan gjatë dy ditëve te fundit Konferencën Ndërkombëtare"26 shekuj histori, trashëgimi, për të ardhmen e Himarës", me mbështetjen e Komisionit për Demokraci pranë Ambasadës së SHBA në Tiranë.

Në këtë aktivitet që u zhvillua në Dhërmi, ku merrnin pjesë historianë, intelektualë, studjues shqiptarë dhe të huaj, drejtues të qeverisjes vendore, u trajtuan probleme të historisë së kësaj krahine, si pjesë e historisë së të gjithë vendit, e vlerësuar në raport me zhvillimet historike në vendet fqinje. Folësit u ndalën veçanërisht në periudhën e qëndresës antiosmane, kur Himara u shndërrua në epiqendër të kësaj lufte pas rënies së Krujës, në aspekte të veçanta të zhvillimit të kulturës dhe arsimit në këtë trevë etj.
Prof. Priamo Bollano, theksoi se, jeta urbane në Himarë, vazhdon pa ndërprerje prej 26 shekujsh. Ajo ka nisur prej periudhës së neolitit dhe ka vazhduar në mënyrë dinamike, duke ju përshtatur kushteve të caktuara historike.

Prof. Jani Koçi, u ndal në disa aspekte të karakteristikave të veçanta të fortesave të realizuara në antikitet, duke ju referuar gërmimeve të ndryshme arkeologjike të realizuara nga vetë ai në periudha të caktuara, ndërkohë që prof. Shaban Dervishi dhe Llambro Ruci, u fokusuan në historinë më të vonë të Himarës në atë të periudhës osmane, duke evidentuar momente të caktuara të qëndresës dhe të bashkëpunimit të popullsisë së kësaj krahine me Kishën Katolike, me Mbretërinë e Napolit etj. Ata veçuan letrën e himariotëve të 12 korrikut të vitit 1577 drejtuar Papës së Romës, ku kërkohej ndihmë për aksionin antiosman.

Historiani, prof. Pëllumb Xhufi, në kumtesën e tij evientoi mes të tjerash se, Himara është edhe një djep i diturisë, ndërkohë që ka nxjerrë edhe shenjtorë. Ai theksoi se, "Pas Krujës, Himara u bë epiqendra e qëndresës antiosmane". Sipas Xhufit, në betejën e famshme të Fushë Kosovës, në 28 qershor të vitit 1389 u përfshinë mjaft himariotë që dhanë shembuj të guximit dhe të trimërisë, ndërkohë që Mbretëria e Napolit në vitin 1730 ka patur një rregjiment të veçantë me luftëtarë himariotë, që kishin uniformën e tyre ku spikaste kësula me shqiponjën dy krenore dhe kurorën mbretërore. Ky repart i zgjedhur me 641 vetë, vlerësohej mjaft dhe ka qenë përcaktues në mjaft momente që lidhen me fatin e Mbretërisë së Napolit, prandaj dhe luftëtarët e tij cilësoheshin, sipas Xhufit, "heronj shqiptarë". Një moment i veçantë në historinë e Himarës, është ai i kthimit të djalit të Skënderbeut, Gjon Kastriotit, që përmes Himarës, u mundua të ndizte kryengritjen antiosmane.

Studiuesi, Kristaq Jorgji, u ndal tek roli që kanë luajtur në zhvillimin e kulturës dhe të arsimit në Himarë, misionarët bazilianë. Sipas tij, pas betejës triumfuese të Lepantes së Aleancës së Shenjtë në vitin 1571, Papati hapi misionin e parë në Himarë të bazilianëve, që e ka marrë emrin nga Urdhri Katolik Bazilian. Ky mision, që u vendos së pari në fshatin Vuno, hapi edhe shkollën e parë në këtë krahinë në vitin 1628 dhe më pas, deri në 1643 edhe në fshatrat Dhërmi dhe Palasë. Misionarët e këtij urdhri, duke nisur nga Neofit Rodino, Andrea Slanislau, Jonufër Konstantinu, Xhuzepe Kamila, përçuan kulturën dhe arsimin në popullsinë e kësaj zone.

"Qeverisja e krahinës, sipas të drejtës zakonore ose venomeve që u fituan me luftë ndaj Portës së Lartë, përbën një tjetër karakteristikë thelbësore të historisë së Himarës", u vu në dukje në këtë konferencë. Folësit evidentuan faktin se, Venomët e Himarës që u fituan në vitin 1492 me luftën e himariotëve ndaj osmanëve në periudhën e Sulltan Bajazitit II, shënuan një moment thelbësor për të drejtat e banorëve të kësaj krahine në fushën e organizimit ekonomik, duke u përjashtuar nga taksat si ato të xhelepit, të duhanit të pijeve alkoolike, e drejta për të mos shkuar ushtarë me përjashtim të rasteve të veçanta me rregulla plotësisht të përcaktuara, e drejta e qarkullimit me armë të himariotëve në të gjitha kryeqendrat e perandorisë, e drejta e mbajtjes së flamurit me fushë bojëqielli dhe shqiponjën dykrenore byzantine. "Pronësia në Himarë shfaqej në tre forma, ku spikasnin prona private, prona e kishës dhe prona e fshatit", theksuan folësit.

Nga ana e saj, studjuesja sllovene në fushën e antropologjisë, Natasha Gregoriç, në kumtesën e vet, nënvizoi se, shpesh përfundimet historike mbi Himarën janë nxjerrë si rezultat i konceptimit të saj, si një entitet i izoluar.
Kjo ishte konferenca e tretë për Himarën, ndërkohë që një nga organizatorët e saj, prof.dr.Spiro Theodhorjani, pedagog në Universitetin Politeknik të Tiranës, nënvizoi se, ajo do të pasohet edhe nga të tjera, sepse historia e Himarës është e gjerë dhe përbën një objekt që ka nevojë për studime të vazhdueshme.


(balkanweb.com)

No comments:

Post a Comment