Fundi është afër

Mesfushori i Manchester Unitedit, Park Ji-Sung ka pranuar se nuk i ka mbetur edhe shumë në karrierën e tij në Old Trafford. Kapiteni i Koresë së Jugut erdhi nga PSV Eindhoven në verën e vitit 2005 dhe është bërë njëri prej futbollistëve kryesorë në ekipin e Sir Alex Fergusonit.

Edhe pse në fillim u prek nga politika e sistemit të rotacionit të ekipit nga Ferguson, 30 vjeçari ka fituar reputacion e futbollistit për ndeshje të mëdha dhe është njëri prej emrave të parë të golashënuesve të ekipit në përballje vendimtare. Megjithatë, pasi fitoi medaljen e tij të katërt të kampionit në Premierligë, Park beson se aventura e tij në klub është duke iu afruar fundit për shkak të moshës së tij.

“Nuk do të jem në gjendje të jap maksimumin pas një ose dy viteve”, u tha Park gazetarëve para një ndeshjeje bamirësie në Vietnam.

“Nuk e di sa gjatë mund të mbetem në Manchester”, shtoi ai. Park pranoi se konsiderimi i përfundimit të karrierës është diçka e re për të, por beson se mund të luajë edhe në një skuadër tjetër para se të pensionohet, në një nivel më të ulët.

“Kurrë nuk kam menduar për pensionim, por sigurisht se tani nuk më ka mbetur edhe shumë. Sipas rrethanave, mund të largohem nga Manchester United dhe të pensionohem në një skuadër tjetër”, përfundoi ai. Park ka bërë 177 paraqitje për Manchester Unitedin në gjashtë sezonet e tij në Old Trafford dhe ka shënuar 24 gola. 
(gazetaexpress.com)

No comments:

Post a Comment