EULEX-i kryen punën në mënyrë të paanshme

Në një nga lokacionet që ka ngjallur interesim të veçantë të autoriteteve ndërkombëtare në Kosovë, në Zhilivodë ku dyshohet se mund të gjenden trupat e pajetë të serbëve të vrarë gjatë luftës, Alan Robinson bashkëdrejtues i Departamentit për Mjekësi Ligjore në një bisedë për “Zërin” i hedh poshtë këto vlerësime. Megjithatë ai e pranon se Zhilivoda krahas lokacionit në Dren është një nga lokacionet më sfiduese, që janë hulumtuar deri tani.

“Nuk është se për Zhilivodën kemi ndonjë interesim të veçantë, për të gjitha lokacionet është interesimi i njëjtë”, thotë Robinson. Për të ndërmarrë një operacion hulumtimi në terren, ai sqaron se duhet që ai të mbështetet në informata të sigurta për të qenë i suksesshëm.

Më saktësisht ai thotë se po punojnë që të gjejnë të zhdukurit, ndërsa ky është një rast nëpërmes të cilit mund t’i tregojnë popullatës se po bëjnë atë që duhet të bëhet. Ai e pranon se çështja e rinisjes së hulumtimit në Zhilivodë, i cili lokacion ishte hulumtuar edhe para disa vjetësh ka mundur të nxisë pakënaqësinë e familjarëve. Por, ai hedh poshtë mundësinë që gjatë këtij procesi të ketë anime në baza etnike, për ç’gjë janë ankuar familjarët e të zhdukurve shqiptar.

“Ne kryejmë punën tonë në mënyrë të paanshme. Ndoshta kjo zonë pak i ka revoltuar njerëzit. Është projekt i madh. Nëse jemi me fat kjo do të përfundojë nga fundi i shtatorit. Secili duhet ta kuptojë se ky projekt nuk i ndal punët e tjera në terren”, thotë Robinson, duke përmendur një varg lokacionesh tjera të dyshimta, në të cilat është hulumtuar më herët apo është në proces hulumtimi, sidomos tani gjatë verës kur ekipet janë vazhdimisht në terren.

Ai hedh poshtë ankesat e familjarëve nga Mitrovica se shumë lokacione të dyshimta në këtë komunë, nuk janë hulumtuar mirë dhe se nuk është punuar për zbulimin e gjithë trupave, për të cilët kanë pasur informata se ndodhen në ato lokacione të hulumtuara. Duke iu referuar varrezave të myslimanëve në pjesën veriore të Mitrovicës, ai sqaron se është një bregore e ndarë me rrugë, ku ndodhen mijëra varreza.

Çelësi i gjithë procesit të zbardhjes së fatit të të zhdukurve, ai thotë se janë informatat. Ndërkaq, prioritetet e hulumtimit përcaktohen nga informatat e sakta dhe numri i trupave, që mund të gjenden në një lokacion të caktuar. Sa u përket lokacioneve të dyshimta për vendndodhjen e varrezave masive në Serbi, përkatësisht asaj në Rudnicë, Robinson nuk beson se EULEX-i ka përdorur gjithë autoritetin e tij, për të bërë presion tek autoritetet serbe për të nisur hulumtimin në atë lokacion.

Ndërkaq, sa i përket lokacionit të dyshimtë në Medvegjë, ai thotë se pas ekipit të vëzhguesve, që kanë vizituar këtë vend vitin e kaluar, janë në pritje të informatave të reja. Me gjithë vërejtjet e shumta, që paraqesin në vazhdimësi familjarët e të zhdukurve, ai ka mirëkuptim për ato, duke i arsyetuar me faktin se puna kryesore e tyre është që të bëjnë presion tek çdo pjesëmarrës, që punon në këtë çështje.

Robinson thotë se raportet në mes tij dhe drejtorit të Departamentit për Mjekësi Ligjore, Arsim Gërxhaliut nuk kanë qenë aq të përkeqësuara sa janë paraqitur në opinion. Për më tepër, ai e vlerëson si të natyrshme mundësinë e ekzistimit të mospajtimeve në aspektin profesional. Sidoqoftë, ai thotë se këto raporte nuk kanë ndikuar në punën e DML-së. Sipas tij, nuk është korrekte, që kolegët vendorë nuk e respektojnë sa duhet punën e tyre të zellshme.


(telegrafi.com)

No comments:

Post a Comment