Eto’o mendon për Premierligë

Samuel Eto’o mund të përcjellë Leonardon në largim nga Inter, pasi pranoi se është duke konsideruar të ardhmen e tij në klub. Sulmuesi kamerunas kishte konfirmuar qëndrimin e tij në klub në përfundim të sezonit të kaluar, por tani nuk ka garantuar se do të mbetet në Giuseppe Meazza.

“Është e vërtetë se kam disa oferta”, tha Eto’o për mediet italiane. “Tani kam një muaj kohë për t’i vlerësuar të gjitha ato dhe të marr një vendim. Jam 30 vjeç, afër kontratës time të fundit dhe do të shohim nëse do të mbetem ose do të largohem. Largimi im i mundshëm nuk do të ishte për të fituar 100 mijë ose 200 mijë euro më tepër, ajo që ka rëndësi në karrierën time është të jem i lumtur në qytet, të luaj për një klub të madh ku mund të kënaqem me veten”, shtoi ai.

Eto’o ishte futbollist kyç për Interin në sezonin e fundit, kur kaloi edicionin e tij më të mirë pas transferimit në klub nga Barcelona më 2009. Ai shënoi 21 gola në 35 ndeshje në Serie A, tetë nga dhjetë takime të Ligës së Kampionëve dhe katër nga katër përballje në Coppa Italia. Ofertat për shërbimet e tij besohet se vijnë nga Premierliga dhe ai ka pranuar se mendon rreth vazhdimit të karrierës në Angli. “Është një ide të cilën e kam në kokë për një kohë të gjatë”, përfundoi Eto’o.
(gazetaexpress.com)

No comments:

Post a Comment