Dokumentari për Lord Bajronin shfaqet në Danimarkë

Dokumentari “Aventurat skandaloze të Lord Bajron”, i xhiruar kryesisht në Shqipëri dhe Greqi, u shfaq javën e kaluar në tri seri për publikun danez në televizionin kryesor “TV 2”

Ky dokumentar, i cili ka për protagonist kryesor aktorin e Hollywood-it Rupert Everett, i transmetuar edhe për publikun shqiptar, ishte një përpjekje e regjisorit të njohur britanik Michael Waldman për të rishikuar figurën e Bajronit dhe udhëtimeve të tij në Ballkanin e vitit 1809 si dhe takimin e famshëm me Ali Pashë Tepelenën, figurën mjaft komplekse që dominoi politikën ballkanike të atyre viteve.

Po kështu, udhëtimi i Bajronit në viset shqiptare ishte edhe pikënisja e poemës së tij të famshme “Chaild Harold Piligrimage”, e cila e bëri lordin anglez një personazh mjaft të njohur në përmasat europiane.

Dokumentari mbi udhëtimin e Bajronit në Shqipëri dhe Greqi, i mbështetur nga televizioni prestigjioz britanik “Channel Four”, hapi një seri polemikash mbi figurën e Bajronit dhe trajtimin e tij në publikun anglez. Gjithsesi, ky dokumentar i cili u xhirua edhe në Shqipërinë e Jugut, ishte një mundësi promovimi e shkëlqyer edhe për turizmin shqiptar dhe mundësitë e mëdha që mbart jugu i Shqipërisë për të nxjerrë në pah trashëgiminë e vet kulturore.

Protagonist i dokumentarit, Rupert Everet, i njohur për një seri filmash me aktorë të mëdhenj të Hollywood-it, pas shfaqjes së këtij filmi në premierën londineze foli me nota pozitive mbi përshtypjet e tij në Shqipëri dhe mbresat që i la udhëtimi njëjavor me kuaj në rrugën që ndoqi është frymëzuesi i tij, Lordi Bajron gati 200 vjet më parë. Shfaqja e këtij dokumentari historik edhe në Danimarkë, që pason ato në kanalet shtetërore të Afrikës së Jugut dhe Australisë, është një ngjarje interesante jo vetëm për promovimin e këtij dokumentari, por edhe për turizmin shqiptar.
(24-ore.com)

No comments:

Post a Comment