Diplomaci pa adresë

Ish ministri i Punëve të Jashtme, Skender Hyseni vlerëson se Qeveria e Kosovës e ka lënë politikën e jashtme pa adresë të qartë, ndërsa thotë se nuk beson shumë në strategjinë e njohjeve.


Ish ministri pohon se mbetet i përfshirë në procesin e lobimit, duke shfrytëzuar lidhjet e moçme, ndërkaq për zëvendëskryeministrin, Behgjet Pacolli thotë se nuk di të lobojë, shkruan gazeta Express.

Fakti që shumë dikastere merren me këtë çështje, për Hysenin nuk është një shenjë se kjo fushë është prioritet i institucioneve të vendit, por vetëm një pështjellim.

Ai duke folur për Strategjinë e lobimit thotë se nuk e ka parë këtë dokument dhe shfaqet dyshues rreth sukseseve që mund të arrijnë institucionet në fushën e njohjeve duke u mbështetur në të.

Për ish ministrin e Punëve të Jashtme, ajo që ndikon më së shumti në shtimin e njohjeve është puna me shtetet sponsore të pavarësisë. E pikërisht për qendra kryesore që kanë përkrahur pavarësinë e Kosovës, Hyseni ishte ankuar, pasi e kishte lënë postin e ministrit të Jashtëm vitin e kaluar.

Ai nuk pranon të thotë nëse këto shtete tashmë kanë shtuar angazhimin e tyre për të siguruar njohje të reja për Kosovën.

Hyseni shfaqet më kritik, kur është fjala për lobimin që është duke e bërë zëvendëskryeministri Pacolli, i cili është ngarkuar pikërisht me këtë çështje nga kryeministri Thaçi.

Edhe Pacolli ka qenë kritik tepër i ashpër i Hysenit vitet e kaluara, duke u ankuar për mungesë hapësire dhe respekti nga MPJ-ja e dikurshme.

“Unë kujtoj që në planin e njohjeve dhe të lobimit z.Pacolli ka punuar shumë keq. Vazhdon akoma më keq dhe unë prapë po e përsëris se nuk ka asnjë shpresë se ai do ta ndryshojë këtë metodë pune. Kaq do të them. Nuk do të them asgjë më shumë”, tha Hyseni.

Ditë më parë, Pacolli kishte ftuar Hysenin t’i bashkohet procesit të lobimit për njohje, mirëpo ish ministri thotë se nuk ka marrë ftesë nga askush. Por shpjegon se në betejën për të siguruar sa më shumë njohje, bën pjesë edhe ai.
(Telegrafi.com)



No comments:

Post a Comment