Dekretet, PD i rrjedhin 8 vota pro Topit

Kuvendi votoi dje dy dekrete të Presidentit për në Gjykatën e Lartë dhe rrëzoi kandidaturën e gjyqtares Manjola Bejleri, por me rrjedhje votash.Katër deputetët e LSI-së, dy deputetët e PDIU-së, ministri Fatmir Mediu dhe deputeti Gazmend Oketa dhanë votën ndryshe nga vendimi politik i Partisë Demokratike. Me një prezencë prej 72 deputetësh në sallë dhe me një votim të hapur, kreu i LSI-së, Ilir Meta, dhe tre deputetët e partisë së tij votuan pro kandidaturës së Manjola Bejlerit, e cila madje është propozuar për t’u dërguar për ndjekje penale nga Komisioni i Ligjeve. Por, edhe kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, së bashku me deputetin Dashamir Tahiri të kësaj partie, dhanë votën abstenim. Por nuk mbaroi këtu, sepse edhe deputeti i PD-së, Oketa, ndryshe nga vendimi i Grupit të tij Parlamentar, dha votën abstenim së bashku me kreun e PR-së, ministrin e Mjedisit, Fatmir Mediu. Gjithsesi, nga 72 deputetët e pranishëm, 64 dhanë votën kundër Bejlerit, e cila u rrëzua. Por, nëse deputetët e PS-së do të ishin të pranishëm, atëherë ajo do të mund të fitonte mandatin për të shkuar në Gjykatën e Lartë. Krejtësisht ndryshe votoi maxhoranca për dy kandidatët e tjerë në garë, Edmond Islamaj dhe Shkëlzen Selimi. Të dy gjyqtarët morën të gjitha votat e pranishme në sallë, 72 vota pro, çka i bën ata gjyqtarët më të rinj të Gjykatës së Lartë. Tashmë, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe relacionit të Komisionit të Ligjeve, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, do të bashkëpunojë me kreun e shtetit për të sjellë një dekret të ri në Kuvend për emërimin e një gjyqtari të ri në Gjykatën e Lartë, një vend vakant prej më se 2 vitesh tashmë në këtë gjykatë. Por, nga ana tjetër, Topalli do t’i bëjë me dije kreut të shtetit edhe mosvotimin e tre prej dekreteve për në Gjykatën Kushtetuese, deri në plotësimin e detyrimin për ripërtëritje të Gjykatës çdo tre vjet me nga tri anëtarë. Në këtë mënyrë, maxhoranca do të votojë seancën e ardhshme vetëm për kandidaturën e Fatmir Hoxhës, kreut të Gjykatës së Apelit në Shkodër, për në Gjykatën Kushtetuese, dhe nuk do të fusë në procedim kandidaturat e Artan Hoxhës, Edlira Jorgaqit dhe Adrian Lekës.

Mungon Berisha
Kryeministri Sali Berisha ishte i vetmi anëtar i maxhorancës që mungoi dje në seancën plenare në votimin e dekreteve. Kreu i qeverisë mësohet se ka pasur një axhendë të ngjeshur me takime gjatë paradites, ndërsa pasdite ai drejtoi mbledhjen e qeverisë. Gjithsesi, seanca i mbylli punimet për vetëm një orë, pasi nisi me vonesë për shkak të mungesave të deputetëve të djathtë.

Votohet Alfred Prifti
Alfred Prifti do të jetë anëtari më i ri i Komisionit të Shërbimit Civil. Kuvendi miratoi me 71 vota pro dhe 1 kundër, me votim të fshehtë dhe do të jetë anëtari më i ri i KSHC-së. Në Komisionin e Shërbimit Civil është krijuar një vend vakant pas dorëheqjes së një prej anëtarëve, Konstandin Kazanxhi. Në Kuvend u propozuan këta emra: Gentian Opre, Indrit Lami dhe Alfred Prifti.

Nuk votohet Fatmir Hoxha

Kuvendi nuk hodhi dje në votim kandidaturën e Fatmir Hoxhës për në Gjykatën Kushtetuese, duke e lënë për seancën e javës në vijim. Ai është përzgjedhur nga maxhoranca për të qenë anëtar i kësaj gjykate, ndërkohë që nuk do të votohen emrat e Artan Hoxhës, Edlira Jorgaqit dhe Adrian Lekës. Hoxha është aktualisht kryetar i Gjykatës së Apelit në Shkodër. Ai u vlerësua për integritetin në punë dhe në karrierën e tij, por, nga ana e opozitës është cilësuar si një kandidaturë e mangët.

Votohet ligji i ri “Për inspektimet”

Kuvendi miratoi dje me 72 vota projektligjin e ri “Për inspektimin”. Projektligji është i zbatueshëm për funksionet e inspektimit në juridiksionin e pushtetit ekzekutiv të qeverisjes qendrore dhe të njësive të qeverisjes vendore. Inspektimi ka për qëllim mbrojtjen e interesit publik dhe të personave fizikë dhe juridikë. Qëllimi i veprimtarisë së inspektimit arrihet përmes vlerësimit të respektimit të kërkesave ligjore nga subjekti i inspektimit, nga dokumentimi i praktikave ligjore, këshillimit të subjektit të inspektuar për zbatimin sa më korrekt të kërkesave ligjore etj.

PS, vetëm Islami në Kuvend

Kastriot Islami ishte deputeti i vetëm i PS-së në seancën e djeshme në Kuvend, i cili u shpreh se shpreson që prezenca e tij të ndikojë në thyerjen e bojkotit të PS-së ndaj Kuvendit. “Është një moment i rëndësishëm dhe unë kam shpresë se shumë shpejt të 66-të deputetët socialistë do të jenë në Parlament për të kryer atë detyrë që kanë marrë përsipër gjatë marrjes së mandatit nga votuesit e majtë, të cilët janë në një numër të konsiderueshëm, qoftë gjatë zgjedhjeve të 2009-s, qoftë gjatë zgjedhjeve të 2011-s”, tha Ismali.

Votimi në Kuvend

Kandidatë për në Gjykatën e Lartë

Edmond Islamaj 72 vota pro
Shkëlzen Selimi 72 vota pro
Manjola Bejleri 64 vota kundër, 4 vota pro, 4 vota abstenim.
(Vota pro: Ilir Meta, Nasip Naço, Vangjel Tavo, Lefter Koka. Vota abstenim: Shpëtim Idrizi, Dashamir Tahiri, Gazmend Oketa, Fatmir Mediu)

Kandidat për në Gjykatën Kushtetuese

Fatmir Hoxha (shtyhet për javën tjetër)

Kandidatët për në KSHC

Alfred Prifti 72 vota pro
Gentian Opre Nuk votohet
Indrit Lami Nuk votohet
(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment