Basha fitues

Një mbledhje që filloi me ditë dhe mbaroi me natë për shkak të diskutimeve të gjata në lidhje me tabelat përmbledhëse të njësisë bashkiake nr 5 dhe krejt njësisë zgjedhore bashkia Tiranë.

Kjo vendimmarrje e re e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve erdhi si detyrim pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor për të vlerësuar të gjitha votat e hedhura në kutinë e gabuar. Por edhe pas hapjes së kutive, vazhdon të mbetet problemi i mosrakordimit të shifrave në rreth 300 kuti.

“Ju keni parë vetëm zarfin e kutive të pavlefshme ose të konstetuara. Duhet të numëroni të gjitha kutitë e Tiranës, për të rakorduar shifrat. Nëse nuk e bëni dot, atëherë shpallni pavlefshmëri në ato QV që nuk keni mundur të rakordoni shifrat,” tha gjatë mbledhjes përfaqësuesi i Partisë Socialistë në KQZ Eridian Salianji.

Por sipas partisë demokratike, pretendimi i socialistëve për rakordim shifrash, i paraqitur 2 herë para Kolegjit, e kishte marrë përgjigjen refuzuese.

“Gjykata e përcakton qartë në pikën 3 të vendimit se cfarë duhet bërë, gjë që ju e keni bërë gjatë këtyre ditëve. Unë e kuptoj që kolegët socialistë janë recidivistë në pretendimet e tyre, por sa i takon këtij pretendimi dhe të tjerave, gjykata në pikën 4 i rrëzon. Pra që të jetë e qartë për publikun, nuk ka detyrim për rakordim shifrash,” deklaroi Oerd Bylykbashi, përfaqësues i PD.

Përfaqësuesi i LSI-së shkoi më larg, duke thënë se sipas tij, në këtë fazë të procesit ishin rreshtur mundësitë e ankimimit: “Për mua kanë rreshtur mundësitë e ankimimit. C'është kjo pavlefshmëri që kërkohet, apo kur s'na pëlqen rezultati?”

Pas rreth 4 orësh diskutime dhe një pushimi, kryetari Arben Ristani lexoi një vendim të ndryshëm nga ai që kishte paraqitur administrata, duke e servirur atë si një propozim personal. Vendimi kishte një pjesë të gjatë arsyetuese, që hidhte poshtë të gjitha pretendimet e partisë socialiste për parregullsi, duke analizuar me hollësi të gjitha rastet e vërejtura gjatë hapjes së kutive. Vendimi u miratua me katër vota pro dhe 2 kundër, duke shpallur fitues me 93 vota para kandidatin Lulzim Basha. Pas këtij vendimi, partisë socialiste i lind e drejta që brenda 3 ditësh të paraqesë një tjetër kërkesë ankimore.


(top-channel.tv)

No comments:

Post a Comment