Asambleja Kombëtare: Shpallen zgjedhjet brenda PS

Partia Socialiste do të mbledhë sot Asamblenë Kombëtare, të parën mbledhje pas zgje-dhjeve vendore të 8 majit. Qëllimi kryesor i kësaj mbledhjeje do të jetë shpallja e fushatës zgjedhore në PS, në të gjitha nivelet drejtuese të saj.Të paktën kjo konfirmohet bazuar dhe në dokumentet e përgatitura për këtë mbledhje. Mësohet se Asambleja do të thërrasë kongresin e PS-së brenda muajit tetor, nga ku do të zgjidhet Asambleja e re Kombëtare. Do të jetë kjo asamble që do të zgjedhë më pas Kryesinë e re dhe Sekretariatin e saj. Pritet që në fund të këtij procesi të kemi një Asamble të rinovuar dhe një Kryesi tjetër me pak nga emrat aktualë të PS-së, veçanërisht në Sekretariatin e saj. Vazhdimisht ka pasur kritika për mosfunksionimin e Kryesisë socialiste dhe të Sekretariatit. Viti 2011 është një vit zgjedhor në Partinë Socialiste, pasi zgjedhjet e fundit u zhvilluan në 2007-n, kur forumet morën mandatin e plotë. Por, në këtë vit zgjedhor, ai që nuk do të përfshihet do të jetë kreu i PS-së, Edi Rama. Pas humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme të 2009-s dhe dorëheqjes që Rama dha pas shumë debatesh, ai u konfirmua sërish kryetar, por kësaj radhe me një mandat të plotë 4-vjeçar, mandat që përfundon në 2013-n. Zgjedhjet në PS do të përfshijnë që nga kryetarët e organizatave socialiste, kryetarët e asambleve të komunave dhe bashkive, të krerëve të rretheve e të delegatëve të kongresit të PSSH.

Qëndrimi
Por ajo që pritet me interes nga mbledhja e së shtunës është fjala e kryetarit socialist Edi Rama, ku pritet të ketë dhe artikulime rreth qëndrimit politik që PS do të mbajë pas zgjedhjeve të 8 majit. Procesi i administrimit të zgjedhjeve të Tiranës pas numërimit të kutisë së fundit në Njësinë Bashkiake Nr. 5, vendimmarrja e KQZ-së për të numëruar fletët e votimit të hedhura gabim, por dhe vendimet e Kolegjit Zgjedhor për vendimmarrjen e KQZ-së, i kanë çuar drejtuesit e PS të artikulojnë qëndrime radikale. Drejtues të PS-së kanë deklaruar se deri dhe revolta popullore do të organizohen nëse rezultati përfundimtar për kryetarin e Bashkisë së Tiranës do të rrëmbehet, sipas tyre, në tryezë nga përfaqësuesit e maxhorancës në KQZ. Një sinjal të kësaj revolte socialistët e dhanë me deputetët e tyre dhe mbështetësit në të gjithë vendin ditët që numëroheshin votat e hedhura gabim në KQZ.
Bojkoti
Marrëdhënia e kushtëzuar e Grupit Parlamentar socialist me Kuvendin pritet të zërë një pjesë të debatit në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare socialiste. Dy deputetët të saj kanë thyer vendimin politik të marrë nga Grupi socialist tri javë më parë, për të mos shkuar në asnjë komision dhe në asnjë seancë plenare të Kuvendit. Kastriot Islami dhe Andis Harasani kanë marrë pjesë në seancat e fundit parlamentare dhe kanë kërkuar që deputetët socialistë të përmbushin detyrimin që kanë ndaj zgjedhësve të tyre. Kreu socialist, Edi Rama, është shprehur gjatë daljeve të tij mediatike se kjo marrëdhënie e Grupit Parlamentar socialist do të vazhdojë derisa Kolegji Zgjedhor të shpallë rezultatin e kutisë së fundit të Njësisë Bashkiake Nr. 5 në Tiranë, që e nxirrte atë fitues me 10 vota si kryetar i Bashkisë së kryeqytetit. Pritet që mbledhja e së shtunës të ketë një vendim të qartë dhe për bojkotin e socialistëve me Kuvendin.

Asambleja me dyer të mbyllura

Mbledhja e fundit e Asamblesë Kombëtare, si rrallëherë, u zhvillua me dyer të mbyllura. Në mbledhjen e fundit të saj nuk u lanë as kamerat dhe as gazetarët që të ishin prezentë. Kjo erdhi dhe për shkak se në mbledhjen e fundit të Asamblesë para zgjedhjeve të 8 majit, nuk pati një fjalim të kreut socialist Rama. Mbledhja e fundit u fokusua vetëm në aspektin teknik organizativ, kur të gjithë prisnin shpalljen e kushteve që PS kërkonte për garantimin e zgjedhjeve të 8 majit.

Kriteret për kandidatët e 8 majit

Mbledhja e fundit e Asamblesë Kombëtare socialiste u zhvillua më 11 mars të këtij viti, vetëm tri javë para shpalljes së listës përfundimtare të kandidatëve për kryetarë bashkish dhe komunash. Kryesocialisti kërkoi që kandidaturat të marrin konsensus sa më të gjerë që të mos ketë devijime votash për qejfmbetje ndaj kandidatëve të caktuar. Në atë mbledhje u miratuan kriteret dhe parimet mbi të cilat do të ngriheshin listat e këshilltarëve të këtyre komunave dhe bashkive.

Braçe: Na duhet një lidership moral

Nënkryetari i Grupit Parlamentar socialist, Erjon Braçe, përmes statusit të tij në Facebook, kërkoi dje një lidership moral dhe jo numerik, një përfaqësim sa më moral të PS-së si opozitë. “Një deputet i PS argumentonte dje gjatë nevojën e koalicionit me LSI! PS nuk fiton dot pushtetin pa LSI”, ishte konkluzioni pas referencave në shifrat e zgjedhjeve sipas Braçes. Nënkryetari i Grupit Parlamentar socialist kërkon nga Asambleja t’u japë përgjigje disa pyetjeve. “Të shtunën mblidhet Asambleja Kombëtare e PS-së. Unë mendoj se PS duhet t’i japë përgjigje dilemës: kë do të përfaqësojë?! Ky është problemi! Shqipëria ka nevojë për një lidership moral dhe kjo nuk është çështje numerike! Por është çështje përfaqësimi!”, shprehet Braçe në adresën e tij në Facebook. Duke folur për bojkotin e PS ndaj Parlamentit, dy ditë më parë Braçe kërkoi që deputetët të shkojnë në Parlament sepse, sipas tij, “ata po rrinë kot, pa bërë asgjë”.

Anëtarë Kryesie

Gramoz Ruçi
Arben Malaj
Arben Isaraj
Ermelinda Meksi
Mimoza Hafizi
Saemira Pino
Valentina Leskaj
Pandeli Majko
Ben Blushi
Erion Braçe
Eva Allushi
Ledi Shamku
Namik Dokle
Shpëtim Idrizi
Mimi Kodheli
Lindita Nikolli

Sekretarët
Sekretar Organizativ Blendi Klosi

Sekretare për Marrëdhëniet me Jashtë Arta Dade

Sekretar për Çështjet Zgjedhore Kastriot Islami

Sekretar për Programin
Andis Harasani

Sekretar Ligjor Fatmir Xhafaj

Sekretar për Burimet Njerëzore Ethem Ruka

Sekretar për Shanset e Barabarta Edlira Haxhiymeri

Sekretari për Mjedisin Besnik Bare

Sekretar i Asamblesë Kombëtare Artan Lame

Gjinushi: Krizën e zgjidhin vetëm zgjedhjet e parakohshme

Kreu socialdemokrat, Skënder Gjinushi, duke analizuar situatën postzgjedhore në Shqipëri, tha se dështoi eksperimenti për të zgjidhur krizën politike me zgjedhje lokale. Sipas Gjinushit, tashmë nuk ka alternativa të tjera për të dalë nga kjo krizë politike, duke hedhur idenë e zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme. “Në një shtet që nuk ekziston e drejta, vota e lirë, i vetmi që mund të vendose rregullin dhe rendin është populli në zgjedhje të përgjithshme, të parakohshme dhe me standard. Çdo garë tjetër është garë jashtë piste”, tha Gjinushi. Përballë një situate ku rregullat e lojës ndryshohen në tavoline, kur Kolegji Zgjedhor nuk jep drejtësi, por legjitimon padrejtësitë, për Gjinushin kjo përkthehet si delegjitimitet i opozitës, së cilës tashmë i ka mbetur vetëm emri si e tillë.
(24-ore.com)

No comments:

Post a Comment