Aleanca Rusi-Kinë kapërcen ylberin

Rusia dhe Kina, për herë të parë së bashku ndërmorën një hap të pazakontë, duke i bërë një sfi dë Aleancës Atlantike,
nëpërmjet një paralajmërimi të përbashkët kundër sistemit të mburojës antiraketë, që NATO planifikon të krijojë brenda perimetrit të saj gjeografik. Në deklaratën e përbashkët të samitit të "Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait", SCO, që zhvilloi punimet në Astana të Kazakistanit më 15 qershor, Rusia dhe Kina shpallën qëndrimin e tyre se: Ndërtimi i një mburoje raketore të njëanshme dhe pa kufij nga një shtet ose nga një grup i ngushtë shtetesh, do të dëmtojë stabilitetin strategjik dhe sigurinë ndërkombëtare. SCO një organizatë e Azisë Qendrore, e themeluar nga Rusia dhe Kina 10 vite më parë, përbëhet nga gjashtë shtete, ku katër të tjerët janë ish-republika sovjetike, Kazakistani, Kirgistani, Taxhikistani dhe Uzbekistani. Ministri i jashtëm rus, Sergej Lavrov, deklaroi pas samitit se, vendet anëtare të SCO "ishin unanimë në kriticizmin e tyre ndaj mburojës raketore", por nuk është vështirë për të kuptuar se të tjerët thjesht i janë bashkuar kriticizmit dypalësh ruso-kinez.
Sfida e re Rusi-Kinë ndaj NATO-s konsiston në radhë të parë në faktin se ngritja e mburojës raketore është një projekt i brendshëm ushtarak mbrojtës i NATO-s, i planifikuar të ndërtohet në vendet anëtare të saj dhe përbën një çështje të brendshme të kësaj aleance. Rusia dhe Kina bashkohen në kundërvënien anti-atlantike, duke shënuar një ndërhyrje të pastër në punët e brendshme të një organizate tjetër, e cila për më tepër, ndodhet në një kontinent tjetër si Europa. Përtej ndërhyrjes në punët e brendshme të NATO-s, Rusia dhe Kina marrin mbi vete të drejtën, që të kenë tagrin të gjykojnë dhe të pyeten mbi masat, projektet dhe politikën mbrojtëse, që NATO zbaton në Europë në territoret e shteteve anëtare të saj.
Në këtë zhvillim të ri tërheq vëmendjen fakti që Rusia arriti të bindë Kinën, të bashkohet në kundërshtimin e mburojës raketore mbrojtëse të Aleancës Atlantike. Vetë Rusia prej kohësh ka shpallur kundërshtimin e saj të njëanshëm ndaj sistemit të mburojës raketore të NATO-s, që kur u shpallën planet e para të kësaj mburoje nga ish-presidenti amerikan Xhorxh Bush i riu, e deri tani kur qeveria amerikane dhe qeveria e Rumanisë nënshkruan marrëveshjen në muajin maj për vendosjen e elementeve të sistemit të mburojës raketore në territorin rumun. Por tani me Rusinë bashkohet edhe Kina, e cila i atashohet linjës së Moskës për mburojën raketore, që NATO do të ndërtojë në Europë. Kemi një ndryshim, që të shtyn të kërkosh arsyet, pse Kina bashkohet në qëndrimin dhe del për herë të parë së bashku me Moskën, në një çështje ushtarake mbrojtëse të një organizate tjetër në një kontinent tjetër.
E para, kjo tregon se Kina është ngjitur në një shkallë tjetër të rëndësishme të marrëveshjes, bashkëpunimit dhe të aleancës me Rusinë. Së dyti, që Kina shfaqet me një pretendim interesi strategjik në drejtim të kontinentit europian. Së treti, që Kina shfaqet me një portret më kërkues dhe më agresiv në një çështje ushtarake. Së katërti, që Rusia dhe Kina po i japin organizatës së tyre rajonale, SCO (e cila përbëhet nga gjashtë shtete autokratike dhe ish-komuniste ), një karakter jashtërajonal dhe ushtarak.
Sado e diskutueshme, që mund të jetë në fazën e tanishme shkalla e arritjes së një aleance ruso-kineze kundër NATO-s, fakti është se kemi herën e parë, që Rusia dhe Kina bashkohen në një kundërshtim të përbashkët ndaj një rrjeti mbrojtës të NATO-s. Kjo përbën, në radhë të parë, një lëshim që Kina i bën Rusisë, aq me tepër që Pekini ka qenë deri tani tepër i kujdesshëm për t'u prononcuar për çështje dhe zhvillime ushtarake në Europë dhe aq me tepër për t'u bashkuar me Moskën në një sfidë ndaj NATO-s. Në një farë kuptimi mund të klasifikohet si një sukses i diplomacisë së Rusisë, e cila arriti të bindë Pekinin të ndërmarrë një veprim jo të zakonshëm për traditën diplomatike dhe politike kineze të profilit të ulët. Rusia dhe Kina bashkohen në interesin dhe në strategjinë e tyre për të mbajtur larg SHBA-të dhe NATO-n nga Azia. Sado që Rusia dhe SCO, zyrtarisht e kanë mbështetur operacionin e madh të NATO-s në Afganistan kundër talebanëve, e vërteta është se si Rusia, ashtu dhe Kina, e kanë shprehur qartë se nuk e dëshirojnë ndonjë formë pranie ushtarake të NATO-s apo të SHBA në Afganistan pas vitit 2014, që është shpallur si datë e largimit të forcave të NATO-s nga shteti aziatik. Në këtë linjë, Rusia dhe Kina bashkohen në një formë presioni ndaj NATO-s, me kërkesën e mosndërtimit të sistemit të mburojës antiraketë në shtetet europiane të NATO-s. Sepse Rusia dhe Kina, jo vetëm nuk e dëshirojnë NATO-n në Afganistan dhe në Azinë Qendrore, por avancojnë t'i paraqesin NATO-s kufizime edhe në Europë.
Hapi i përbashkët ruso-kinez paraqet një shenjë të koordinimit në shkallë globale, që Moska dhe Pekini po fillojnë të ndërmarrin në drejtim të rivalëve të tjerë dhe kontinenteve të tjerë. Kjo është një shfaqje e ambicieve, që shkojnë përtej territorit gjeografik të organizatës së tyre. SCO u servir në fillim si organizatë e rregullimit të çështjes së kufijve mes shteteve të Azisë Qendrore, por shpejt ajo u shndërrua nga Rusia dhe Kina në një organizatë rajonale me pretendime shumë më të gjëra. Moska nuk e ka fshehur asnjëherë synimin për ta shndërruar SCO-në në një instrument të politikës dhe të strategjisë ushtarake dhe të sigurisë, ndërsa Pekini gjithmonë është përpjekur të paraqitet se është i interesuar për një karakter të organizatës si instrument ekonomik. Marrja përsipër e një çështjeje ushtarake, e për me tepër që i përket një organizate si NATO në një kontinent tjetër, tregon një spostim të boshtit të SCO, por në radhë të parë të Pekinit, drejt një karakteri të instrumentit ushtarak dhe të politikës së sigurisë.
Ndërsa Rusia nuk është kujdesur asnjëherë ta fshehë ambicien e saj për të luajtur rolin e fuqisë globale në aspektin ushtarak dhe në atë të sigurisë, Kina ndërmerr një devijim nga politika e saj e deritanishme zyrtare e profilit të ulët dhe e neutraliteit në çështjet e debatueshme ushtarake, aq më tepër kur zhvillohen në kontinentet e tjera. Tani Kina del dhe i kërkon NATO-s të mos ndërtojë sistemin e saj mbrojtës antiraketë në territorin e vendeve anëtare. Kemi një sinjal të rëndësishëm se diçka e madhe po ndryshon në Kinë, në drejtim të aspiratës së saj për të qenë fuqi globale. Dhe këto sinjale po shtohen kohët e fundit, që nga manovrat e përbashkëta ushtarake, që Kina ka nisur të zhvillojë jashtë kufijve të saj, si ato në Pakistan, e deri tek ndërtimi i aeroplanmbajtëses së parë kineze, që ajo njoftoi në fillim të këtij muaji. Kostumi i gjigantit ekonomik po i rri gjithnjë e më ngushtë udhëheqjes kineze, e cila me sa duket ka vendosur të ndjekë rrugën e Rusisë dhe të shpallë hapur pretendimin për rol të fuqisë globale edhe në aspektin ushtarak dhe të sigurisë ndërkombëtare. Nga kjo, mund të pritet një koordinim më i ngushtë ruso-kinez në fushën ushtarake në të ardhmen. Duke komentuar deklaratën e samitit të SCO kundër mburojës antiraketë të NATO-s, zëvendësdrejtori i Institutit shtetëror rus të "SHBA dhe të Kanadasë", Viktor Kremeniuk, u shpreh: Rusia i ka dhënë një sinjal shumë të qartë partnerëve europianë, SHBA dhe NATO-s, që nëse ju nuk gjeni mundësinë të rregullojmë një mburojë raketore të përbashkët, ne do ta bëjmë atë me Kinën dhe të tjerët.
Hapi i përbashkët ruso-kinez ndaj Aleancës Atlantike ngacmon vëzhgimin për të ndjekur me vëmendje kalendarin e mëtejshëm të veprimeve, që dy fuqitë e mëdha aziatike do të ndërmarrin në adresë të NATO-s. Aleanca Rusi-Kinë e ka kapërcyer tashmë ylberin. Ai hap është një sinjal i madh se edhe Kina po zgjohet me pretendime të mëdha, krahas Rusisë, duke e parë Perëndimin si kundërshtar. Një zhvillim i tillë e përligj edhe më shumë dhe bën akoma më të nevojshme, ngritjen e sistemit të mburojës raketore dhe të projekteve të tjera mbrojtëse, që NATO ka dhe planifikon për sigurinë e vendeve anëtare të saj.
(24-ore.com)

No comments:

Post a Comment