“Aleanca Kuq e Zi” shtrin aktivitetin në Shkup

“Aleanca Kuq e Zi” nga Shqipëria u promovua në Shkup.
Ajo u mbështet nga shumë personalitete. Gjatë tribunës që u mbajt në Qendrën Teatrore për Fëmijë u tha se “Aleanca Kuq e Zi” ka për qëllim të kundërshtojë regjistrimin etnik dhe fetar të popullsisë së Shqipërisë.
“Një nga proceset të cilat ne kemi debatuar ka qenë procesi i regjistrimit të popullsisë. Procesi i regjistrimit të popullsisë i gjeti të papërgatitur shqiptarët në Shqipëri, shqiptarët në Mal të Zi, shqiptarët në Kosovë dhe kjo do të jetë një çështje e diskutueshme edhe në Maqedoni. Shqiptarët në Shqipëri rrezikojnë pjesërisht asimilimin e tyre, në jugun e Shqipërisë. Shqiptarët e Kosovës pjesërisht humbasin vlerat e identitetit të tyre dhe në mënyrë aritmetike të rrezikojnë balancat të cilat padrejtësisht dhe në mënyrë artificiale mundë të kërcënohen nga një regjistrim popullsie mbi baza etnike dhe fetare krejtësisht të padrejta”, Kreshnik Spahiu, kryetar i nismës “Aleanca Kuq e Zi”.
Akademiku Ali Aliu u shpreh se nisma e “Aleancës Kuq e Zi” është një alternativë që ngjallë shpresë, që ngjall shpresë se diçka duhet të lëvizë, duhet të ndodhë edhe tek ne. “Aleanca shpresoj se mundë të jetë një faqe e re, mundë të jetë një rrugë e re, një alarm i ri që duhet ta dëgjojnë të gjithë, ta kenë parasysh në mos ta përkrahin haptazi të gjithë të tjerët në këtë hapësire”, tha Ali Aliu, akademik.
Para se të vinte në Shkup, “Aleanca Kuq e Zi” ka mbajtur takime dhe tribuna në të gjitha qytete e Shqipërisë, ku mijëra qytetarë kanë shprehur vullnetin e tyre nëpërmjet nënshkrimit të peticionit kundër procesit të regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike dhe fetare. Ndërkohë shumë qytetarë të tjerë janë bërë pjesë e “Aleancës Kuq e Zi” duke u anëtarësuar pranë saj për të vijuar nismën e ndërmarrë kundër ligjit në fjalë.
“Aleanca Kuq e Zi” aktivitetet e saj i ka shtrirë në të gjitha trevat shqiptare. Gjithashtu program i tyre është prezantuar edhe para shqiptarëve në diasporë si në Romë, Londër e Nju Jork. Me 10 qershor kjo Aleancë mbajti një takim madhështorë në Prizren ku edhe shpalosi programin e saj, i cili ka elemente mbarëkombëtarë. Me ardhjen në Shkup kjo Aleancë aktivitetin e saj do e shtrijë edhe në trevat e këtushme shqiptare.

(lajmpress.com)





No comments:

Post a Comment