Ahmeti: Marrëveshja e Ohrit ishte një kompromis

Në hapësirat e Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë filloi konferenca ndërkombëtare “Marrëveshja Kornizë e Ohrit drejt anëtarësimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe në NATO”.
Kjo konferencë ndërkombëtare u organizua nga Universiteti i Kolumbisë-Programi për ndërtimin e paqes dhe të drejtave të njeriut, Fakulteti Juridik dhe Fakulteti Filozofik i Universitetit “Shën Cirili dhe Metodi”, Universiteti i Evropës Juglindore dhe Universiteti Shtetëror i Tetovës. Sipas ambasadorit amerikan Filip Riker në vitin 2001 Maqedonia, ishte një shtet ku mbizotëronte lufta civile.
Tani dhjetë vjet më vonë, duke falënderuar Marrëveshjes së Ohrit, Maqedonia e konsideron veten si një shtet stabil, multikulturor, multireligjioz, dhe shumëetnik. Ne si bashkësi ndërkombëtare dhe shtetet e Evropës, kemi interes që Maqedonia të arrijë sukses në atë që është e paraparë në Marrëveshjen e Ohrit, si një shtet ballkanik, ku mbizotëron paqe dhe siguria.
“Marrëveshja e Ohrit ka qenë një kompromis, sigurisht se ka palë të pakënaqura por mendoj se Marrëveshja e Ohrit ndërpreu një tragjedi si ajo e Bosnjës, në Kosovë. Mendoj se SHBA-të, BE, dhe shtetet tjera e kuptuan në kohë situatën dhe rrezikun se çka mund të ndodh në Maqedoni.
Kam qenë shumë transparent, shumë i hapur dhe nuk dija të bëj teatër, balet, as nuk vija nga ndonjë grup folklorik, por vija nga një veprimtari 20 vjeçare në mërgim dhe ne kishim informacione se si rrjedh situata këtu në Maqedoni, duke filluar nga ndryshimi i kushtetutës në 1974” deklaroi përfaqësuesi politik i UÇK, tani lider i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, i cili njëherit faleminderoi komunitetin ndërkombëtar që e kuptoi seriozitetin e madh që i kanosej Republikës së Maqedonisë, që ky konflikt të kthehej në një gjenocid. Ahmeti vërejti më tej se si ka përparuar marrëveshja e Ohrit, ashtu po përparojnë edhe liderët.
Partia Demokratike Shqiptare e cila kohë më parë e quajti këtë marrëveshje si të vdekur nuk pati përfaqësuesit e saj në këtë konferencë. Marrëveshja e Ohrit u nënshkrua nën patronazhin e kryetarit të ndjerë të Republikës së Maqedonisë Boris Trajkovski në Shkup më 13 Gusht të vitit 2001 ndërsa si afat për implementimin e saj ishte viti 2004.
Zëvendëskryeministri, Abdilaqim Ademi, në fjalimin e tij përpara mysafirëve të shumtë tha se Marrëveshja e Ohrit është shtylla e cila Maqedonisë ia hapi dyert për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe NATO duke larguar vendin nga një luftë e cila mund të kishte pasoja të paparashikueshme.

(rtv21.tv)

No comments:

Post a Comment