Administrata Obama mbron ndërhyrjen në Libi

Administrata e presidentit amerikan, Barack Obama, vazhdon t’i dalë në mbrojtje ligjshmërisë së angazhimit ushtarak amerikan në Libi, ndërkohë që skadoi afati prej 90 ditësh për të marrë miratimin e Kongresit për operacionet.

Të dielën u mbushën 90 ditë që kur presidenti Obama njoftoi Kongresin për përdorimin e forcës ushtarake amerikane mbi qiejt e Libisë.

Ndërkohë NATO po vazhdon operacionet për të mbrojtur civilët, me shpresën se Muammar Gaddafi do të detyrohet të largohet nga pushteti.

Sipas një ligji të vitit 1973, presidentët amerikanë kanë 60 ditë për të marrë autorizim nga Kongresi për angazhime madhore ushtarake jashtë vendit dhe 30 ditë shtesë për t’u tërhequr, nëse nuk jepet autorizimi dhe nuk miratohet një zgjatje e afatit maksimal.

Kongresi as nuk ka miratuar veprimet në Libi, as nuk i ka dhënë presidentit Obama kohë shtesë për të përmbushur kushtet e ligjit.

Sekretari i amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates, tha se beson se Obama ka përmbushur kushtet e ligjit në një mënyrë të ngjashme me atë të të gjithë pararendësve të tij.

“Nuk mendoj se ai po bën diçka të re”, tha Gates.


(gazetaexpress.com)

No comments:

Post a Comment