50 vjet albanologji në Munih

Shënohen plot 50 vjet nga themelimi i degës së Albanologjisë në Universitetin Ludwig-Maximilian në Munih. Një konferencë shkencore që organizohet për të katërtin vit radhazi, ka përkuar edhe me festimin e këtij përvjetori. Dega e Albanologjisë në Munih është e vetmja degë universitare jashtë hapësirës kompakte shqipfolëse në perëndim të Ballkanit që diplomon dhe promovon albanologë të rinj në fushat që ngërthejnë përbërësit kryesore të kulturës etnike-gjuhësore shqiptare: gjuhësi e sotme dhe historike, dialektologji, aspekte të kulturës materiale dhe shpirtërore të bashkësisë shqiptare në kohë dhe hapësirë, letërsi dhe jetës zakonore, histori, përvetësim i shqipes si gjuhë e folur dhe e shkruar. Albanologjia në Munih karakterizohet nga një bashkëpunim intensiv me qendrat simotra të kërkimit shkencor albanologjik në universitete të tjera të Evropës dhe SHBA-ve, bashkëpunim që sendërtohet nëpërmjet Rrjetit Ndërkombëtar të Albanologjisë (INA) si edhe përmes programeve afatgjata të shkëmbimit ndërkombëtar mes studentëve dhe docentëve në qendrat e ndryshme universitare të Evropës. Rezultat i këtij bashkëpunimi intensiv është edhe tubimi shkencor “50 vjet albanologji në Universitetin Ludwig-Maximilian” që po mbahet në Gut Schönwag të Bavarisë nga 23 deri më 26 qershor dhe ku marrin pjesë 30 studiues dhe të interesuar të fushës nga 12 vende të ndryshme të Evropës dhe të SHBA-ve. Në sesione të veçanta shkencore diskutohen aspekte të ndryshme të fushave që mbulon vetë dega në programin e vet universitar. Ky aktivitet synon gjithashtu të fokusojë në qendër të debatit shkencor-intelektual edhe perspektivat e kërkimit shkencor albanologjik në Evropën Perëndimore në kohën tonë e në të ardhmen, kur kërkohet një angazhim më i madh i politikës kulturore-shkencore në vendet që mbulojnë hapësirën kulturore shqiptare në Ballkan. Gjatë prezantimit të aktivitetit shkencor-universitar të degës në këta 50 vjet, drejtuesi i degës prof. dr. Bardhyl Demiraj do të parashtrojë prirjen për një riorientim strategjik në organizimin e formimit shkencor-universitar albanologjik në Perëndim si edhe të nxjerrë në pah nevojën e mbështetjes institucionale që ende pritet prej kohësh të vijë prej institucioneve qeveritare në vendet e rajonit ballkanik. Shpresë në këtë drejtim ishte prania në ditën e hapjes solemne të tubimit e përfaqësuesve të trupit diplomatik të tri vendeve ballkanike, si ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Gjermani: Valter Ibrahimi, ambasadori i Republikës së Kosovës në Gjermani, Vilson Mirdita, zv/ministri i jashtëm i Kosovës Ibrahim Gashi si edhe vetë Dr. Friedrich Zeller, prefekti i rrethit Weilheim-Wessobrunn, ku do të mbahet edhe konferenca.

(gazetaexpress.com)




No comments:

Post a Comment