Taksa e makinave, çon në buxhet 15 milionë euro për një muaj

Paketa e re fiskale që u miratua në muajin korrik të këtij viti, në themel të së cilës ishin rritja e akcizës për karburantet, ka sjellë efekte të menjëhershme pozitive në buxhetin e shtetit. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave flasin për të paktën për 15 milionë euro më shumë në të ardhurat doganore vetëm për muajin gusht.

Gazeta “Mapo” zbardh efektet e paketës fiskale në të ardhurat buxhetore, të cilat deri në fund të vitit pritet të kalojnë të 70 milionë eurot. Ministria e Financave nëpërmjet një raporti të posaçëm sqaron se është rritur mbi baza vjetore vlera e importeve për periudhën janar-gusht, në masën 14.3 për qind, e ndikuar kryesisht nga zëri “karburante”. Po pse ka ndodhur kjo rritje? Sipas të dhënave të nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, muaji gusht u karakterizua nga një rritje e pazakontë e arkëtimeve nga importi i karburanteve. Shifrat e marra nga të dhënat e DPD tregojnë për muajin gusht një vlerë importi për benzinën 1.4 miliardë lekë ose 55.5 % më shumë se gushti i vitit 2010 dhe 5.9 miliardë lekë vlerë importi për naftën ose 85% më shumë se gushti i vitit 2010. Sipas analizës që i ka bërë Ministria e Financave këtyre shifrave, kjo ecuri është rezultat i reagimit të subjekteve importuese të karburanteve ndaj ndryshimeve të fundit ligjore që prekën disa nga taksat nacionale, konkretisht vendosja e taksës së qarkullimit mbi benzinën dhe gazoilin që rriti barrën fiskale mbi importin dhe prodhimin e këtyre artikujve. Me këto ndryshime u bë ristrukturimi i taksimit të mjeteve të përdorura, duke u hequr taksa e makinave të përdorura (në import dhe në shitje brenda vendit), taksa vjetore e qarkullimit, taksa e regjistrimit të përvitshëm të mjeteve. Aplikimi i taksës së re të qarkullimit u bë një taksë fikse, për litër mbi gazoilin dhe benzinën, të importuara apo të prodhuara në vend, në masën 5 lekë për litër. Taksa e qarkullimit mbi benzinën dhe gazoilin do të jetë në masën 5 lekë litri deri më 31.12.2011; pas kësaj date, taksa e qarkullimit mbi benzinën dhe gazoilin do të jetë në masën 7 lekë litri. Kjo taksë zbatohet si për benzinën dhe gazoilin e importuar, ashtu edhe për ato të prodhuara në vend. Ndërsa taksa e Karbonit aplikohet në masën 1,5 lekë/litri për benzinën dhe gazoilin në masën 3 lek/litri, aplikohet edhe mbi dy kategori të reja nënproduktesh nafte, mbi vajgurin dhe lëndë djegëse (solarin dhe mazutin). Këto taksa janë transferuar tërësisht te konsumatorët, për shkak se kompanitë e karburanteve menjëherë pas hyrjes në fuqi të taksës kanë rritur në mënyrë të unifikuar çmimet nga 5-10 lekë si për benzinën ashtu edhe për naftën.

Periudha Benzinë Naftë

Gusht 2010 906 milion lekë 2,9 miliardë lekë

Gusht 2011 1 miliard lekë 4,6 miliardë lekë

No comments:

Post a Comment