Kledi Kadiu: Kërcej për homoseksualët nëse s’dinë gjë shqiptarët

Një histori e pakëndshme ka ndodhur në Itali mes balerinit shqiptar Kledi Kadiu dhe një kompanie që kishte komunikuar me të për ta pasur si imazh në lançimin e një “club”-i gej në Abruzo.

Balerini shqiptar ishte ftuar të merrte pjesë në natën e hapjes së sezonit të “4 DOR”, që është praktikisht një ambient shumë i frekuentuar për jetën e natës, më së shumti nga komuniteti LGBT në rajonin Pescara.



Hapja e sezonit dimëror në këtë lokal do të zhvillohej në datën 19 nëntor dhe organizatorët, pasi kishin vendosur kontaktet e nevojshme me menaxherin e balerinit, publikuan edhe një poster që njoftonte praninë në atë ambient të simbol-seksit shqiptar.

Por gjithçka duket se shkoi shumë keq, qoftë për Kadiun, qoftë për menaxherët e “4 DOR”! Pasi panë në rrjetet e shumta sociale në internet posterin që njoftonte praninë e Kadiut në një lokal nate që fton sidomos komunitetin gej, shumë djem edhe vajza të këtij komuniteti nisën t’i shkruanin atij dhe ta përgëzonin për faktin që me pjesëmarrjen e tij në atë ambient po inkurajonte lëvizjen për të drejtat LGBT në Itali. Diçka e rrallë kjo për një shqiptar të njohur në botën e shoë-biz apo jo?

Mirëpo balerini, siç duket, kishte pranuar të ishte i pranishëm pa u informuar mirë më parë se për çfarë lloj audience bëhej fjalë.

Mes personave që i shkruan Kledit për ta inkurajuar për praninë e tij në lokalin në fjalë, ishte dhe një aktivist shqiptar për të drejtat e njeriut (i cili kërkon të mos identifikohet). Por, për çudinë e këtij aktivisti dhe bashkëkombasi shqiptar, përgjigjja e papritur e Kledit ishte: “Unë nuk e di se për çfarë bëhet fjalë! Nuk do të jem i pranishëm atje…”.

Më konkretisht, përgjigja e Kadiut ishte: “Të falenderoj për komplimentet, por unë nuk di gjë fare për këtë njoftim dhe nuk kam në mend të performoj asnjë sezon në lidhje me këtë klub që nuk kam asnjë lloj dijenie”… I njëjti aktivist kontaktoi më pas me kompaninë që organizon këtë event, e cila u gjend krejtësisht e papërgatitur për këtë situatë. Kledi do të vinte në lokal, do të performonte, do të jepte autografe e pastaj do të bënte fotografi me klientët”, tha Lidia Nasuti, një zëdhënëse dhe bashkorganizatore e këtij eventi.

Për të paktën tre ditë rresht menaxheri i balerinit mësohet se komunikoi me organizatorët e eventit në Pescara, derisa pjesëmarrja e balerinit shqiptar në hapjen e sezonit dimëror të lokalit më të madh edhe për homoseksualët në Pescara të Italisë, u anulua.

Që të dyja zyrat e shtypit tentuan të sqaronin situatën e të kërkonin ndjesë. Zëdhënësi i Kledi Kadiut u justifikua me faktin se në datën 19 nëntor, siç parashikohet promovimi i sezonit të ri, balerini shqiptar është i angazhuar në të tjera evente. Këtë justifikim Kledi Kadiu ia nis përmes zëdhënësit të vet agjencisë që organizon eventin në fjalë. “Kledi do të jetë i pranishëm në një event tjetër”.

Vetë kompania që menaxhon marrëdhënien me publikun të lokalit tashmë të famshëm në Pescara, në një njoftim për klientët nënvizon justifikimin zyrtar të Kadiut për mospjesëmarrjen e tij duke e shoqëruar me komentin se “ne nuk besojmë se angazhimi i Kadiut në një event tjetër është motivi i vërtetë pse ai nuk do të jetë në lokalin tonë në datën 19 nëntor…”.

Në të kundërtën, argumentojnë organizatorët e eventit gej në Pescara, Kledi nuk do të na kishte konfirmuar më parë pjesëmarrjen e tij, duke lënë të kuptojë se, sipas tyre, arsyeja e mospjesëmarrjes së balerinit ka të bëjë me faktin se balerini shqiptar u tremb që e gjithë kjo histori u mor vesh në Shqipëri, qoftë nga komuniteti LGBT, e sidomos nga media…

Në fund të fundit, është dukshëm egoist veprimi i balerinit, veprim që shkoqur dhe shqip mund të përkthehet kështu: Unë jam dakord, por mos u thuaj gjë shqiptarëve…!
/shekulli.com.al/

No comments:

Post a Comment