Rama takon Papandreun në Bruksel: ‘Duhet transparencë’. PES: ‘Fajin për krizën e ka e djathta’

E majta evropiane (PES), e cila përfaqëson opozitën në shumicën e vendeve anëtare të Bashkimit Europian, analizoi në ditën e parë të punimeve të Kongresit pasojat e krizës ekonomike e financiare duke konsideruar përgjegjëse qeveritë e djathta dhe të zgjedhurit e tyre në drejtimin e institucioneve europiane.

Kancelarja gjermane Merkel dhe presidenti francez Sarkozy u konsideruan përgjegjësit kryesorë për situatën në Greqi, cfarë rrezikoi më pas dhe vende të tjera të eurozonës, sic u shpreh gjatë fjalës së lamtumirës kryetari i deritanishëm i Partisë Socialiste Europiane, Poul Rassmussen.

Ish-kryeministri grek, Papandreu, i pranishëm në konventën eurosocialiste, argumentoi pas takimit me kryetarin e PS Rama, se shembulli grek flet për rëndësinë e qeverisjes me transparencë.

“Cështja e transparencës është kyce. Në Greqi ne nuk patëm transparencë për buxhetin, e as për sektorin publik. Kjo shkaktoi një problem të madh me deficitin, gjë të cilën ne mund t’a kishim ndaluar, nëse do të kishim patur transparencë”, deklaroi Papandreu.

“U krijua gjithashtu shumë pabarazi, e mungesa e transparencës mund të sjellë dhe korrupsionin. Korrupsioni dëmton në fund të fundit shtresën e mesme, ata të cilët kanë më shumë fuqi, e që mund të sjellin më shumë para, barazi dhe drejtësi për shoqërinë. Ndaj, transparenca është një cështje për qeverisjen e mirë, demokracinë dhe një cështje e kohezionit social. Për këtë arsye, qeveria jonë në Greqi sot mban si “flamur” transparencën. Gjithcka bëhet online, cdo cështje, buxheti është online, e kjo përbën një bazë të mirë për të krijuar një Greqi të sigurtë”, vijoi ai.

“Është shumë e rëndësishme sot që shqiptarët dhe klasa politike në vend të jenë të gjithë bashkë për të bërë transparencën e të gjitha të dhënave të realitetit ekonomik, përndryshe shume shpejt do të gjendemi përpara një stuhie që do të ishte e tmerrshme për Shqipërinë dhe shqiptarët. Në këtë aspekt, eksperienca e qeverisë së djathtë të mëparshme greke, e cila fshehu të gjitha të dhënat, është një përvojë që duhet të na mësojë shumë”, theksoi pas tij kryetari i PS, Edi Rama.

Përvec delegacionit të Partisë Socialiste, në këtë kongres ishte i pranishëm dhe ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto, i cili përfaqësonte Lëvizjen Socialiste për Integrim, por palët nuk përshëndetën njëra-tjetrën.

Rreziku i një recesioni tjetër në Ballkan është shumë i madh, pasi vendet e tij janë tejet të ekspozuara ndaj krizës në Eurozonë./TCH

No comments:

Post a Comment