Sot 99 vjetori i ngritjes së flamurit në Tiranë

Flamuri i Pavarësisë u ngrit për herë të parë në Tiranë, mbas 500 vjet sundimi otoman, në datën 26 nëntor 1912. Flamuri u ngrit në sheshin përpara Bibliotekës Kombëtare nga patriotët tiranas Abdi Toptani, Muhamer Pazari, Ibrahim Agalliu, Shefqet Ndroqi.

Tirana u shpall kryeqytet në vitin 1920 me vendim të Kongresit të Lushnjës, ndërsa ishte themeluar për të qenë një qendër modeste shkëmbimesh për një popull bujk, që vuante mungesën e një tregu të afërt.

Bërthama e parë historike e qytetit lindi dhe hodhi shtat së bashku me xhaminë e vjetër te Sulejman Pashës në qendër të strukturës së sotme të Tiranës, pikërisht në kryqëzimin e arterieve kryesore të tranzitit tregtar ndërkrahinor.

Bashkë me xhaminë në fjalë u ndërtuan edhe banesa të tjera, midis tyre edhe ato të feudalëve dhe të të afërmve të tyre, në bregun e djathtë të përroit të Lanës. Me tej, në distancë 50-60 metra në perëndim të xhamisë, u ndërtuan një furrë, një banjë publike dhe një han, tre objekte shërbimesh që ndikuan në zgjerimin e pazarit.

Këto ndërtesa, së bashku me banesat, ahuret, oborret, puset, gjelbërimet, rrugicat, sheshet dhe varrezat, të gjitha të përqendruara rreth ndërtesës së xhamisë, formonin një njësi sociologjike, pronësie, gjinie dhe lidhje familjare jo vetëm në krijimin e saj, por edhe shumë kohë më pas.
Bërthama e dytë urbanistike u krijua në fillim të shek. XVIII rreth xhamisë së Firës, e zhvendosur rreth 600 m në veriperëndim te bërthamës së parë, pikërisht aty ku takohen sot rruga e Barrikadave dhe rruga ‘Fortuzi’. Kjo ndërtesë e amortizuar u rindërtua mbi themelet e saj në vitet 1859, duke u quajtur kësaj radhe xhamia e Beshirit sipas emrit të tregtarit që e ndërtoi.

Ndërtimi i xhamisë së Zajmit në 1775 shënon fillimin e ndërtimit të bërthames së tretë, e cila ndodhet në verilindje të bërthamës së parë, në takimin e rrugës së Dibrës me rrugën ‘Thanas Ziko”.

Bërthama e katërt nis me kohën e themelimit të xhamisë së Haxhi Et’hemit, e cila u vendos rreth 200 m në perëndim të xhamisë se vjetër, duke u rrethuar me banesa, kopshte, varre, etj.

Në këtë logjike, në pika te ndryshme, gjithnjë në një distancë të afërt me bërthamën e parë, formohen me kohë edhe bërthama të tjera, me qendër një xhami si ajo e Stërmasit, ndërtuar me 1840, e Kokonozit dhe e Berxollit në shek. XIX, e Karapicit në 1858, e Mujos, e Reçit, etj., duke lëvizur në mënyre centrifugale nga qendra në periferi e përsëri në qendër me anë të ishujve të pavarur, vendosur larg nga njëri – tjetri, e që më pas, pa asnjë lloj organizimi dhe disipline, vijnë dhe zmadhohen gradualisht derisa takohen me njëri tjetrin, duke krijuar një sfond urbanistik me thurje të çrregullt dhe me dendësi të pakët, që kushtëzohet nga ekzistenca e pronës private mbi tokën.

Ndërtimi i xhamisë se Sulejman Pashës (1614), së bashku me banjat publike (hamam), hanin (hotel) dhe furrën e bukës, simbolizon nga pikëpamja historiko – arkitektonike lindjen e qytetit te Tiranës.

Sot nuk ekziston asnjë prej tyre, pasi xhamia e vjetër u prish gjatë bombardimeve të Luftës së Dytë Botërore, kurse objektet e tjera gjatë rregullimeve te pasluftës. Në ketë kompleks objektesh bënte pjesë edhe Tyrbja e Sulejman Pashes (që ekziston sot) ndërtuar nga i biri, Kapllan Pasha, si një varr monumental përkujtimor për të atin.

Në shek. XVIII, u themelua në perëndim te Tiranës Panairi i Tregtisë së Shën Lleshit, i cili u bë një pike takimi dhe pol tërheqës interesash blegtorale dhe tregtare, duke shërbyer si mjet ndërlidhës i qytetit me fshatin dhe me qytete te tjera si me Shkodrën, Beratin, Elbasanin si edhe me krahinat më të largëta si Dibra dhe Kosova. Me 1871 ky panair filloi serish te rimëkëmbej, duke u zhvilluar pothuajse një here ne vit.

Viti 1920 e gjen Tiranën një qytet me sipërfaqe 305 ha, ku zona e banimit zë 98,2% të sipërfaqes se qytetit, popullsia numëron 15000 banorë dhe dendësia e popullsisë është afërsisht 50 banore për ha. Qyteti zhvillohet rreth celulës se pazarit dhe zona e banimit shtrihet kryesisht ne veri dhe lindje te qytetit.

Në vitin 1923 hartohet plani i parë rregullues i qytetit, nga arkitekte dhe inxhiniere austriake. Plani rregullues i vitit 1923 kërkon të arrijë një zgjidhje kompromisi midis ndërtimit të një rrjeti rrugor te rregullt drejtkëndor dhe rregullimit dhe përshtatjes se atij ekzistues.

Pas një periudhe politike te rrëmujshme dhe me ardhjen n pushtet të qeverisë së udhëhequr nga Ahmet Zogu, autoritetet e asaj kohe e orientuan politikën e vendit nga Italia. Në mungesë të mjeteve financiare, qeveria kërkoi një ndihme ekonomike nga Italia për rilevimin gjeodezik të qyteteve shqiptare si dhe për hartimin e planeve te tyre rregulluese.

Kjo kohë shënon fillimin e periudhës së dytë të rëndësishme te transformimit te strukturës urbane dhe arkitektonike te Tiranës. Përpjekja e parë nga autoritetet e kohës, qe ftesa që iu bë profesionisteve me emër të asaj periudhe si arkitekti italian Brazini në vitin 1925.

Plani rregullues i vitit 1935, i ashtëquajturi plani Italian, hedh themelet e para të planifikimit urban në qytetin e Tiranës.

Themeli i këtij plani është ndërtimi i një institucionaliteti për qytetin e Tiranës përmes ngritjes së një kompleksi administrativ (duke qenë se Tirana ishte kryeqytet) e hapjes së një bulevardi që ende sot është zemra e kryeqytetit, si dhe ndërtimit të zonave të reja të banimit. Bie në sy tendenca e kuartallizimit të qytetit në zona banimi me një rrjet rrugor kuadradik.

Gjatë viteve 1945-1989 ka patur dhe disa plane të tjera urbanistike që kanë sjellë disa ndërhyrje në Tiranë siç ka qenë sistemimi i lumit të Lanës, apo ndërtimi dhe ristrukturimi i sheshit kryesor të qytetit, aktualisht sheshi Skenderbej.

Disa nga këto ndërhyrje kanë qenë domethënëse sikundër disa prej tyre kanë shënuar humbjen përgjithmonë të disa vlerave monumentale të qytetit të Tiranës siç ishin Pazari i Vjetër, apo godina e Bashkisë së Tiranës për t’u zëvëndësuar me objekte si Pallati i Kulturës apo Muzeu Kombëtar.
Por plani i viti 1989 i shtroi vetes detyrën për të planifikuar për një popullsi që nuk do t’i kalonte 350.000 banorët (megjithëse nuk disponohet relacioni i plotë i planit). Sidoqoftë plani 1989 nuk mund të parashikonte ndryshimet thelbësore që pasuan në vitin 1990. Për rrjedhojë e vetmja ‘vlerë’ e këtij plani mbeti gjurma e rrjetit rrugor të propozuar, ndërsa funksionaliteti i zonave pothuaj nuk u mor parasysh në vitet në vijim. Për më tepër shtrirja e qytetit as nuk përputhet dot me asnjë nga përcaktimet e planit. Sidoqoftë Plani Rregullues 1989 hedh disa ide për unazën e Tiranës, për një unazë të madhe si dhe për një lidhje të aksit të veriut.

Rajoni i Tiranës është rritur në këto vite nga një rajon me një popullsi rreth 350 mijë në vitin 1990 banorë në rreth 800 mijë banorë në vitin 2010. Vetë qyteti i Tiranës ka përjetuar gati një trefishim të popullatës nga 275.000 banorë në vitin 1990 në mbi 650.000 banorë në vitin 2010.
/ATSH/

No comments:

Post a Comment