Juventus perfekt, merr kreun e Seria A

Juventusi shkërmoq Palermon në “versionin transfertë”, të dobët dhe të pasigurt, dhe rikap kreun e renditjes. Sfida me palermitanët përfundon me rezultatin 3-0 në “Juventus Stadium”, me gol të Pepes në pjesën e parë dhe pastaj të Matrit e Markizios.

Pavarësisht 22 ditëve pushim, ekipi bardhezi ka qenë në formën e tij më të mirë, duke bërë një ndeshje të realizuar, me një strukturë të konsoliduar dhe një dëshirë të madhe për sukses. Duket se me paraqitjet e bëra, “zonja e vjetër” është një nga skuadrat pretendente për titull, ndërsa nuk e ka njohur humbjen që nga nisja e sezonit. Ndërkohë që sfidat e ardhshme në transfertë ndaj Lacios dhe Napolit, do të japin përgjigjet që mungojnë. Tekniku Antonio Konte vazhdon me formacionin e zakonshëm, me Kielinin të konsoliduar si mbrojtës i majtë, ndërsa Matri si sulmues qendre, me Vuçiniçin në të majtë, e Pepen në të djathtë të tij. Ndërsa Palermo pa Pinilan dhe Hernandezin, alternon si mesfushori i avancuar Mikolin, tepër i fishkëllyer nga tifozët juventinë dhe Iliçiçin që tregon se nuk e bën dot rolin e qendërsulmuesit, edhe pse ai është një fantazist i lindur. Sfida nis me shumë aksione dhe me shumë raste për gol. Është Juventusi që bën ashtu siç duhet ndeshjen. Lihtshteiner është i papërmbajtshëm në krahun e djathtë, ndërsa Kielini tregohet më bujar seç duhet me kundërshtarët në të majtë. Pirlo dhe Markizio garantojnë cilësi në mesfushë. E kjo mjafton për të vënë miqtë në vështirësi, edhe pse Vuçiniç dhe Matri nuk janë në ditën e tyre më të mirë. Kielini dhe Markizio humbin nga një rast, ndërsa Bufon hipnotizon Iliçicin dhe pastaj vjen goli i parë. Në të 20′, kros nga e majta e Kielinit drejt Pepes, i cili brenda zonës i vetëm, shënon me kokë. Juvja këmbëngul. Vuçiniç shpërdoron një asist të Lihtshteinerit, ndërsa Pirlo godet shtyllën. Por edhe Palermo reagon. Pasimet e duhura përfundojnë në këmbët e Iliçiçit, i cili nuk ka ftohtësinë e një qendërsulmuesi. Bufon dy herë i pret gjuajtjet, duke treguar formën e mirë që po kalon. Në përfundim të pjesës së parë, është një Juventus i mirë, që përveç ca problemeve në mbrojtje dhe ndonjë gabimi në kundërsulm, pjesën tjetër e bën siç duhet.
Tekniku i Palermos, Manxhia, lë në dhomat e zhveshjes Bertolo, e në vend të tij fut Zahavin në ofensiv. Por golin e gjen sërish Juvja. Tri minuta nga fillimi i pjesës së dytë, Lihtshteiner nis një top drejt Matrit, i cili mposht portierin Tzorvas, me një të djathtë precize në diagonale. Gara tashmë është e mbyllur për vendësit. Matri është golashënuesi më i mirë i ekipit, me 5 të realizuar nga nisja e sezonit. Ndërsa 17 minuta më vonë, është radha e Markizios, që merr një pasim nga Vuçiniç, dhe shënon. Për tifozët juventinë nis festa. “Zonja e vjetër” shijon kryesimin.

Udinezja rrëzohet
Dje ka ardhur edhe humbja e parë në kampionat për Udinezen. Friulanët, që ishin të vetmit së bashku me Juventusin që nuk kishin njohur disfatë sivjet, janë gjunjëzuar në Parma, ku vendësit fituan me rezultatin 2-0. Pasditen e djeshme është parë Udinezja më e shëmtuar e kësaj pjese sezoni, e nga ky fakt kanë përfituar emiljanët që ngjisin shkallët e renditjes, por në të njëjtën kohë, detyrojnë bardhezinjtë të lëshojnë kreun. Për Parmën ata që shënuan golat ishin Biabiani dhe Xhovinko me penallti, që të dy në pjesën e dytë të takimit.

Tension në Bolonja
Ka pasur disa momente tensioni në tribunën e nderit të stadiumit “Dal’Ara” të Bolonjës, në përfundim të takimit me Çezenën. Presidenti i miqve, Igor Kampedeli, po zbriste shkallët së bashku me bashkëshorten dhe fëmijën e tyre 3-vjeçar, kur ka marrë një të shtyrë dhe djali i ka rënë nga duart. Këtë gjë “bosi” i Çezenës nuk e ka pranuar aspak, sepse e ka quajtur si të qëllimshme dhe për rrjedhojë ka tentuar ta godasë me grushte fajtorin, por forcat e rendit kanë ndalur një sherr që mund të kishte pasoja. Gjithsesi, fakti që skuadra e tij fitoi bëri që sherrit të mos i jepej shumë rëndësi.

Gabime ndaj Milanit, Behrami bën ironikun
Milanit në Firence i janë mohuar dy penallti, ndërsa goli i Sedorfit nuk duhej anuluar. Kjo ka qenë analiza e pamjeve filmike të studiuara imtësisht pas përfundimit të ndeshjes. Të shumta kanë qenë gabimet e arbitrit Maxoleni në dëm të kuqezinjve. Në fillim gabon asistenti Di Fiore, i cili anulon një gol të rregullt të Sedorfit. Sipas imazheve filmike, mesfushori holandez ishte në pozicion të rregullt në momentin e pasimit të Ibrës, ndaj goli s’duhej anuluar. Pak minuta më parë, Behrami kishte kapur topin me dorë në zonë. Edhe në këtë rast arbitri Maxolini gabon duke e gjykuar si të pavullnetshme prekjen e kosovaro-zviceranit. Gjatë minutave të kohës shtesë, “bilbili” i ndeshjes shton gabimet e tij, pasi nuk shikon një tërheqje në zonë të Nastasiç në dëm të Patos dhe në këtë rast arbitri duhej ta kishte gjykuar me 11-metërsh. Sakaq, mesfushori i Fiorentinës, Valon Behrami, e pranon se e ka prekur topin me dorë. Prekja e zviceranit ka qenë aq e dukshme, sa edhe ai vetë ka falënderuar arbitrin që nuk e pa: “Unë doja të kapesha pas Ibrës, por pa dashje kapa topin me dorë. Mirëpo, për fatin tim, arbitri nuk e pa. Kështu që arrita t’ia hedh paq”.

Serie A
Të shtunën
Inter-Kaljari 2-1
Fiorentina-Milan 0-0
Napoli-Lacio 0-0
Dje
Bolonja-Çezena 0-1
Xhenoa-Novara 1-0
Juventus-Palermo 3-0
Parma-Udineze 2-0
Siena-Atalanta 2-2
Katania-Kievo 1-2
Roma-Leçe 2-1
(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment