Cilit grup i takoni?

Njerëzit ndahen në dy grupe të mëdha – në ata që i duan më së shumti perimet dhe ata që i duan më së shumti pemët, ka treguar hulumtimi i madh nutricionist amerikan.

Secila kategori ka qasje të ndryshme ndaj ushqimit, por edhe karakteristika të caktuara të personalitetit. Besojmë që shumica është diku në mes, por nëse jeni një nga grupet ekskluzive, shikoni se çka mund të bëni për t’iu afruar taborit tjetër.

Bizelja, rrepa, brokoli

Adhuruesit e perimeve preferojnë shijet e hidhura dhe gjithmonë janë të gatshëm për të provuar diçka të re. Ata janë kureshtar në kulinari dhe me qejf shkojnë në restorante për ushqim ekzotik. Nëse në fund të ushqimit ëmbëlsohen me desert, gjithmonë do ta kenë afër edhe një gotë me verë të shijshme të kuqe. Atyre thjesht nuk u përgjigjet që në gojë t’u mbetet ndjenja e ëmbëlsisë. Pëlqejnë të argëtohen në shoqëri dhe më lehtë e lëshojnë veten në aventura. Ata do të jenë ata që do të ftojnë miqtë për darkë dhe të gatuajnë për ta ushqime të pasura me kalori.

Dredhëzat, manaferrat, pjeshkat

Adhuruesit e pemëve preferojnë ushqimin e ëmbël. Dreka tek ata në mënyrë obligative përfundon me desert. Kryesisht nuk pëlqejnë të gatuajnë dhe sipas rregullit zgjedhin ushqimin që nuk kërkon shumë kohë për t’u përgatitur. Ata janë të ndjeshëm në shije dhe në mënyrë të pagabueshme zbulojnë çfarëdo shijeje të ithët. Që në fëmijëri fillojnë të refuzojnë perimet dhe nuk ndalen nga kjo shprehi. Më të lumtur janë kur munden të hanë diçka në shpejtësi dhe pas kësaj të vazhdojnë jetën e përditshme. Shmangin tubimet shoqërore të lidhura me ushqimin.

Adhuruesit e perimeve megjithatë udhëheqin

Të dy mënyrat e ushqimit janë të shëndetshme dhe të kënaqshme, theksojnë nutricionistët. Edhe pemët, edhe perimet përmbajnë një varg të mineraleve dhe vitaminave që e mbajnë trupin të shëndetshëm dhe të fortë. Në këtë listë të gjatë theksohen vitamina C, beta karoteni, kalciumi, magnezi dhe acidi folik. Megjithatë, adhuruesit e perimeve janë në përparësi, sepse ushqimi i tyre përmban komponime që parandalojnë krijimin e kancerit. Të parat në këtë fushë janë perimet nga familja e lakrës dhe brokolit.

Grejpi është pemë e shkëlqyeshme për fillim

Adhuruesit e perimeve duhet ta mbushin ushqimin me pemë, dhe më së miri është të fillojnë me shije të hidhur. Provoni të shtoni pak grejpfrut në sallatë. Në jogurt herë pas here shtoni dredhëza ose boronica, që kanë shumë pak sheqer. Vazhdoni të pini verë të kuqe pas desertit, sepse ai kombinim është shumë i shëndetshëm. Nëse ju kritikojnë që hani shumë pak pemë, përkujtojuani që domatja është në fakt – pemë.

Me vaj ulliri kundër ithtësisë e thartësisë

Adhuruesit e pemëve më lehtë do të përballin perimet nëse i hanë me yndyra që neutralizojnë ndjenjën e ithtësisë apo thartsisë dhe ndihmojnë që perimet të rrëshqasin nëpër fyt. Gjithmonë ta keni afër një shishe me vaj ulliri me të cilin do të neutralizoni të gjitha shijet e “tmerrshme” të ithëta. Kështu do të lehtësoni në mënyrën më të shëndetshme konsumimin e perimeve të ziera.

No comments:

Post a Comment