Në Shkodër gjendet pergamena që kalon shekujt

Materiali i rishkruar në arkivin e Muzeut të Shkodrës, akoma i pa sqaruar, mund të jetë më i vjetri në Shqipëri, i ruajtur ndër shekuj
Një nga thesaret e rëndësishëm nga shumë të tjerë që ka arkivi i Muzeut Historik të Shkodrës, është një pergamenë e rishkruar ose “polimpest”, e cila ka ardhur në kohë, duke mos iu ditur ekzaktësisht origjina, dhe për më tepër, duke mos u sqaruar edhe përmbajtja reale e një vjetërsie të tillë historike. Sot, në gjendjen që ka ardhur kjo pergamenë, ka dy gjëra të sigurta, të cilat nuk mund të kundërshtohen në sajë të vërtetësisë që të jep reperti historik i tillë. E para, është vjetërsia e saj në drejtim të lëkurës së përdorur, e cila tregon qartë se sa do që ta konsiderosh të rishkruar, modeli i shkrimit të parë dhe shkrimi bizantin, dhe më vonë në dyshimin e rishkrimit autentik, qartësojnë se nuk mund të jetë më vonë se shekulli i 14-të. Kjo është më se e qartë, sepse ndërkohë mbas këtij shekulli është në përdorim të kohës tjetër pergamenë. Pra letër, apo thurje e letrave me materiale më të evoluara në kohë. Tanimë pergamena është skanuar me rezolucion të lartë, ku vihet re mirë se shkrimi është një bizantinishte e hershme dhe shenjat tashmë janë të qarta, por edhe përdorimi i bojës së kuqe dhe blu në pergamenë. Në dyshim të madh është përcaktimi i lëkurës së pergamenës, e cila duhet bërë nga specialistë të laboratorëve të caktuar që nxjerrin me këtë rast edhe vjetërsinë ekzakte të copës dhe pastaj mbi këtë bazë përcaktohet edhe viti që është prodhuar. Një nga gjërat më interesante të pergamenës është se cili është dallimi në vite apo kohë midis shkrimit të parë dhe atij të rishkruarit, dhe po ashtu edhe të shenjave të veçanta që janë me ngjyra akoma të thekshme, edhe pse mund të kenë kaluar shekuj. Në krye, të katër fletët e pergamenës së Muzeut Historik të Shkodrës, kanë një shkrim latin, që në të vërtetë përbën edhe interesanten e rastit, sepse në brendësi shkrimi është thellësisht bizantin, ose greko-bizantin dhe shkronjat janë të tilla, kurse në pjesën prezantuese të sipërme teksti është krejt latin dhe diku shkruhet: “GABBTONFI” dhe po ashtu vazhdon edhe rreshti në siprinën e fletëve të pergamenës në fjalë. Dyshimi është se kjo pergamenë është kaluar në dorë të dikujt tjetër në shekuj më vonë dhe aty mund edhe t’i jetë shtuar shkrimi latin, ose rishkrimi është bërë në bizantinishte duke ruajtur psallmën ose ungjillin, kur në fakt latinishtja e qartë ishte futur në kohë dhe shkrimet e pikërisht asaj kohe. Tani për pergamenën e tillë, e cila nuk është një diçka e “shumtë” në muzetë dhe arkivat tanë, që në fakt ju mungojnë të tilla dorëshkrime të vjetra apo shumë të vjetra, që kanë vetëm shkrime në produktin e ri të letrës që është përdorur më vonë e pra kërkohet një rishikim shkencor i mirëfilltë jo vetëm për të ditur rëndësinë e shkrimit, por kryesisht për të gjetur vjetërsinë e sigurt në kohë. Ka një siguri që materiali, dhe e shkruara e parë, janë tepër të vjetra dhe shekulli i 13-të ose fillimi i shekullit të 14-të mund të jenë edhe momenti që kjo pergamenë është krijuar nga lëkura për t’u bërë një libër shkrimi, prej të cilit ka sot vetëm katër fletë në Muzeun e Shkodrës. Nga vrojtimi i saktë i zmadhuar i pergamenës, shikohet qartë se mbi shkrimin e parë janë hequr vija të cilat janë disi të thella në lëkurën e saj. Një karakteristikë tjetër me anën e së cilës mund të zbulohet edhe cila është natyra e shkrimit, është se shkronjat gjysmë greko-bizantine nuk mbështeten me bazë në vijë, por në kokat e tyre. Dyshimi nëse është përdorur në rastin e parë një latinishte të vjetër dhe pastaj në greko-bizantinisht apo edhe një bizantinishte e sllavizuar do të ishte edhe vërtetim tjetër i vjetërsisë së tejskajshme të pergamenës. Por këto janë vetëm supozime, dhe mënyrë e qartë për të pasur konsiderata mbi këtë pjesë të rëndësishme arkivore. Ky do të ishte pastaj një “scoop” në vete i problemit “pergamenë”.

Asnjë dorëshkrim nuk e ka shoqëruar pergamenën e famshme dhe enigmatike të Arkivit të Shkodrës, kështu që edhe origjina e ardhjes në arkiv është shumë e diskutueshme. Nuk ka pasur as paleograf dhe as njerëz të specializuar në përcaktimin e materialit dhe llojit të shkrimit dhe kjo e bën më akute vëmendjen për ta çuar në dorë të specialistëve të huaj dhe për të marrë përfundimisht vesh se çfarë përmban sot dhe çfarë ka qenë në kohë të hershme kjo pergamenë. Megjithatë, përcaktimi ekzakt është laboratorik, në sajë të metodave të përparuara dhe të shpejta të sotme, që, me sa duket, nuk janë akoma në kushtet e historianografisë në Shqipëri. Por ama, laboratorë të tillë të natyrës së kërkimit dhe përcaktimit historik janë, dhe për më tepër, janë tashmë rrugët e hapura për ta bërë këtë gjë. Një pergamenë e tillë, është jo vetëm repert interesant, por edhe një model vjetërsie në shkrim, jo vetëm për një arkiv, por edhe për kulturën në përgjithësi, për momentin e përcaktimit të historisë dhe të veçantat e saj te ne.









(www.mapo.al)

1 comment:

  1. Siç ndodh rendom tek ne, nuk dijme as se çfare kemi ne shtepine tone! Edhe pse B. Bekteshi e risinjalizoi,ndoshta askush nuk do te kujtohet ta dergoje per analiza, deshifrim dhe mirembajtje. Qe te kishte ose te kete personel te specializuar ne Muzeum nuk behet fjale!
    Siç ia kemi nisur, nuk eshte çudi qe ndonje dite te mbetemi fare pa histori e kulture, "rrasë në diell". Disa vende i deshirojne e ku t'i marrin te tilla objekte ne i kemi dhe... ne Shkoder eshte shkaterruar e gjith zona arkeologjike e qytetit poshte! Ja, pra si puna e kesaj pergamenes me disa shtresa shkrimesh...

    (Agron Luka)

    ReplyDelete