Lek Plepit i bllokon policia motorin, këngëtari bën apel t'ia kthejnë

Në momentin kur ma kanë bllokuar motor in isha tek ‘Stacioni i Trenit’”, nis rrëfimin për suplementin legjendari i ‘facebook’, Lek Plepi. Arsyeja për të cilën e kanë ndaluar ishte fakti që këngëtari udhëtonte pa skafandër. “Më ndaluan dhe më thanë ke 10-20 mijë lekë gjobë, për shkak se nuk e ke skafandrën dhe unë u tregova i gatshëm të shlyeja detyrimet dhe të largohesha, por ata filluan të talleshin, hajde bëjmë një foto, jo po rri ti, çfarë pune ke që s’rri me ne e kështu gjëra. Unë ndërkohë duhej të nxitoja për një takim, pasi kisha për të marrë paratë e një koncerti”, – sqaron më tej Leka. “Ata më tej filluan të flisnin me njëri-tjetri dhe më kërkuan edhe 10 mijë lekë të tjera, madje më thanë që nuk të lëmë të largohesh nëse nuk na i jep tani lekët. Unë u thashë që s’kam kohë të merrem me ju dhe u largova, ndërkohë që ata më mbajtën dokumentet”, – vazhdon ai. Pasi kishte kryer angazhimet e tij, Leka rikthehet tek zona e “Stacionit të Trenit” një natë më vonë, për të gjetur policët që i kishin marrë dokumentet. Atje shikon dy makina policie, të cilave u afrohet për t’u kërkuar ndihmë. Por pikërisht këtu merr fill problemi më i madh i tij. “Iu afrova makinave të policisë për t’u kërkuar ndihmë, ndërkohë që njëri prej tyre, shefi i komisariatit numër 3, më kërkoi dokumentet duke mos më lënë të shpjegohesha. Unë i thashë që nuk i kam dokumentet dhe nisa t’i tregoja, ndërkohë që ai më tha se do të bllokojmë motorin dhe ti do të vish me ne në rajon. I kërkova të mos i bënin gjërat aq të mëdha, por ndërkohë ata vijonin të talleshin, donin të bënin fotografi e këndonin këngët e mia. Nejse, shkova në rajon dhe pas shumë përpjekjesh u lidha më në fund me atë që m’i kishte marrë letrat. I mora letrat dhe kam kaq ditë që më sorollatin. Prit sot, prit nesër. Si përfundim, unë ende s’e kam marrë motorin, pavarësisht se ai është motor 49-kubiksh dhe as për patentë s’ka nevojë, është njësoj sikur të ishte biçikletë. Po këta e shohin që unë jam në majë dhe mendojnë të përfitojnë para prej meje. Më thonë, shko tek shefi i Qarkullimit, ai më thotë që duhet të paguash 300 mijë lekë gjobë, po bëhet një mish-mash i vërtetë. Më kanë nxjerrë së fundmi si kleçkë faktin që nuk kam siguracion dhe seç duan të sajojnë. Ndonëse shokët e mi nga Tropoja thonë që e zgjidhim ne, unë nuk dua që gjërat të degradojnë dhe u bëj thirrja instancave përkatëse të ndërhyjnë, sepse gjithçka është në rregull”, – tha Leka në fund. Duke shpresuar që mesazhi të ketë shkuar në veshët e duhur, ne i urojmë Lekës që ta marrë sa më shpejt motorin.
(vipat.info)

No comments:

Post a Comment