PASURITE E MINISTRAVE/ Ruli e Bregu me aktivitetin më të lartë financiar vitin që shkoi

Janë dy nga ministrat e kabinetit Berisha me aktivitetin më të lartë financiar gjatë vitit të shkuar. Shtim në shuma marramendëse të llogarive bankare, blerje apartamentesh dhe shtëpive të pushimit, përfitime të shumave të konsiderueshme nga interesat e llogarive, blerja aksionesh në sipërmarrje private, shitje makinash luksoze, etj. Kjo është në vija të përgjithshme përmbajtja e formularit të deklarimit të pasurisë së ministrave Genc Ruli dhe Majlinda Bregu.

Pjesën më të madhe të aktivitetit të tij, Ruli e ka të lidhur me blerjen e borxhit të qeverisë, pra investimi në bono thesari, nga i cili përfiton shuma të konsiderueshme të ardhurash dhe vjeljen e interesave të depozitave në banka. Gjatë vitit të shkuar, Ruli deklaron të ketë investuar shuma të konsiderueshme parash në bono thesari nga të cilat në total ka përfituar rreth 404 mijë lekë interesa. Krahas kësaj, Ruli ka investuar edhe rreth 40 mijë euro për të blerë aksione në një bankë.

Nga ana tjetër, Ministrja e Integrimi, Majlinda Bregu rezulton të ketë marrë në emër të saj dhe bashkëshortit një overdraft prej 145 mijë euro në bankë, nga i cili ka përdorur 28 mijë euro. Krahas kësaj, në emër të Bregut është blerë edhe një shtëpi pushimi prej druri 50 metër katror në Ishull Lezhë me vlerë 2.5 milionë lekë, nga e cila deri në fund të vitit ka paguar 80 mijë lekë. Bregu gjithashtu ka bërë të sajën në mars të vitit të shkuar një apartament me sipërfaqe 200 metër katror pranë stadiumit Qemal Stafa, vlera e të cilës nuk është deklaruar.

Ruli ndërkohë, ka vënë dorë tek llogaria e tij prej 158 mijë dollarë duke tërhequr 100 mijë dollarë (gjendja e llogarisë, 58 mijë USD). Nga kjo llogari, Ruli ka përfituar për një vit rreth 3 400 dollarë interesa.

Të ardhura të krahasueshme ka edhe Ministrja e Integrimit. Gjatë vitit të shkuar, Bregu ka përfituar rreth 27 mijë euro të ardhura nga lëshimi me qira i një ambienti privat tek banka nga e cila ajo ka marrë overdraftin 145 mijë euro. Krahas kësaj, gjatë një viti, bashkëshorti i Bregut deklaron se ka realizuar rreth 50 mijë euro të ardhura nga paga si dhe shpërblimet nga puna e tij. Krahas të ardhurave 1.3 milionë lekë nga paga vjetore, Bregu gjithashtu është pronarja e disa llogarive bankare në shuma të ndryshme. Në emër të ministres janë tre llogari bankare në euro, dollar dhe lek, të cilat në total kanë brenda tyre rreth 8 mijë euro.

Ndryshe nga Bregu, llogaritë dhe depozitat e Rulit në banka janë në shuma më të mëdha. Sipas deklarimit, ai rezulton pronar i disa depozitave dhe llogarive bankare, ku vetëm njëra arrin 57 mijë euro, ndërsa të tjerat janë në shuma të vogla. Krahas pagës së tij dhe të bashkëshortes që arrijnë në rreth 3 milionë lekë, Ruli ka përfituar edhe 25 mijë euro nga shitja e një makinë tip fuoristradë, prodhim i vitit 2005. Ministri ka në emrin e tij edhe një kredi me vlerë 150 mijë euro të marrë në vitin 2008 me afat maturimi 15 vjeçar, për të cilën paguan rreth 1 mijë euro për çdo muaj.



Petrit Vasili, ministër i Shëndetësisë

Petrit Vasili ka deklaratën e pasurisë më të shkurtër krahasuar me kolegët e tij. Ka deklaruar vetëm të ardhurat nga paga dhe shpërblimi si Kryetar i Bordit Drejtues të ISKSH-së. Ministri i Shëndetësisë mësohet të ketë përfituar rreth 1.6 milionë lekë të ardhura nga paga gjatë vitit të shkuar dhe 103 mijë lekë nga shpërblimi nga shpërblimi.



Nasip Naço, ministër i Ekonomisë

Pasuria e kreut të METE-s, Nasip Naço përbëhet nga një shtëpi banimi plus shtesë me sipërfaqe totale 170 metër katror pranë bllokut në Tiranë me vlerë 6.5 milionë lekë, autoveturë me vlerë 500 mijë lekë në emër të bashkëshortes, dy depozita me vlerë totale prej 1.1 milionë lekë si dhe një depozitë prej 570 mijë lekë. Të ardhurat vjetore të tij si deputet dhe nënkryetar i Kuvendit gjatë 2010-s, përllogariten në rreth 2.8 milionë lekë, ndërkohë që bashkëshortja, e cila është e punësuar pranë Drejtorisë Rajonale të Punësimit në Tiranë ka përfituar rreth 500 mijë lekë nga paga.



Tafaj blen truall banimi, Haxhinasto kursen 500 mijë lekë

Ministrat Edmond Haxhinasto dhe Fatmir Mediu kanë deklaruar të ardhura modeste gjatë vitit të shkuar, të cilat përfshijnë vetëm me pagën vjetore. Me këto para, Tafaj ka blerë edhe një truall për ndërtim shtëpie, kurse Haxhinasto ka kursyer 500 mijë lekë

Viti 2010 ka qenë një vit shpenzimesh të mëdha për Ministrin e Arsimit, Myqerem Tafaj. Ministri ka tërhequr në mënyrë të vazhdueshme para nga llogaritë e tij bankare si dhe ka bërë një truall në vlerën e 6.8 milionë lekëve me qëllim ndërtimi shtëpie private. Deri në fund të vitit, investimi ka ecur deri tek ndërtimi i themeleve, për të cilat janë shpenzuar 750 mijë lekë.

Të ardhurat vjetore të tij si deputet në Kuvend dhe Ministër përllogaritën në rreth 2.4 milionë lekë, ndërkohë që fushën e të ardhurave në deklaratën e pasurisë është pasqyruar edhe shitja e një makine kundrejt 400 mijë lekëve si dhe një pagesë (këst i i fundit) nga një kompani private për blerjen e një sipërfaqe ndërtimi në vlerën e 2 500 dollarëve. Nga ana tjetër, bashkëshortja e Tafajt ka realizuar rreth 523 mijë lekë nga paga dhe shpërblimet si drejtore e një kopshti fëmijësh në Tiranë. Në deklaratë rezulton edhe pasuria e vajzës së tij, e cila aktualisht punon në një Universitet në Gjermani.

Ministri i Jashtëm, njëherësh edhe zv/kryeministri, Edmond Haxhinasto jeton vetëm me të ardhura nga paga. Në total, këto të ardhura përllogariten në rreth 1.4 milionë lekë. Nga periudha Janar-Shtator 2010, në të cilën ai ka ushtruar detyrën e Ministrit të Jashtëm, Haxhinasto deklaron të ketë përfituar rreth 981 mijë lekë, ndërkohë në tetor të këtij viti, atij i jepet edhe detyra si zëvendëskryeministër, post nga i cili deklaron se ka përfituar rreth 426 mijë lekë. Me këto të ardhura, ministri deklaron se ka mbuluar të gjitha shpenzimet vjetore si dhe ka mundur të kursejë 500 mijë lekë, të cilat i ka deklaruar si “shtim likuiditetesh me burim pagën.



Mediu shlyen kredi 250 mijë euro

Të ardhurat vjetore të Ministrit të Mjedisit, Fatmir Mediu kanë të bëjnë kryesisht me pagën e tij dhe të bashkëshortes si dhe me lëshimin me qira të një ambienti privat. Nga paga dhe dietat si ministër dhe deputet, Mediu ka akumuluar rreth dy milionë lekë gjatë vitit të shkuar. Në momentin e marrjes së detyrës në shtator 2009, ai ka deklaruar rreth 200 mijë lekë para cash në emër të tij dhe të bashkëshortes. Kjo e fundit ka deklaruar edhe dy milionë lekë të ardhura nga paga në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Mediu ka marrë edhe 10 800 (900 X 12 muaj) euro nga lëshimi me qira e një apartamenti privat në bulevardin Zhan Dark. Nga ana tjetër, Mediu është aktualisht duke shlyer dy kredi, njëra me vlerë 250 mijë euro dhe tjetra 3.7 milionë lekë. Përgjatë një viti, Mediu mësohet të ketë shlyer rreth 3.1 milionë lekë interesa për kreditë, njëra prej të cilave (250 mijë euro) është marrë në vitin 2007 me këst mujor 1 733 euro.



Pollo blen shtëpi pushimi në Kavajë

Pasuria e deklaruar për vitin 2011 e Ministrit të Inovacionit, Genc Pollo përbëhet nga një apartament 130 metër katror në një fshat turistik në Qerret të Kavajës dhe paga e tij. Për blerjen e apartamentit, Pollo deklaron se ka përdorur të ardhurat nga shitja e një apartamenti të ngjashëm tek pishat e buta në Kavajë si dhe një kredi në vlerën e 40 mijë eurove të marrë pak vite më parë, të cilën vijon ta shlyejë. Nga paga si ministër, Pollo ka përfituar rreth 1.6 milionë lekë. Me këto para, ai deklaron se ka shlyer interesat e kredisë për apartamentit, të cilat përllogariten në rreth 392 euro në muaj. Kredia me vlerë 40 mijë euro e marrë në vitin 2009 ka një afat maturimi prej 10 vjeçar. Deri në fund të dhjetorit 2010, Pollo deklaron se i kanë mbetur për të shlyer edhe 33 400 euro nga kredia e marrë.



Nishani përfiton 1.6 mln lekë në vit nga paga

Të ardhurat vjetore të Ministrit të Drejtësisë, Bujar Nishani përbëhen nga paga e tij dhe e bashkëshortes si dhe qiraja e një ambienti privat në Durrës (dyqan). Nga paga si ministër, Nishani ka deklaruar të ardhura vjetore prej 1.6 milionë lekë, kësaj shume i shtohen edhe honorarët si anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë me vlerë 72 mijë lekë. Bashkëshortja e Nishanit ka punuar gjatë vitit të shkuar në Ministrinë e Kulturës dhe ka përfituar një pagë vjetore prej rreth 971 mijë lekë si dhe 243 mijë lekë si anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Postës Shqiptare. Të ardhura të tjera, janë ato nga qiraja e dyqanit në Durrës me vlerë prej rreth 1.3 milionë lek. Nga ana tjetër, Nishani deklaron se është duke shlyer një kredi për shtëpi, këstet e të cilës përllogaritën në 285 mijë lekë në muaj.



Olldashi, llogaria shtohet me 22 mijë euro

Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi është në përfundim të shlyerjes së një kredie për shtëpi të marrë disa vite më parë. I ka mbetur për të shlyer vetëm 82 mijë lekë. Këto pagesa janë bërë me të ardhurat e tij nga paga si ministër i Transporteve dhe nga ajo e bashkëshortes e cila punon në dy Universitete në Tiranë. Deri në fund të vitit, llogaria e bashkëshortëve Olldashi është shtuar me rreth 22 mijë euro. Të gjitha këto, Olldashi i ka bërë me pagën e si ministër, shpërblimet dhe dietat si anëtar i KRRTRSH-së me vlerë totale prej rreth 2 milionë lekë. Bashkëshortja e tij ka përfituar 14 600 euro nga paga si pedagoge në një Universitet Privat në Tiranë si edhe në Universitetin Shtetëror.



Imami përfiton kredi me interesa minimale

Të ardhurat më të mëdha në familjen Imami i siguron bashkëshortja. Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami ka deklaruar si të ardhura vetëm pagën e tij vjetore në masën e 1.6 milionë eurove. Nga ana tjetër, krahas pagës prej rreth një milionë lekë të përfituar si pedagoge në Akademinë e Arteve, bashkëshortja e Imamit ka realizuar rreth 15 mijë euro të ardhura nga aktiviteti i saj profesional (piktore dhe kuratore), nga të cilat ata kanë mundur të kursejnë 7 mijë euro.

Ndërkaq, kreu i Mbrojtjes rezulton të jetë përfitues i një kredi me interesa minimal për strehim. Kreditë në fjalë jepen vetëm për zyrtarët e lartë të shtetit dhe ofron kushte shumë të mira shlyerje, siç janë interesat e ulta (simbolike) dhe afati i gjatë i maturimit. Përgjatë vitit të shkuar, Imami ka shlyer 284 mijë lekë, ndërkohë që mbeten edhe 3.1 milionë lekë për t’u shlyer.



Vit shpenzimesh për Boden

Aktiviteti financiar i Ministrit të Financave, Ridvan Bode gjatë vitit të shkuar është karakterizuar nga shtime dhe pakësime të llogarive bankare në shumë të vogla. Kreu i Financave mësohet të ketë përfituar rreth 1.7 milionë lekë nga paga e tij vjetore, ndërsa në deklaratën e pasurisë rezulton edhe një shumë prej rreth dy milionë lekë, të cilat Bode shprehet se i ka përfituar nga kompensimi financiar i pasurisë së familjes në Devoll. Krahas kësaj, Bode ka deklaruar edhe shtëpinë e blerë në Qerret të Kavajës me vlerë 3.7 milionë lekë. Krahas kësaj, në emër të ministrit rezultojnë edhe 296 mijë lekë, para të cilat burimin e kanë tek interesat e depozitave. Nga ana tjetër, Bode rezulton të ketë tërhequr rreth 440 mijë lekë nga llogaria e tij bankare përgjatë gjithë vitit. Deklarata e pasurisë përmban edhe disa llogari bankare të djalit dhe vajzës së tij, të cilat kanë shtesa të pa konsiderueshme. Gjatë vitit të shkuar, ai ka paguar rreth 126 mijë lekë dhe 4 100 euro interesa të marra njërën në vitin 2 000 dhe tjetrën në vitin 2007. Aktualisht, në emër të ministrit janë dy kredi, njëra me vlerë 1.6 milionë lekë dhe tjetra 23 mijë euro.









(www.gazetatema.net)

No comments:

Post a Comment