Zgjedhjet, përfundon prodhimi i 7.4 mln fletëve të votimit

TIRANE- Të 7.4 milionë fletët e votimit për zgjedhjet lokale të 8 majit 2011 janë gati. Shtypshkronja ‘Mediaprint’ , e cila u pajtua nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për prodhimin e tyre informoi se ka përfunduar punën. “Me kapacitete të larta prodhimi dhe me një ritëm pune 24 orë, stafi i ‘Mediaprint’ pas 12 ditëve pune intensive ka përfunduar punën në të gjitha proceset e kërkuara nga KQZ-ja për realizimin e fletëve të votimit”, thuhet në njoftimin për shtyp të ‘Mediaprint’.
Sipas saj fletët e votimit janë prodhuar "në kushte të larta sigurie, me sistem vëzhgimi, gjithashtu dhe në praninë e përfaqësuesve të KQZ –së dhe të partive politike."
Gjithashtu shtypshkronja ‘Mediaprint’ informon se ka respektuar të gjitha kushtet që KQZ-ja kishte përcaktuar për prodhimin e fletëve të votimit.
Pranë magazinave të KQZ -së janë dorëzuar tashmë 7.4 milionë fletë të prodhuara dhe të përfunduara në të gjitha proceset të ndara në blloqe, duke plotësuar kështu kërkesat për 66 KZAZ.

Makineritë ‘rotativ’ dhe ‘offset’ arritën të prodhojnë rreth 500 mijë fletë në ditë. Mediaprint bën gjithashtu të ditur se “stafi ynë u kujdes për të minimizuar gabimet njerëzore në të gjithë këtë proces mjaft të vështirë, ku u prodhuan 384 modele, nga të cilat 373 modele të ndryshme për kryetarët e bashkive dhe të këshillit bashkiak të çdo qarku; 11 modele për minibashkitë në kryeqytet, ku secili prej tyre kishte një model për kryetarin e bashkisë dhe një model për këshillin bashkiak. Por pavarësisht këtyre vështirësive, shtypshkronja ‘Mediaprint’ ka plotësuar në kohë afatin e kërkuar nga KQZ-ja, duke realizuar kështu jo vetëm një detyrim kontraktual”, përfundon njoftimi për shtyp.

Ndërkohë Komisioni Qendror Zgjedhor miratoi dje ndryshimin e 5 qendrave të votimit në ambiente private në Bashkinë e Kamzës vetëm me votat e anëtarëve të djathtë. Tri prej këtyre qendrave kishin të bënin me vendimin e Kolegjit Zgjedhor për rishikim të tyre, ku kryetari i Bashkisë së Kamzës ka caktuar tri qendra të tjera për numërimin e votave, por përfaqësuesit ligjorë të Partisë Socialiste nuk kanë qenë dakord edhe me ambientet e reja. Ndërsa dy qendrat e tjera nga ambiente shtetërore u zhvendosën në ambiente private, kjo me kërkesë të Komisionit Qendror Zgjedhor, për shkak të kushteve jo të përshtatshme që paraqisnin këto qendra.

No comments:

Post a Comment