Ekonomi, ulet interesi i bonove të thesarit

TIRANE- Interesi i Bonove të Thesarit njohu një rënie të papritur në ankandin e ditës së sotme. Bonot me afat maturimi 12 mujor u emetuan me një normë mesatare të ponderuar interesi prej 7.37%, nga 7.41% që ishte në ankandin e mëparshëm.
Kjo është rënia e parë e interesit të Bonove me maturim vjetor që nga dhjetori i vitit të kaluar. Gjallërimi i kredisë, kërkesa e lartë e qeverisë për para dhe rritja e normës bazë në muajin mars kishin sjellë rritjen graduale të interesave të bonove gjatë pjesës së parë të vitit 2011. Por, me sa duket, efekti i këtyre faktorëve mund të jetë drejt ezaurimit, siç dëshmon rezultati i ankandit të sotëm, informon sot atsh.

Qeveria emetoi sot Bono në vlerën e 7.1 miliard lekëve, ndërkohë që oferta për financim ishte mjaft e bollshme, 10.5 miliard lekë. Ndërkohë, interesat për Bonot me afat maturimi 3 mujor njohën një rritje të lehtë dhe u emetuan në ankandin e sotëm ne një normë mesatare të ponderuar interesi prej 5.47%, nga 5.45% që ishte në ankandin paraardhës. Në ankand u emetuan Bono në vlerën e 3.5 miliard lekëve, nga 3.6 miliard lekë që ishte oferta për financim. Diferenca më e ulët mes kërkesës dhe ofertës duket se ka bërë që për Bonot me maturim 3 mujor tendenca të jetë paksa e ndryshme dhe interesi të rritet edhe njëherë tjetër.

No comments:

Post a Comment