Familjarët e këngëtares Emmy letër kryeprokurores Rama: Duam drejtësi


Familjarët e këngëtares Emmy(Elsina Hidërsha), e cila humbi jetën tragjikisht pak javë më parë, i kanë dërguar një letër kryeprokurores Ina Rama, nga e cila kërkojnë drejtësi për vajzën e tyre.

Prokuroria e ka cilësuar vdekjen si “vrasje nga pakujdesia”, por familjarët shprehen se kjo akuzë është shumë e lehtë për biznesmenin kosovar, Aziz Kelmendi. Biznesmeni 47-vjeçar kishte një lidhje me këngëtaren 21-vjeçare,. Më poshtë është letra e plotë e familjarëve të Emmy-t dërguar kryeprokurores Ina Rama:
E nderuar Znj. Prokurore!


“…Unë që po ju shkruaj jam babai i të ndjerës Elsina Hidersha, këngëtares me emrin artistik ‘EMI’, që u nda nga jeta në mënyrë të papritur dhe tragjike më 28 shkurt 2011. Në këtë kohë të vështirë për mua dhe familjen time, me gjithë hallin e madh që kemi, më lejoni me sa mundem në këtë moment t’ju shpreh gjithë konsideratën time për punën tuaj. Duke pasur besimin e duhur tek institucioni që ju drejtoni, ne kërkojmë zbulimin dhe daljen e së vërtetës, e cila është gjëja më e rëndësishme, më ngushëlluese dhe më qetësuese për prehjen e shpirtit të vajzës sonë… etj.”

Me fjalët e mësipërme, znj. Prokurore, i kam nisur disa prej komunikimeve të mëparshme me Ju dhe me vartësit Tuaj. Me shpresë se e vërteta do të dilte, ose të paktën do të bëhej çmos për daljen e kësaj të vërtete (përpjekjet duhet të ishin maksimale)… Por sot kjo gjë nuk na rezulton… Kjo është vdekja e dytë në familjen tonë. Emi, vajza jonë, sot ka vdekur përsëri.


Më dt. 24. 05. 2011 kam marrë njoftimin se është ndryshuar akuza dhe më është dhënë një kopje e kërkesës për gjykim ku më dt 06. 06. 2011 fillon shqyrtimi gjyqësor. Në këtë kërkesë për gjykim të dalë nga institucioni që Ju përfaqësoni, nuk janë kryer disa veprime hetimore, para se ky hetim të përfundonte.

Disa prej këtyre veprimeve mund dhe duheshin bërë vetë nga organi juaj dhe disa të tjera janë kërkuar në mënyrë të përsëritur nga ana jonë.
Ne mund t’ju përsërisim disa prej tyre që nëse do të ishin bërë mendojmë se kualifikimi i veprës penale nuk do të ndryshonte.

Znj. Prokurore!
Ne kërkuam gjatë hetimit:

- Të rindërtohej vendi i ngjarjes, pasi gjatë gjithë kohës së hetimit dhe në kërkesë për gjykim së fundmi, thuhet se tërheqja zvarrë me mjete është rreth 50 metra. Po a mund të thuhet fjala “rreth” kur në vetë këqyrjen e vendit të ngjarjes, në kërkesën për vlerësim mase, e deri në kërkesën për gjykim prokurori shprehet se nisja e mjetit ka qenë tek dera e “Venuse” dhe njolla e gjakut përballë lokalit me emër X, pikë e përcaktuar. Pra, ka dy pika të përcaktuara që me rindërtimin e vendit të ngjarjes, matet dhe nuk thuhet rreth 50 metra kur largësia është e dukshme shumë më tepër.

- Të kërkohej pranë kompanisë celulare teksti i SMS-ve.
Ne kontaktuam dhe me një ekspert të fushës, i cili na tregoi rrugën se si ato mund të nxirreshin nga sistemi. Jo vetëm që nuk u bë kjo kërkesë nga ana e prokurorit, por na u kthye përgjigje se janë kërkuar dhe marrë tabulatet telefonike duke bërë një ngatërrim të qëllimshëm të tabulateve me tekstin e SMS- ve. Nuk mund të thuash “nuk na i japin” kur ju nuk i keni kërkuar.

- Të pyetej mjeku ligjor, pasi ai përshkruante një dëmtim oblik në anën e brendshme të këmbës së majtë dhe shprehjes së vendosur në skedën e vdekjes “atentat me mjete të tjera të pa përcaktuara”. Ne kërkuam që të pyetej mjeku për këtë shprehje dhe të jepte mendimin për dëmtimin në formë të pjerrët, ose të përpilohej një akt shtesë nga mjeku, gjë që nuk u bë.

- Ne kërkuam vazhdimisht të pyeteshin në bazë të nenit 316- 321 të K.Pr.Penale disa persona dëshmitarë okularë në ngjarjen e dt. 27. 02. 2011, të cilëve po u bëhej presion i vazhdueshëm. Presion, i cili erdhi edhe në familjen tonë nga kërcënimet që mori këto ditë.

- Ne kemi kërkuar kryerjen e një eksperimenti hetimor (riprodhim i aksidentit – shën red.). Për hir të së vërtetës duke mos u njohur me aktet dhe ekstraktet, nuk mund të japim një variant të mundshëm të tij, por mendojmë dhe gjykojmë se ekziston mundësia që të realizohej për të shërbyer sado pak në sqarimin e gjithë dinamikës së ngjarjes; – pra, duke krijuar një mendim të qartë për mekanizmin e ngjarjes. Gjë që nuk jepet në asnjë rresht në kërkesën për gjykim.

- Paraqitja si shkelje rregullash dhe njëherë si veprim i drejtpërdrejtë ndaj viktimës tregon pasiguri të prokurorit, që gjithsesi lidhet me moskryerjen e këtyre veprimeve, por që në asnjë rast nuk janë marrë specialistë të fushës si p.sh: ekspert autoteknik për të parë vendin e ngjarjes dhe konstatuar shkeljet; apo ekspert kriminalistik për të evidentuar dëmtimin oblik në këmbë; si dhe ekspert të fushës telefonike etj.

Këto dhe të tjera veprime të bërë nga organi që Ju përfaqësoni do të bënin të mundur zbardhjen e asaj të vërtete që ne kemi kërkuar në fillim të kësaj letre dhe do ta kërkojmë në të ardhmen. Moskryerja e këtyre veprimeve ka bërë që të kemi një kërkesë për gjykim për të ardhur keq. Moskryerja e veprimeve hetimore ka bërë që hetimi të mos jetë i plotë, i gjithanshëm dhe i drejtë. Moskryerja e veprimeve hetimore të domosdoshëm për këtë rast ka bërë që mos sqarohej mekanizmi i ngjarjes.

Mos kryerja e këtyre veprimeve hetimore ka bërë që në kërkesën për gjykim për shkakun e kësaj ngjarje të tmerrshme për ne, të thuhet- Kontuzion i trurit, pra shkaku na qenkësh pasoja. Kjo, sepse nuk dihet mekanizmi i ngjarjes.

Mos kryerja e veprimeve hetimore ka bërë që të nxirret konkluzion i gabuar: prokurori pavarësisht arsyetimit të veprimeve, analizimit të anës objektive, arrin në një konkluzion të gabuar.

Citoj: Shtetasi Azis Kelmendi duhej të kishte parashikuar pasojat që mund të vinin nga ecja me shpejtësi dhe frenimi i menjëhershëm i mjetit, duke pasur parasysh faktin se shtetasja Elsida Hidershaj ishte varur te xhami i derës së shoferit, ajo mund të rrëzohej dhe të dëmtohej, por megjithatë shtetasi Azis Kelmenti ishte në kushtet që mund të parashikonte pasojat, ka neglizhuar dhe si pasojë e veprimit të tij ka ardhur pasoja-dëmtim i rëndë i shtetases Elsina Hidersha, e cila më pas ka gjetur vdekjen.

Nga neglizhenca e provave dhe fakteve të mësipërme rezulton se jemi para një v.penale të kryer nga pakujdesia në formën e neglizhencës, pasi autori nuk ka parashikuar dhe dëshiruar vdekjen e viktimës, por sipas rrethanave duhej të ishte i detyruar t’i parashikonte ato. Për sa më sipër i ka konsumuar të gjithë elementët e v.penale të “Vrasjes nga pakujdesia parashikuar nga neni 85 i K.Penal – përfundon prokurori.

Pra, nëse do të kryheshin të gjitha veprimet hetimore të nevojshme dhe të domosdoshme prokurori nuk do arrinte në këtë përfundim që gjithsesi është i gabuar: personi i ka parashikuar pasojat e tij, se nga ecja me shpejtësi, frenimi disa herë, mund të sillte këtë pasojë. Pra, pasoja ka ardhur si rezultat i veprimit të drejtpërdrejtë të subjektit të këtij krimi (objekt, viktima) apo veprimi, apo mosveprimi nuk drejtohet kundër jetës së viktimës (aksidentale), siç na paraqet prokurori dhe nxjerr përfundim tjetër.

Zonja Prokurore e Përgjithshme!
Edhe përse jemi në këtë fazë dhe në këtë moment ushtroni gjithë kompetencat Tuaja që ju njeh ligji për të vendosur drejtësi dhe qetësuar familjen tonë.

Ne kërkojmë:
Kthimin e dosjes edhe njëherë në Prokurorinë e Tiranës për të plotësuar atë me të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.
Duke shpresuar te Ju si autoriteti më i lartë i këtij institucioni

Kristo Hidersha
Florie Hidersha
Sonila Hidersha
Emiljano Hidersha
Andon Hidersha

(gazetatema.net)

No comments:

Post a Comment