Kosova e Turqia, marrëveshje në drejtësi

Kuçi dhe Kahraman, gjatë nënshkrimit të marrëveshjeveMinistria e Drejtësisë e Kosovës dhe ajo e Turqisë nënshkruan sot tri marrëveshje për bashkëpunim juridik ndërkombëtar, atë për ekstradim, transferim të personave të dënuar dhe bashkëpunim gjyqësor në çështje penale.





Zëvendëskryeministri dhe ministër i Drejtësisë i Kosovës, Hajredin Kuçi dhe
ministri i Drejtësisë i Republikës së Turqisë, Ahmet Kahraman, i vlerësuan marrëveshjet tejet e rëndësishme për të dyja vendet.

Kuçi ka falënderuar homologun e tij nga Turqia për gatishmërinë e Ministrisë së Drejtësisë së shtetit të Turqisë për një bashkëpunim të ndërsjellë mes dy shteteve mike.

“Me këto tri marrëveshje do të mundësohet një bashkëpunim më i mirë në fushën e drejtësisë, po edhe në forcimin e rendit dhe ligjit në vendet tona, do të jetë një siguri më e madhe edhe për qytetarët tanë kur lëvizin nga një shtet në shtetin tjetër, por edhe në vendin ku janë, por do të jetë një mundësi më e mirë edhe në rastet e personave të cilët kanë bërë krime të caktuara t’i përgjigjen drejtësisë. Në kemi vullnet t’i respektojmë këto marrëveshje të nënshkruara dhe nga ky moment qytetarët do të kenë një siguri juridike më të madhe”, ka thënë Kuçi, transmeton KosovaPress.

Ministri i Drejtësisë i Turqisë, Ahmet Kahraman ka theksuar se Kosova dhe Turqia kanë miqësi dhe vëllazëri, e cila buron nga e kaluara, por sipas tij, me rëndësi është se ky bashkëpunim po përforcohet edhe më tutje mbi bazat e së drejtës.

“Besoj se nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve do të inkurajojnë që ndërmarrësit e të dyja vendeve të bashkëpunojnë më shumë. Ne kemi rënë dakord me ministrin që të fillojmë t’i implementojmë këto marrëveshje në fushën e së drejtës penale. Qytetarët e të dy vendeve do të jetojnë më të sigurt dhe më të qetë si dhe do të përforcojnë edhe më tutje në miqësi”, ka thënë Kahraman.

Për më tepër, ai ka shtuar se me nënshkrimin e këtyre tri marrëveshjeve është siguruar një siguri më e madhe e qytetarëve të të dy shteteve, por edhe për qytetarët të cilët punojnë nëpër vende tjera.

Kryeprokurori i shtetit të Kosovës, Ismet Kabashi, tha se marrëveshjet e sotme do të mundësojnë që kontrabanda dhe krimi i organizuar të luftohen më lehtë.

“Ne kemi nënshkruar këto marrëveshje me qellim të thjeshtësimit të bashkëpunimit dhe këmbimit të informative të të dhënëve mes prokurorive unë shpresoj se këto marrëveshje do t’i shërbejnë të dy vendeve për luftimin e krimit”, ka thënë Kabashi.

Në këtë rast gjithashtu u bë e ditur se shumë shpejt pritet të nënshkruhen edhe dy marrëveshje tjera për bashkëpunimin në fushën civile, dhe në fushën afariste.
(www.gazetaexpress.com)

No comments:

Post a Comment