Kukës, shpërthen makina, lëndohet kandidati PS, Cengu

KUKES- Makina e kandidatit të Partisë Socialiste për kryetar të komunës Shtiqen, të Kukësit, zotit Astrit Cengu ka shpërthyer mëngjesin e sotëm. Sipas të dhënave të para ngjarja ndodhi rreth orës 07. 30 minuta në shëtitoren e qytetit të Kukësit, ku dhe ishte parkuar makina.Korrespondetja e NEWS24, Matilda Dokle informon se vetë kandidati i PS-së Cengu ka qenë rreth 5 metra larg makinës kur ka ndodhur shpërthimi, dhe për pasojë ka pësuar lëndime të lehta.

Sipas policisë dyshohet se ka shpërthyer një sasi lënde eksplozive, e llojit tritol, e cila mund të jetë vendosur në krahun e djathtë të makinës pasi dhe dëmtimet më të mëdha janë në këtë krah të makinës, ku ishte dhe timoni.
Me të dëgjuar shpërthimin forca të shumta policie, nën drejtimin e drejtorit të policisë Sadri Ramcaj kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur veprimet hetimore. Sipas hetimeve te para dyshohet se shpëthimi është realizuar me telekomandë.
Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar dhe kreu i Partisë Socialiste të Kukësit Ylber Duraku. Ai e ka quajtur këtë ngjarje një akt politik, si dhe ka kërkuar nga policia gjetjen dhe vënien para drejtësisë të autorëve. Ndërkaq Policia e Kukësit bëri të ditur se ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

No comments:

Post a Comment