Hyka drejt Kluzhit: Vendos pas Bosnjës

Mesfushori i bardhebluve, Jahmir Hyka, në tratativa me skuadrën e CFR Kluzhit në Rumani
4 “aventura” jashtë vendit ka provuar Hyka, fillimisht te Rozenborgu në Norvegji, më pas tek Olimpiakos në Greqi, te Mainci në Bundesligë dhe Panionios sërish në kampionatin helen






2 herë e ka veshur fantazisti fanellën e skuadrës bardheblu për herë të parë në edicionin 2007-2008 dhe janarin e shkuar, kur firmosi një kontratë dyvjeçare

4 gola ka shënuar Jahmiri në superiore këtë edicion, 1 ndaj Shkumbinit, 2 ndaj Laçit dhe 1 ndaj Elbasanit, të gjithë në fazën e tretë

Disa nga “xhevahirët” e skuadrës së Tiranës tashmë janë vënë në qendër të merkatos dhe kanë disa oferta nga ekipe brenda apo jashtë vendit. Krahas kapitenit Andi Lila, që po kërkohet me insistim nga skuadra e Dinamos së Bukureshtit dhe sulmuesit kroat Pero Pejiç, të cilin e kërkon Flamurtari, por edhe ekipe të huaja, është Jahmir Hyka ai që pëlqehet nga skuadra e kampionatit rumun CFR Kluzh.

Pak ditë më parë ishte trajneri i skuadrës bardheblu, kroati Misho Krstiçeviç, i cili ia kishte sugjeruar Hykën së bashku me Lilën skuadrës së njohur kroate, Hajduk Split. Mesfushori i bardhebluve, Hyka, aktualisht i grumbulluar me përfaqësuesen për ndeshjen e radhës me Bosnjën, dje, i kontaktuar nga “Sporti shqiptar”, ka pohuar tratativat me skuadrën rumune:

“Po, është e vërtetë që kam pasur kontakte me një menaxher të skuadrës rumune të Kluzhit. Unë e kam thënë edhe më përpara që dëshira ime më e madhe mbetet që të luaj jashtë vendit, por këtë herë dua të bëj një lëvizje të matur.

Gjithsesi, pas ndeshjes që do të luajmë me Bosnjë-Hercegovinën, unë do të vendos dhe mund të ketë edhe zhvillime të reja rreth të ardhmes sime. Në qoftë se do të ketë ndonjë ofertë shumë të mirë, edhe mund të largohem nga Tirana.

Aktualisht jam i përqendruar maksimalisht te ndeshja që do të luaj me përfaqësuesen ndaj boshnjakëve, sepse është shumë e rëndësishme për objektivat që kemi në këto eliminatore. Por unë shpresoj që të luaj, sepse e ndiej veten në formë,”- pohoi dje mesfushori i bardhebluve, Jahmir Hyka.

Në janarin e shkuar ai iu bashkua skuadrës së Tiranës, pas aventurës me grekët e Panioniosit, ku aktivizimi jo i rregullt nuk e kënaqi shumë, çka e detyroi që të shikonte të ardhmen. Presidenti i Tiranës, Refik Halili, duke njohur aftësitë e Hykës i bëri ofertë dhe fantazisti kanditat për të qenë titullar edhe në kombëtare u rikthye te bardheblutë.

Sipas Hykës, për çdo lëvizje ai do të marrë edhe mirëkuptimin e presidentit të Tiranës, Refik Halili. “Dihet që unë kam një kontratë dyvjeçare me bardheblutë, të cilën e firmosa në janarin e shkuar. Megjithatë, për çdo lëvizje jashtë do të ulem të bisedoj edhe me presidentin e Tiranës, Refik Halili,” - tha në mbyllje të prononcimit të tij mesfushori i bardhebluve dhe i përfaqësueses sonë, Jahmir Hyka.
(www.sportishqiptar.com.al)

No comments:

Post a Comment