IPOL: Bie kënaqshmëria për punën e EULEX-it.

Lufta e fjalëve që kohëve të fundit po ndodh në mes politikanëve të Kosovës dhe EULEX-it ka ndikuar që qytetarët e Kosovës të humbin besimin te ky mision, u tha në një konferencë të organizuar nga Instituti Ballkanik i Politikave (IPOL) me rastin e publikimit të raportit të punës mbi punën e EULEX-it “Sundimi i Ligjit dhe EULEX”.Drejtori i IPOL-it, Seb Bytyqi, ka thënë se fusha e sundimit të ligjit në Kosovë vazhdon të mbetet pikë e dobët, ndërsa prioritetin e supozuar të qeverisë për sundimin e ligjit në Kosovë ai e ka quajtur një retorikë fjalësh.

Sipas tij misioni për sundimin e rendit dhe ligjit në Kosovë- EULEX nuk po shënon progres në fushat për të cilat është angazhuar duke premtuar kështu se do t’i zë “peshqit e mëdhenj”, dhe duke mos e realizuar këtë premtim.

Ndërkaq, lufta e fjalëve siç e ka quajtur ai në mes të EULEX-it dhe politikanëve vendorë e ka dëmtuar fushën e sundimit të ligjit, dhe më këtë rast edhe qytetarët kanë humbur besimin te ky mision.

Sipas Bytyqit, preferenca e disa politikanëve që rastet e dyshuara për krime t’i marrë përsipër EULEX-i tregon se nuk ka besim ndaj sistemit vendor të drejtësisë.

IPOL ka rekomanduar Qeverinë që të shfrytëzojë më mirë Bordin e Sundimit të Ligjit duke shërbyer si forum, ku krijohet një listë e caqeve që duhet të arrihen brenda një viti, si dhe të harmonizohen strategjitë mes EULEX-it dhe ministrive që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit.

(telegrafi.com)

No comments:

Post a Comment