Raporti i ODIHR zbulon hilenë e KQZ

Dje misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR ka lëshuar një raport mbi zhvillimet e periudhës pas-elektorale në Shqipëri, që përfshin ditët prej 10 majit e gjer më 18 maj. Gjuha e përdorur në këtë raport, edhe pse nuk del nga caqet e korrektesës politike, është çuditërisht tepër e qartë sa i përket vlerësimit të numërimeve. Në raportin e OSBE/ODIHR procesi i numërimit dhe i validimit të votave për kryetarin që janë hedhur në kuti të tjera, konsiderohet si... ...i parregullt dhe pa bazë ligjore. Vëzhguesit ndërkombëtarë shprehen se ky proces i parregullt është kërkuar nga ana e kryeministrit Berisha, dhe KQZ ka vendosur t'i përgjigjet thirrjes së kryetarit të PD-së, pa konsensusin e opozitës.
Në raportin e OSBE/ODIHR gjithashtu qortohet e kritikohet haptazi mungesa e transparencës mbi arsyetimin e argumentimin ligjor të vendimeve që ka marrë këto ditë KQZ-ja, duke filluar që nga mosrespektimi i afateve kohore për shpalljen e rezultatit të marra nga Qendrat e Numërimit të Tiranës, e deri tek marrja e një vendimi për të konsideruar si të vlefshme fletët e votimit, në një mënyrë të paparashikuar prej kodit elektoral.


Në kreun e tretë të raportit, aty ku trajtohet më gjerësisht administrimi i procesit zgjedhor gjatë datave 10 deri në 18 maj, pra administrimi i procesit të numërimit e i shqyrtimit në KZAZ, si dhe i procesit të certifikimit nga KQZ, vërejtjet e pakënaqësitë e OSBE/ODIHR janë të mprehta, e nuk lënë vend për keqkuptim.


Si fillim, qortohet fakti se KQZ nuk i ka marrë masat infrastrukturore siç duhet, e nuk ka instruktuar apo trajnuar të gjithë anëtarët e ekipeve të numërimit të votave, e ky ka qenë shkak i ngecjeve e vonimeve të proceseve në disa raste:


"Fillimi i numërimit të votave u nis me vonesë në shumë vende, pjesërisht për shkak të faktit që disa anëtarë të grupeve të numërimit në disa VNV nuk ishin emëruar ose nuk ishin trainuar deri në momentin që filloi numërimi. Përpos kësaj, vëzhguesit e OSBE/ODIHR-it raportuan se procesi i numërimit ndërpritej herë pas here për shkak të debateve ndërmjet anëtarëve të KZAZ-së, anëtarëve të grupit të numërimit dhe/ose vëzhguesve të partive.4 Nuk kishte asnjë udhëzim në nivel kombëtar lidhur me pushimet, duke e lënë çdo KZAZ të merrte vetë vendimet në këtë drejtim. Në disa raste që iu bënë të ditura KQZ-së, ajo urdhëroi vazhdimin e procesit. Megjithatë, disa KZAZ vazhduan të punonin me ritme të ngadalta, veçanërisht në Tiranë."


Më pas, OSBE/ODIHR nuk ka lënë pa përmendur vështirësitë që kanë hasur vëzhguesit gjatë procesit të numërimit, sidomos për sa i përket fletëve të kontestuara në momentet e numërimit, të cilat sot po quhen të vlefshme dhe po rinumërohen nga KQZ:


"Vëzhguesit mundën të ishin të pranishëm pa asnjë pengesë në VNV-të. Gjatë numërimit, çdo fletë votimi regjistrohej me kamera dhe tregohej menjëherë në ekran për të gjithë vëzhguesit e pranishëm. Megjithatë, fletët e votimit nuk mund të shiheshin plotësisht për shkak të mënyrës së vendosjes nën kamerë, ose sepse nuk liheshin mjaftueshëm nën kamerë. Për më tepër, vëzhguesit nuk lejoheshin t'u afroheshin tavolinave, prandaj për ta ishte e vështirë të shikonin nëse fletët e votimit vendoseshin në togun e fletëve të votimit të kandidatit/partisë përkatëse apo sesi plotësoheshin protokollet me rezultatet e qendrës së votimit. Së fundmi, vëzhguesit nuk mundën të shihnin konsiderimin e fletëve të votimit të kontestuara nga anëtarët e grupeve të numërimit dhe anëtarët e KZAZ-së."



OSBE/ODIHR: Numërimi nga KQZ nuk bazohet në ligj
Mirëpo problemet më të rënda sa i përket administrimit të numërimit nga KQZ, raporti i vë në dukje në paragrafin vijues:


"Kodi Zgjedhor nuk parashikon drejtpërdrejt vlefshmërinë e fletëve të votimit gjetur në një kuti votimi, të ndryshme nga ajo që i korrespondon llojit të zgjedhjes për atë fletë. Ai as nuk parashikon ndonjë procedurë për vlerësimin e fletëve të votimit të gjetura në kuti të tjera. Nuk kishte asnjë vendim apo udhëzim nga KQZ-ja për këtë çeshtje përpara ditës së zgjedhjeve, dhe as manuali i miratuar i KQZ-së nuk e trajtonte këtë çeshtje, ndonëse në zgjedhjet e kaluara vendore, fletët e votimit të hedhura gabim përbënë problem. Anëtarët e grupeve të numërimit ishin trainuar për t'i konsideruar fletë të tilla votimi të pavlefshme dhe fletët e votimit të hedhura gabim ishin konsideruar të pavlefshme në Tiranë deri në mbylljen e numërimit për kryetar bashkie të Tiranës më 14 maj."


Në këtë paragraf, po të konsiderosh faktin që raporti lëshohet nga një institucion që praktikon gjuhën diplomatike, vërejtja është tepër e ashpër. Praktikisht OSBE/ODIHR raporton se ajo që nisi të bëjë KQZ, duke marrë në konsideratë e duke numëruar fletët e votimit që u gjetën nëpër kutitë e gabuara, nuk ka bazë ligjore. Përveç mungesës së bazës ligjore, nuk ka patur asnjë procedurë, as parashikim të një veprimi të tillë. Sipas juristëve me të cilët është konsultuar "Shekulli", nëse marrim të mirëqenë atë që shkruhet në raport, duke kryer një veprim të paparashikuar as në ligj, as në direktiva, as në precedentë, KQZ është duke kryer diçka të jashtëligjshme, duke thyer kodin elektoral, pra duke bërë krim. E ky është një implikim i rëndë që i bëhet KQZ prej raportit të OSBE/ODIHR. Mirëpo, edhe pse KQZ ka qenë e ndërgjegjshme që veprimi i numërimit dhe i validimit të votave të hedhura në kutitë e gabuara nuk ka qenë i ligjshëm, diktati i maxhorancës është vendosur përmbi ligjin. Kështu, raporti i OSBE/ODIHR vijon më tej:
"Më 17 maj, tri ditë pas mbylljes së numërimit për kryetar bashkie të Tiranës në VNV-në e fundit të Tiranës, kryetari i KQZ-së propozoi një projekt vendim, sipas të cilit, fletët e votimit të hedhura në kutinë e gabuar do të konsideroheshin të vlefshme dhe do të numëroheshin prej vetë KQZ-së.8 Ky numërim do të ishte vetëm për fletët e votimit gjetur në kutinë e gabuar, që ishin kontestuar në nivel VNV-je. Sipas kryetarit të KQZ-së, projekt vendimi ishte propozuar me kërkesë të anëtarëve të 7 KZAZ-ve të Tiranës, emëruar nga PD-ja dhe LSI-ja lidhur me 60 kuti votimi.


Anëtarët e emeruar nga opozita e kundërshtuan propozimin, duke deklaruar se KQZ-ja nuk kishte të drejtë të numëronte fletët e votimit dhe se mund tí hapte ato në bazë të ankimimi të rezultateve zyrtare. Ata propozuan që KQZ-ja të nxirrte rezultatet në TPR-të e marra nga VNVtë. Seanca e KQZ-së, ku do të diskutohej projekt vendimi, u ndërpre nga deputetët e PS-së dhe seanca u shty përpara se të kalonte në votim. Më 18 maj, pas votimit të një vendimi "në parim" (prej 4-3 votash), ndonëse nuk ishte miratuar asnjë vendim përfundimtar, KQZ-ja filloi hapjen e 60 kutive të votimit identifikuar në kërkesë dhe numërimin e fletëve të votimit për kryetar bashkie dhe këshilli për Tiranën. Për MVZ-në e OSBE/ODIHR-it, baza ligjore për hapjen e kutive të votimit ishte e paqartë. Anëtarët e emëruar të opozitës në KQZ u larguan nga seanca. Fletët e votimit numëruar nga KQZ-ja në 20 kuti votimi gjatë seancës së datës 18 maj rezultuan në 60 fletë votimi për kryetar bashkie të Tiranës, 46 për Z. Basha dhe 14 për Z. Rama."


Një gjuhë e tillë, ka kohë që nuk përdoret në raportimet e vëzhguesve ndërkombëtarë mbi zgjedhjet shqiptare, sidomos për sa i përket procesit të numërimit dhe administrimit. Edhe pse më përpara janë vënë re fenomene brutale, vjedhje votash në kuti e të tjera fenomene, kësaj radhe vëzhguesit e OSBE/ODIHR flasin për aksione institucionale të cilat nuk marrin parasysh dhe veprojnë pavarësisht ligjeve.


Fatkeqësisht, OSBE/ODIHR e konfirmoi atë që mediat, shoqëria civile dhe opozita kanë ditë që po e thonë, KQZ-ja po vepron nën diktatin e mazhorancës, duke sjellë standarde të dyfishta e duke diskriminuar opozitën, të cilën po e privon prej fitores së saj në Tiranë, përmes ndërrimit të rregullave pa paralajmërim, pas përfundimit të garës.
(Raporti i plotë është publikuar dje në faqen www.osbe.org/odihr)
(www.shekulli.com.al)

No comments:

Post a Comment