Palestinezët po shpërngulen në Jordani

Gjatë viteve të fundit, jeta nën pushtimin izraelit ka detyruar mijëra palestinezë që të lënë shtëpitë e tyre në Bregun Perëndimor e të nisin jetën në Jordaninë fqinje.

Ata shkojnë atje në kërkim të një jete normale, pa postblloqe dhe konflikte me banorët izraelitë.

Jeta në periferinë luksoze të Amanit është shumë herë më e mirë se jeta që Shahinda El Kilani la pas në qytetin e lindjes, Hebron, të Bregut Perëndimor.

“Këtu ka siguri, ka stabilitet, nuk ka frikë. Fëmijët e mi mund të dalin dhe unë nuk jam e shqetësuar për ta”, thotë ajo.

Familja e saj është në mesin e mijëra palestinezëve të pasur me shtetësi jordaneze, që lanë Bregun Perëndimor, për të ndërtuar shtëpitë e tyre në Aman.

Palestinezët përbëjnë 50 deri 80 për qind të popullatës në Jordani, dhe mbajnë poste qeveritare.

El Kilani, si banorët e tjerë palestinezë, thotë se ndonëse ndjehet e sigurt këtu, ky nuk do të jetë kurrë vendi i saj.

Në Izrael, disa ultranacionalistë duan transferimin e Palestinezëve në Jordani.

Një peticion po qarkullon në internet, i cili i bën thirrje mbretit Abdullah që ta deklarojë Jordaninë një shtet palestinez.

Qeveria e Izraelit është distancuar nga ky peticion dhe palestinezët e kanë hedhur poshtë atë.
(www.gazetaexpress.com)

No comments:

Post a Comment