Prokuroria kërkon rikthim në burg të Pinarit e Delijorgjit

Palët debatuan dje në Gjykatën e Lartë. Akuza: Të rikthehen në qeli. Avokatët: U mbajtën 84 ditë pa vendim në burg.
Prokuroria këmbëngul se dy të akuzuarit kryesorë të tragjedisë së Gërdecit, Ylli Pinari dhe Mihal Delijorgji, duhet të rikthehen në qeli, duke kundërshtuar në këtë mënyrë vendimin e shkallë së parë dhe të apelit që vendosi lirinë e tyre, ndonëse akuzohen për vrasje masive. Prokurori Artur Selmani, gjatë seancës së djeshme në Gjykatën e Lartë, ripërsëriti edhe njëherë se ndaj Pinarit e Delijorgjit nuk ka përfunduar afatet e paraburgimit dhe në konkluzionet përfundimtare kërkoi që të rikthehen në qeli, ndërkohë, avokatët e dy të pandehurve të tragjedisë së Gërdecit, pohuan se klientët e tyre janë mbajtur në burg megjithëse ndaj tyre kishin mbaruar afatet e paraburgimit. Në këtë mënyrë, pohuan avokatët, kërkesa e organit të prokurorisë duhet të rrëzohet, pasi nuk parashikohet në Kodin e Procedurës Penale. Avokatët iu referuan edhe vendimeve të vetë Gjykatës së Lartë, të Shkallës së Parë dhe të Apelit, të cilat kanë pranuar të tria se afatet e paraburgimit ndaj Pinarit dhe Delijiorgjit kanë përfunduar.

Ndërkohë, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, pasi ka dëgjuar pretendimet e akuzës, që kërkoi rikthimin në qeli, dhe të avokatëve që kërkuan rrëzimin e kësaj kërkese, kanë shtyrë seancën gjyqësore në datën 9 maj, pra ditën e hënë. Në këtë datë do të merret një vendim përfundimtar, i cili do të përcaktojë nëse Pinari e Delijorgji do të kthehen ose jo në qeli. Ndërkohë, në Gjykatën e Shkallës së Parë vazhdon procesi gjyqësor ndaj 28 të pandehurve që akuzohen për vrasjen e 26 civilëve të pafajshëm më 15 mars të vitit 2008 në Gërdec, në periferi të Tiranës. Procesi gjyqësor është tejzgjatur, pas mungesave të shumta të palëve në proces, ndërsa së fundmi akuza ka filluar me pyetjen e të pandehurve. Të akuzuarit kryesorë të kësaj çështje ia kanë hedhur fajin aksionarit amerikan të firmës Sac-Albademil.

No comments:

Post a Comment