Digjen flamujt e PD-së, akuza mes dy kampeve

Incidentet parazgjedhore nuk kanë munguar në qytetin e Elbasanit, duke u shoqëruar me akuza dhe kundërakuza të ashpra mes dy krahëve politikë.
Mbrëmjen e së martës, në lagjen “Partizani” janë djegur flamujt e Partisë Demokratike nga persona ende të paidentifikuar, gjë që ka sjellë reagimin e drejtuesve lokalë të dy kampeve kryesore politike. Deputeti i selisë blu, Luçiano Boçi, shprehet se djegia e flamujve të PD-së është bërë nga eksponentë ose militantë të frymëzuar nga pjesa më e egër e Partisë Socialiste. Sipas Boçit, ndaj shtabit elektoral të PD-së është aplikuar një lloj terrori psikologjik, duke luftuar me simbole dhe flamuj, si edhe duke kërcënuar nëpërmjet telefonatave. “Në PS ekziston një skalion pune, i cili nismën dhe vazhdën e ka që nga data 21 janar. Të gjithë i kemi në konsideratë pamjet e hedhjes së flamurit shqiptar, nga eksponentë kriminalë. Por këto skalione janë jo vetëm te militantët, por shkojnë përtej militantëve, dhe unë pretendoj se shkojnë edhe deri në strukturat më të larta të PS-së”, akuzon Boçi. I menjëhershëm ka qenë reagimi i selisë rozë. Deputeti i PS-së, Ilir Bejtja, është shprehur se ky akt vandal bie në kundërshtim me klimën e mesazheve që janë transmetuar në këtë fushatë zgjedhore. Sipas Bejtjes, dhunimi i simboleve është një veprim i shëmtuar dhe se ato janë të shenjta, e për këtë duhet të respektohen. Ndërkohë ai nuk ka kursyer akuzat për degën e PD-së lokale, duke u shprehur se votuesit po dhunohen psikologjikisht për çështjen e votës. “Aleanca për Qytetarin” nxjerr njerëzit me zor nëpër mitingje, duke i marrë firmat dhe bërë presion për votën.

No comments:

Post a Comment