Hajdutët vjedhin një tjetër agjenci të këmbimit valutor

Nis hetimi për gjetjen e autorëve, ndërkohë që kapet një nga grabitësit e supermarketit.
Një tjetër pikë e këmbimit valutor është vjedhur gjatë orëve të para të ditës së djeshme në kryeqytet, ndërkohë që policia ka kapur një nga autorët e grabitjes me armë të një supermarketi. Ngjarja është bërë publike nga policia e Tiranës, e cila thekson se vjedhja ka ndodhur në një pikë të këmbimit valutor te Rruga e Dibrës, pranë Medresesë. Mësohet se autorët kanë mundur të marrin një sasi të konsiderueshme parash dhe më pas janë larguar nga vendngjarja. Menjëherë pas sinjalizimit efektivat e policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë bërë këqyrjen e vendit, ndërsa kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Sipas policisë, menjëherë është marrë kontakt me pronarin e pikës së këmbimit valutor, i cili ka treguar dyshimet e tij mbi këtë vjedhje. Policia tha se po punon për këtë ngjarje, por ende nuk janë zbuluar autorët e saj. Veç saj, uniformat blu vunë në dukje se kanë arrestuar një nga autorët e vjedhjes me armë të një supermarketi. Gjatë orëve të vona të së martës, shërbimet e Komisariatit nr. 2, në bashkëpunim me ata të vjedhjeve me armë, arrestuan shtetasin Shkëlqim Velodin Kurti, 30 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për dezertim. Vjedhja e këtij supermarketi ndodhi në afërsi të rrugën “Sulejman Delvina”, në Tiranë, ku i arrestuari në bashkëpunim edhe me dy persona të tjerë, dyshohet se kanë vjedhur nën kërcënimin e armës një sasi parash prej 100 mijë lekësh. Aktualisht vazhdon puna në drejtim të identifikimit dhe kapjes së dy bashkëpunëtorëve të tjerë në këtë vjedhje me armë. Siç dihet, të martën ndodhi një tjetër vjedhje me armë në një pikë të këmbimit valutor, por autorët nuk janë zbuluar ende. Dy ditë më parë, në bulevardin “Bajram Curri” është grabitur me dhunë një dyqan “Exchange”, ku janë vjedhur rreth 10 mijë euro. Dy autorët e dyshuar, pasi kanë vjedhur paratë nën kërcënimin e armës dhe të maskuar me skafandra, janë larguar me një motor.

No comments:

Post a Comment