Gjermania mbështet Kosovën

Presidenti i Federatës së Futbollit të Gjermanisë (DFB), Theo Zwanziger, dhe nënkryetari i saj, Rainer Milkoreit, të premten e kanë pritur në një takim zyrtar kreun e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrrin. Ky i fundit në shtëpinë e futbollit gjerman ishte i shoqëruar nga ndërmjetësuesi i këtij takimi, ambasadori i Kosovës në Berlin, Vilson Mirëdita.

Vokrri i ka njoftuar gjermanët rreth gjendjes së përgjithshme në të cilën gjendet futbolli kosovar, derisa ka potencuar se është e domosdoshme që FFK-ja sa më shpejt të inkuadrohet në FIFA. Sipas një kumtese të FFK-së, Vokrri ia ka dorëzuar homologut të tij gjerman një material të hollësishëm për futbollin e Kosovës. Sipas kësaj kumtese, Zwanziger i ka premtuar Vokrrit se Federata gjermane do ta mbështesë fuqishëm futbollin kosovar në përpjekje për t’u ndërkombëtarizuar.

“Zwanziger ka thënë se do të diskutojë në të gjitha instancat që futbolli i Kosovës sa më parë të bëhet pjesë e mekanizmave ndërkombëtarë”, thuhet në kumtesën e FFK-së, në të cilën theksohet se gjermanët do të përpiqen ta nxisin FIFA-n që të paktën ta lejojë përfaqësuesen e Kosovës të zhvillojë ndeshje miqësore ndërkombëtare, derisa vendi ynë të anëtarësohet me drejta të plota në familjen botërore të futbollit. Zwanziger i ka premtuar Vokrrit se këtë diskutimin rreth kësaj çështjeje do ta iniciojë në një mbledhje të përfaqësuesve të shteteve anëtare të UEFA-s, e cila do të mbahet në muajin qershor.
(www.gazetaexpress.com)

No comments:

Post a Comment