Levan- Vlorë, autostrada në funksion

Nga sot, 16 km e para të autostradës Levan-Vlorë, janë në funksion për të gjitha automjetet që do të udhëtojnë në drejtim të Vlorës dhe anasjelltas. Duke nisur nga komuna Novoselë e në vazhdim, dy korsi të kësaj autostrade do të shërbejnë për të shkurtuar ndjeshëm kohën e udhëtimit.



Për këtë qëllim, në vendin ku kjo autostradë prek hyrjen e qytetit të Vlorës, u zhvillua një ceremoni ku ishte i pranishëm edhe Ministri i Transporteve dhe Punëve Publike, Sokol Olldashi.

Ai e cilësoi mjaft të rëndësishme vënien në funksion të kësaj autostrade, duke nënvizuar se ajo do të krijojë standarde për të gjithë ata që udhëtojnë në drejtim të Vlorës dhe anasjelltas.
Olldashi nënvizoi se ndjek me mjaft vëmendje ecurinë e punimeve, ndërkohë që shtoi se, katër korsitë e këtij segmenti do të vihen në funksion përpara nisjes së sezonit turistik, ndërsa i gjithë aksi nga Levani në Vlorë do të jetë gati në vjeshtë të këtij viti.

Kandidati i koalicionit "Aleanca për Qytetarin", Ardian Kollozi, theksoi se ky investim i rëndësishëm, pjesë e prioriteteve të qeverisë, do të krijojë një akses në rritje për turizmin në Vlorë.
Autostrada Levan –Vlorë ka një gjatësi prej 25 km, gjerësi prej 31.5 m dhe përbëhet nga 4-korsi. Shpejtësia e lëvizjes së mjeteve do të jetë 120-130 km/orë

No comments:

Post a Comment