Banorët që janë strehuar pranë ish-objekteve shtetërore dhe i kanë kthyer ato në banesa me investimet e tyre, mund t’i privatizojnë këto ambiente kundrejt pagimit 35 për qind të vlerës së përgjithshme.Përmes një vendimi të Këshillit të Ministrave, që ka hyrë dje në fuqi, caktohen çmimet për këtë proces, të cilat i referohen kostos mesatare të ndërtimit për vitin 1995. Në këtë proces përfshihen të gjitha objektet shtetërore që i kanë kaluar për administrim Entit Kombëtar të Banesave. Ky i fundit duhet të kryejë edhe përllogaritjet për të gjitha kontratat e lidhura në vitin 2010-2011. Kurse për poseduesit që ende nuk kanë kryer procedurën e lidhjes së kontratës, lihen në dispozicion 6 muaj për të lidhur kontratat e reja. Një tjetër vendim që lidhet me strehimin, është edhe ai i miratuar dje në qeveri për kalimin e një sërë objektesh të tjera nën administrimin e Ministrisë së Punëve e Publike dhe Entit të Banesave, për t’i privatizuar ato në favor të banorëve që jetojnë aty. Kështu, një numër i madh ish-deposh kazermimi, si dhe të ish-objekteve të Ndërmarrjes së Ndërtimeve Ushtarake në Bllokun 4 me zonë kadastrale 8120 Tiranë, kalojnë në favor të privatizimit nga qytetarët që jetojnë aty. Enti Kombëtar i Banesave do të lidhë kontratat për privatizim të ambientit me banorët me çmimin që përcaktohet në udhëzimin e Ministrisë së Punëve Publike. Po dje, çështja e strehimit është trajtuar edhe për familjet që banojnë në ambientet e Universitetit Bujqësor të Kamzës. Qeveria ka gjetur një zgjidhje tjetër për këtë rast, pasi këto ambiente nuk mund të privatizohen dhe, në këtë mënyrë, është vendosur trajtimi i familjeve me kredi. Këtyre të fundit do t’u mundësohet kredi me interes zero për blerjen e banesave, në mënyrë që të lirohen ambientet e Universitetit, të cilat qëndrojnë të zëna prej kohësh. Kreu i qeverisë i ka mëshuar faktit që këto ambiente do t’i rikthehen Universitetit, që sipas tij ka një peshë të madhe në arsimimin vendës.

No comments:

Post a Comment