Shqiptarët vërshojnë Cityn

Futbollistët shqiptarë kanë filluar ta vërshojnë Manchester Cityn. Pas Frederik Veselit dhe Bersant Celinës, akademisë së klubit anglez mund t’i bashkohet edhe Sinan Bytyqi. Mesfushori 16 vjeçar luan në ekipin austriak Admira, ndërsa është ftuar për provë në akademinë e ‘Citizens’.

Manchester City është aktualisht njëri prej klubeve më të mëdha në botë. Mirëpo, përpos shpenzimeve milionëshe për të blerë yje të klasit botëror, klubi anglez po përkujdeset edhe për akademinë.

Në fakt, ‘Citizens’ kanë filluar të vërshohen nga futbollistët shqiptarë. Pas Frederic Veselit, i cili luan që një kohë të gjatë atje, javë më parë ekipit anglez i ishte bashkuar edhe talenti tjetër Bersant Celina. Kurse futbollisti i tretë që pritet t’i bashkohet ekipit nga qytetit i Manchesterit është Sinan Bytyqi. 16 vjeçari mund ta realizojë ëndrrën e tij, që të luajë në Angli, pas provave që do t’i kalojë atje.

Sipas mediave austriake, mesfushori me pasaportë austriake është lojtari i parë i këtij vendi që kërkohet nga skuadra angleze. “Manchester City është i njohur për faktin se blen lojtarë nga e gjithë bota. Por, nga Austria deri më tash nuk ishte asnjë që do të hynte në rrethin e ngushtë. Kjo mund të ndryshojë së shpejti me rastin Bytyqi”, shkruan portali noen.at.

Bytyqi është pjesë e përfaqësueses U-17 të Austrisë, ndërsa aktualisht luan në akademinë e klubit austriak Admira. “Është diçka madhështore”, ka thënë trajneri i kësaj skuadre, Max Hagmayr, pasi ka marrë vesh për interesimin e Cityt.

Bytyqi kishte marrë një telefonatë nga drejtuesit e Man Cityt pas fitores së skuadrës U-17 të Austrisë kundër Qipros me rezultat 2:0. Ai i ofroi të riut shqiptar një stërvitje provuese në Angli. Në rast se do ta pëlqejnë paraqitjen e tij, anglezët do ta angazhojnë në akademinë e klubit.

Sigurisht, Sinani nuk kishte menduar dy herë. “Po, Manchester City është klubi im i preferuar”, ka thënë ai. Koha e saktë e shkuarjes në Angli ende nuk është përcaktuar, por do të jetë pas përfundimit të kampionatit në Austri, ndoshta gjatë këtij muaji. Aktualisht Bytyqi luan me ekipin U-18 të Admiras në Jugendliga U-18.
/gazetaexpress.com/

No comments:

Post a Comment