"Vrasja e Diana Kastratit ka mundur të parandalohet"

Një pano me thirrjen “Boll mo” dhe një fotografi të qytetares së vrarë Diana Kastrati, e ka vendosur Rrjeti i Grave i Kosovës të premten në murin e Gjykatës Komunale të Prishtinës, e cila nuk iu kishte përgjigjur kërkesës së viktimës për t’i dalë në mbrojtje nga ish-burri i saj, i cili e vrau dy ditë më parë në qendër të Prishtinës.

Përfaqësuesja e Rrjetit të Grave të Kosovës, Igballe Rogova, ka kritikuar institucionet e drejtësisë se nuk janë marrë seriozisht me rastin dhe si pasojë e mosveprimit të tyre, Diana Kastrati (27) ka mbetur e vrarë.

“Ky rast ka dëshmuar edhe një herë se institucionet nuk janë duke punuar si duhet. Ne jemi këtu te Gjykata Komunale që të shprehim mllefin tonë për shkak se po të kishte lëshuar ky institucion një urdhër mbrojtjeje sikurse ka kërkuar e ndjera Dianë, që të mbrohet nga vrasësi, ajo sot do të ishte me ne”, ka thënë Rogova.

Ajo është shprehur e mllefosur edhe për mosreagimin e Policisë së Kosovës, e cila ende nuk ka mundur ta arrestojë vrasësin.

“Ne shprehim mllefin edhe ndaj Policisë së Kosovës, që akoma ai njeri është në arrati. Kërkojmë që rastet e tilla të shqyrtohen seriozisht nga gjykatat, sepse si të tilla po zvarriten nga gjykatat”, është shprehur Rogova, duke folur para dhjetëra qytetarëve që kanë ndezur qirinj pranë fotografisë së Diana Kastratit.

Diana Kastrati, 27-vjeçare, është vrarë me armë zjarri pak metra larg shtëpisë së saj në Prishtinë nga ish-bashkëshorti i saj, A. Jashari, 29 vjeç. Vrasja është kryer të mërkurën rreth orës 10 e 40 në rrugën “Xheladin Kurbaliu” afër Shkollës Teknike në një udhëkryq para disa dyqaneve.

I dyshuari që është identifikuar nga policia si ish-bashkëshorti i gruas së vrarë nuk është kapur ende dhe kjo ia ka pamundësuar policisë të dijë për motivin e këtij krimi. Burimet kanë treguar se çifti ishte shkurorëzuar si pasojë e mosmarrëveshjeve. Ata kishin një vajzë nga martesa.

(infosot.com)

No comments:

Post a Comment