Vrasja e Abazit u filmua nga kamerat e bankës

Vrasja e Përjet Abazit është filmuar nga kamerat e sigurisë së një banke. Edhe pse të maskuar, vrasësit e vëllait të deputetit të PS, Sadri Abazi, pritet të identifikohen nga pamjet filmike. Policia merr në pyetje 50 persona, mes tyre edhe pronarin e kazinosë. Punonjësit: Nuk kishte ndonjë problem.
Policia: Po hetojmë pistën e hakmarrjes dhe të ndonjë konflikti të fundit.Kamerat e sigurisë së një filiali banke në krah të kazinosë pritet të hedhin dritë mbi personat që ekzekutuan mbr-ëmjen e së hënës në Laç, 45-vjeçarin Perjet Abazi.Pas 24 orësh nga krimi, Policia e qarkut të Lezhës shprehet optimiste për zbardhjen e ngjarjes së rëndë, ku humbi jetën vëllai i deputetit të PS-së, Sadri Abazi. Megjithatë, ende nuk ka asnjë të arrestuar, edhe pse ka dyshime se autori mund të jetë pjesë në grupin prej rreth 50 vetash të shoqëruar. Grupi hetimor ka marrë në pyetje të shoqëruarit, mes tyre dhe pronarin e punonjësit e kazinosë, ku Abazi po luante deri rreth orës 20:30 kur doli prej saj për t’u qëlluar për vdekje nga një armë automatike. Sipas policisë, pronari i kazinosë ka pohuar se ka qenë duke luajtur me Abazin, kohë gjatë së cilës nuk ka konstatuar asnjë shqetësim të 45-vjeçarit, por është larguar më vonë dhe, në kohën e krimit, ai ndodhej jashtë qytetit. Po kështu, janë marrë në

50 personapyetje edhe punëtorët e kazinosë, midis tyre edhe disa vajza nga Tirana, të cilët ishin të punësuar në ambientet e saj. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Kurbinit, mësohet se janë sekuestruar edhe kamerat e një filiali banke, të cilat kanë qenë të vendosura përreth objektit. Të njëjtat burime shprehen se dyshohet se autorët e krimit në momentin e kryerjes së vrasjes kanë qenë të maskuar, duke e vështirësuar mundësinë e identifikimit të tyre nga filmimet e kamerave, ndërsa kanë vepruar duke dalë nga zona e errësirës. Megjithatë, ato kanë kaluar në duart e ekspertëve për të saktësuar të dhënat fizike të atentatorëve. Bazuar në dëshmitë e personave të shoqëruar, Abazi shoqërohej vazhdimisht me nga 4 badigardë dhe luante me shuma të mëdha parash në këtë kazino. Natën e krimit ai ka qenë i shoqëruar vetëm me një roje, i cili, kur ndodhi vrasja, ishte akoma në ambientet e lojërave të fatit. Hetimet e policisë janë përqendruar në disa pista, që nga ajo e hakmarrjes për çështje në të cilat është implikuar prej kohësh Abazi, tek ajo e ndonjë konflikti ndodhur për shkak të parave të luajtura në kazino apo sherr për motive të dobëta lindur në ambientet e lojërave të fatit. Policia e qarkut të Lezhës pohoi se po punon me intensitet për të hedhur dritë mbi këtë ngjarje të rëndë, duke u bazuar kryesisht te dëshmitë e personave të shoqëruar. Nga të dhënat e siguruara nga grupi hetimor, punonjësit e kazinosë kanë mohuar të ketë pasur problem në ambientet e lokalit të lojërave. Nisur nga fakti që Abazi shoqërohej me truproja, policia po heton problemet e viktimës, duke dyshuar për një hakmarrje të mundshme ndaj tij. Sipas burimeve të Policisë së Kurbinit mësohet se një grup ekspertësh nga Ministria e Brendshme ka mbërritur në Laç dhe po punon së bashku me Policinë e rrethit për zbulimin e autorëve të krimit. I pyetur për ngjarjen, drejtori i Policisë së qarkut të Lezhës, Muharrem Furriku, pohoi se janë shoqëruar disa persona. “Kemi zhvilluar disa kontrolle dhe kemi përdorur metoda speciale hetimi. Mund të them paraprakisht se po punojmë në disa pista hetimi dhe jemi në rrugë të mbarë të zbardhjes së vrasjes, çka na bën të kemi arsye për të shpresuar në zbulimin e krimit”, deklaroi ai.

Janë shoqëruar në polici që pas momentit të vrasjes së Perjet Abazit mbrëmjen e djeshme. Me gjithë fshehtësinë me të cilën kanë vepruar atentatorët, Policia e Lezhës pohoi se shumë shpejt do të hidhet dritë mbi këtë krim

Tërhiqet trupi në mëngjes, mungon deputeti

Pas kryerjes së ekspertizës mjeko-ligjore në spital, trupi i pajetë i viktimës Përjet Abazi është tërhequr nga familjarët e tij në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Nga burime të spitalit mësohet se nuk ka qenë i pranishëm në ato momente vëllai i viktimës, deputeti Sadri Abazi, por djali i tij. Mjekët kanë konfirmuar se vdekja e 45-vjeçarit është shkaktuar nga dy plumbat e marrë në kokë. Ai u qëllua mbrëmjen e së hënës me breshëri automatiku, nga persona ende të paidentifikuar.

No comments:

Post a Comment