Vdes 2-vjeçari, Nena: U mbyt me kumbull Mjeket: Dyshojme helmim

 
Mbetet ende mister shkaku i vdekjes së 2-vjeçarit Besjano Xhukellari nga fshati Vërdovë i rrethit të Pogradecit. Ndonëse gjatë natës së të premtes është bërë autopsia, mjekët nuk arritën të përcaktojnë se nga se humbi jetën vogëlushi. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Korçës pohojnë se nëna e fëmijës, Valbona Xhukellari ka deklaruar gjatë marrjes në pyetje se djali i saj kishte gëlltitur aksidentalisht një kokërr kumbulle dhe për pasojë është asfiksuar.
Ndërkohë, mjekja pediatre e urgjencës në spitalin e Pogradecit, Nazime Aliçkolli pohoi dje për Gazetën se 33-vjeçarja Xhukellari e solli fëmijën pa shenja jete. "Djali ishte pa puls dhe pa shenja jete kur mbërriti në spital. Në gojë, vogëlushi kishte pak hemorragji dhe shkumë. Fëmijës i është vënë oksigjen dhe i janë bërë masazhe, por gjithçka ishte e kotë, pasi ai u soll i vdekur në spital", - tha Aliçkolli. Pas autopsisë së vogëlushit Besjano Xhukellari, mjeku ligjor Hasan Laho u shpreh se mbi fëmijën nuk kishte shenja dhune, por ka dyshime për ndonjë helmim të mundshëm. Sipas Lahos, vetëm pas mbërritjes së përgjigjes së analizave nga Tirana do të bëhet i mundur zbulimi i shkakut që çoi drejt vdekjes fëmijën e pafat. Besjano Xhukellari u varros dje në varrezat e fshatit Vërdovë, ndërsa policia ka shoqëruar nënën e tij deri në pritje të përgjigjes së analizave nga Tirana. Vetëm para një muaji Valbona Xhukellari braktisi në një bunker të kohës së Enverit vajzën e saj të porsalindur. Ishin banorët e zonës që shpëtuan foshnjën. Pas braktisjes së vajzës, Xhukellari tha se dy fëmijët (i kishte nga lidhje jashtëmartesore) nuk ia pranonte vëllai në banesë dhe se herë pas here bënin sherr për këtë problem.

(BalkanWeb.com)

No comments:

Post a Comment