Milan,1 pike nga titulli,Roma presion Lacios

Edhe pse pas një ndeshje jo të shkëlqyer, Milani mposht Bolonjën 1-0 dhe gjendet tashmë vetëm 1 pikë nga fitimi edhe me matematikë i titullit.
Kuqezinjtë fituan 3 pikë falë një pjese të parë të mirë, e nisur që në fillim me gol të Flaminisë, në minutën e 8-të.
Në pjesën e dytë, Milani ka patur një rënie të ndjeshme dhe Bolonja i është afruar barazimit me Himenez dhe Britos. Por në fund, 70 mijë spektatorët e “San Siro”-s kanë nisur të festojnë.Sfida për shpëtim në “Marasi” ka përfunduar në barazim.

Mes Sampit dhe Breshias përfundoi 3-3, dhe ishte një ndeshje e karakterizuar nga emocione dhe gabime të shumta. Pas një pjese të parë të mërzitshme dhe pa goditje në portë, ka nisur një pjesë e dytë me bollëk golash. Në 13 minuta janë shënuar 4 gola, nga 2 për secilin ekip. Eder zhbllokon i pari, barazuan vendasit me anë të Pocit, më pas Karaçiolo dhe Tisone.

Në fund shënoi sërish Karaçiolo dhe më pas Manini, që i dhuruan secilës skuadër nga 1 pikë të padobishme.Një fitore e rëndësishme për Katanian. Siçilianët e Simeones mposhtën 2-0 Kaljarin në një sfidë “miqësore”, duke bërë një hap deçiziv në zonën e shpëtimit.

Gjithçka ndodh në 4 minuta. Në fillim shënon Silvestre dhe më pas Berxhesio, dy gola deçizivë, që i japin fitoren kuqebluve. Me këtë rezultat, Katania arrin Bolonjën në kuotën e 40 pikëve, ndërsa sardët qëndrojnë me 44 pikë.

Një Fiorentinë e shkëlqyer shpartallon Udinezen, duke i ndalur në garën për vendin e 4-t, që vlen një vend në Champions. Në “Franki” përfundon 5-2 për ekipin vjollcë, që kaloi në avantazh shumë shpejt, falë gjuajtjes me të majtën të Vargas. Goli i dytë shënohet nga D’Agostino, ndërsa Udineze shkurton distancën me Pincin.

D’Agostino shënon dopietën e tij personale në të 51-tën, përpara se Asamoah të shkurtojë sërish në 3-2. Ndërsa Çerçi, më i miri në fushë, mbylli ndeshjen me dopietën e tij në minutat 71′ dhe 86′.
Nuk ndalet më Parma e Kolombës, e cila në “Tardini” merr fitoren e 3-të radhazi, duke kaluar 3-1 Palermon dhe duke iu afruar shpëtimit.

Vendasit kaluan menjëherë në avantazh me Xhemailin, i cili shënon golin e tij të parë në Serinë A, teksa përveç zotësisë, ka qenë edhe me fat, pasi e preku topin me krah. Verdheblutë dyfishuan rezultatin me Modeston, dhe shënojnë të tretin me anë të Kandrevës. Kievo shpëton.

Skuadrës së Piolit i mungon vetëm siguria matematike, por fitorja 1-0 ndaj Leçes, i ngre veronezët në 42 pikë. Ndeshja ishte e ashpër dhe me ndërhyrje të rënda, por u zgjidh me golin e Rigonit.

Ndërkohë sonte në “Olimpiko” (20:45) është sfida Lacio-Juventus, me vendësit që janë në zonë të plotë Championsi, por me “Zonjën” që akoma nuk ka hequr dorë nga Europa që ka rëndësi.

No comments:

Post a Comment