Biznesi nuk beson tek Avokati i Prokurimeve

“Emërohet nga Kryeministri dhe zgjidhet nga Kuvendi. Të rishikohet ligji.”

Në tre vitet e ekzistencës si institucion, Avokati i Prokurimeve ka trajtuar me qindra ankesa të biznesit, duke shërbyer si mbrojtës i interesave të sipërmarrjes private. Funksionet e përcaktuara në ligj janë të qarta, por në realitet ndodh e kundërta. Edhe pse biznesi paraqet çdo ditë ankesa për tenderë tek Avokati i Prokurimeve, perceptimi i tyre rreth “mënyrës sesi punon dhe rekomandon AvP-ja, në fund të hetimit” duket i njëanshëm.

Një raport i përgatitur nga Qendra për Zhvillimin dhe Demokratizimin e Institucioneve, mbështetur nga Qeveria Amerikane përmes Korporatës Sfida e Mijëvjeçarit për Shqipërinë Programi II, administruar nga USAID, analizon me detaje punën e Avokatit të Prokurimeve, duke vënë në dukje disa mangësi ligjore. Çështja kryesore e trajtuar gjerë në raport lidhet me pavarësinë e institucionit.

“Procedurat e emërimit sigurojnë mbrojtje jo të mjaftueshme nga ndikimi i ekzekutivit, pavarësisht se ligji ka deklaruar pavarësinë e këtij institucioni nga pushteti ekzekutiv nëpërmjet vendosjes së tij në varësi të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, procedura e emërimit të Avokatit të Prokurimeve mund të japë idenë e një ndërhyrjeje të pushtetit ekzekutiv në këtë proces”, thuhet në raportin e mbështetur nga amerikanët e USAID.

Sipas nenit 15, pika 2, në ligj, rezulton se AVP-ja emërohet nga Kuvendi me propozim të Këshillit të Ministrave. “Duke parë funksionet e dhëna këtij institucioni, do të ishte më e drejtë që, për të garantuar pavarësinë e këtij institucioni, të kishte një pjesëmarrje të grupeve të interesit në përzgjedhjen e kandidaturës së AVP-së”, rekomandon grupi i punës, Qendra për Zhvillimin dhe Demokratizimin e Institucioneve.

Për këtë shkak, vetë bizneset e pyetura nga grupi i punës japin konkluzione se nuk kanë shumë besim tek Avokati i Prokurimeve, ose më saktë, “shpresojnë tek avokati, por jo të besojnë”.

Disa nga pjesëmarrësit në anketë e lidhën çështjen e paanshmërisë së AVP-së me mënyrën se si institucioni është emëruar. “Në bazë të ligjit, Avokati i Prokurimeve zgjidhet nga Kuvendi dhe i raporton atij, dhe kjo – siç shihet nga operatorët ekonomikë – e komprometon funksionin e tij, mënyrën se si i trajton ankesat apo monitorimin, si dhe rekomandimet që ai lëshon”, citon raporti. Për biznesin, duke qenë se AVP zgjidhet nga Kuvendi është shumë e vështirë për të shmangur ndërhyrjen e institucioneve publike në ndjekje të detyrave të tij.

Si zgjidhje e paraqitur nga ekspertët e fushës shikohet përgatitja e një akti nënligjor, që detyron Këshillin e Ministrave të konsultohet me grupet e tjera të interesit përpara se të emërohet avokati. Sipas ekspertëve, kjo procedurë emërimi do të siguronte pavarësi më të madhe ndaj influencës së AK-ve ose organit ekzekutiv, si rrjedhojë një mbrojtje më të mirë të komunitetit të biznesit nga veprime abuzuese dhe të paligjshme.

Komuniteti i biznesit mendon se, duhet të ketë një marrëdhënie të përcaktuar ligjërisht me institucionin e Avokatit të Prokurimeve. Për disa prej tyre, AVP duhet të zgjidhet nga komuniteti i biznesit. Të tjerët përmendën se duhet të hulumtohen mundësitë ligjore që të lejojnë bizneset të jenë të përfaqësuara në këtë institucion. Një operator në Tiranë shprehu dyshime në lidhje me paanshmërinë e AVP-së, sepse ai është i zgjedhur nga Kuvendi. Sipas tij, “Avokati ka një detyrim moral dhe varësi nga Kuvendi dhe politika. Ky institucion duhet të zgjidhet nga komuniteti i biznesit, kështu që do të jetë i paanshëm dhe interesat e biznesit do të jenë të mbrojtura me ligj".

Nga dhjetori 2010 deri në mars 2011, QZHDI me mbështetje të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit për Shqipërinë Programit II (MÇ 2), bëri një studim për punën e Avokatit të Prokurimeve bazuar në përvojën e bizneseve që marrin pjesë në procedurat e prokurimit publik dhe të institucioneve publike që administrojnë procedurat e prokurimit publik (Autoritetet Kontraktore, Agjencia e Prokurimit Publik dhe Komisioni i Prokurimit Publik). Studimi përfshiu 5 grupe të fokusuara me 57 biznese pjesëmarrëse që kanë paraqitur të paktën një ankesë tek AVP dhe një fokus grup me subjekte që nuk kanë dorëzuar asnjë ankesë, 15 intervista të detajuara me specialistë të prokurimit nga AK në 6 rajone (Tiranë, Korçë, Vlorë, Fier, Elbasan, dhe Shkodër), dhe 6 intervista të detajuara me zyrtarët e APP, KPP dhe AVP.

No comments:

Post a Comment