Mijëra qytetarë para KQZ, Ngjela: OSBE kërkon dorëheqjen e Berishës.

Mijëra qytetarë dhe deputetë të Partisë Socialiste u grumbulluan rreth orës 10:00 të mëngjesit të së shtunës, në ambientet e jashtme të KQZ-së.

Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se ky është numri më i madh i protestuesve të mbledhur para KQZ-së që prej fillimit të protestave pranë këtij institucioni. Nga ana tjetër, informacionet e para flasin për një numër efektivash të policisë të pandryshuar në krahasim me protestat e mëparshme.

Ndërkohë, qindra autobuzë dhe automjete private me qytetarë mësohet të jenë nisur nga rrethe te ndryshme për t'iu bashkuar kryeqytetasve në këtë protestë.


"Jemi mbledhur këtu vetëm për një qëllim, të mbrojmë ligjin, kushtetutën dhe të drejtën e votës. I themi Ristanit të mos bëhet "qen stani". Unë kam një pyetje për demokratët: Po të kishin fituar ata, a do mblidhej sot Komisioni i Qendror Zgjedhjeve? Nuk mund të legalizohen votat e një kutie të gabuar dhe ti çosh në një kuti tjetër sepse nuk ka ligj. Kjo protestë nuk bëhet për të bëre presion por për të mbrojtur ligjin.", tha Majko.


Ndërkohë sipas Spartak Ngjelës, raporti që OSBE/ODIHR publikoi dje, kërkon indirekt që kryeministri Berisha të japë dorëheqjen pasi po manipulon zgjedhjet.


"Mbas atij raporti që e implikon direkt këtë mashtrues votash, asnjë kryeministër evropian nuk do qëndronte as një ditë në karrigen e vet. Ne kemi bërë një beteje prej dy vjetësh për votën e lirë dhe mendoj ta vazhdojmë atë pasi ky njeri nuk heq dorë nga manipulimi ngaqë e di se nuk e do populli i tij.", tha Ngjela.


Pas 3 orësh proteste, deputeti Saimir Tahiri njoftoi se qytetarët do rimblidhen sërish sot në orën 18:00 për të vazhduar atë.

(shekulli.com.al)

No comments:

Post a Comment